Deputetja e PD, Ina Zhupa, ka risjellë në vëmendje denoncimet e hershme për Aeroportin e Vlorës, duke theksuar se projekti u miratua në kundërshtim me ligjin dhe standardet mjedisore.
Në një reagim publik, Zhupa kujtoi se që në vitin 2021 kishte paralajmëruar në Kuvend për pasojat e ndërtimit në zonën e mbrojtur të Vjosë- Nartë, duke argumentuar se nuk ishin respektuar procedurat për vlerësimin e ndikimit në mjedis, konventat ndërkombëtare dhe legjislacioni shqiptar.
Reagimi i Zhupës
“Mallkimi i flamingove” ka zënë aksionerët e aeroportit të Vlorës dhe “Revolucioni i Flamingove” do të zërë edhe qeverinë e korrupsionit, që mendoi se mund të sfidonte ligjin, natyrën dhe interesin e qytetarëve pa pasoja.
Më 28 nëntor 2021, qeveria inauguronte me bujë Aeroportin e Vlorës si një histori suksesi. Por pas fasadës propagandistike fshihej një projekt i ngritur mbi shkelje të ligjit. U miratua një leje nga KKRT pa u kryer Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis, pa respektuar konventat ndërkombëtare dhe pa zbatuar legjislacionin shqiptar që mbron zonat e mbrojtura.
Në seancat e Kuvendit e kam denoncuar këtë projekt si një kërcënim serioz për ekosistemin Vjosë-Nartë. Me argumente të bazuara në ligje, konventa ndërkombëtare dhe në raportet e Bashkimit Europian, të cilat paralajmëronin qartë për pasojat e këtij vendimi. Por pushteti nuk pyeti as për ligjin, as për ekspertët, as për interesin publik.
Në vend që të dëgjonin paralajmërimet, vendosën aksionet e aeroportit në zyrat e ministres. Sot, të njëjtët persona përballen me procese gjyqësore për një pronë që u përket shqiptarëve dhe për një ndërtim në një zonë të mbrojtur, të konsideruar problematike si për biodiversitetin, ashtu edhe për sigurinë e aviacionit për shkak të pranisë së shpendëve.
Kjo është pasoja e një qeverisjeje që vendos interesat e ngushta mbi ligjin dhe interesin publik.
Gazeta RD