Edhe Ermelinda Meksi kundër Ramës: PS ka nevojë për më shumë kolegjialitet dhe energji të reja

Ish-ministrja socialiste Ermelinda Meksi i është bashkuar debatit të hapur nga ish-deputeti Ilir Zela për nevojën e reformimit të Partisë Socialiste, duke kërkuar më shumë demokraci të brendshme, meritokraci dhe hapësirë për mendimin ndryshe.

Në një reagim publik, Meksi vlerëson se shqetësimet e ngritura nga Zela prekin një problem thelbësor për të ardhmen e PS-së: aftësinë e saj për t’u rinovuar dhe për të reflektuar ndaj kritikave.
Sipas saj, një parti që nuk vetëkorrigjohet dhe nuk rinovon strukturat e saj rrezikon të shkëputet nga anëtarësia dhe nga realiteti shoqëror.

Reagimi

I bashkohem reflektimit tend Ilir Zela, i cili ngre një çështje thelbësore: demokratizimi i Partisë Socialiste nuk mund të mbetet thjesht slogan, por duhet të shndërrohet në një proces real politik dhe statutor.

Mesazhi kryesor i këtij propozimi lidhet me synimin për të shmangur rrezikun që kërcënon nje organizatë politike si PS, atë të humbjes se aftësisë për t’u vetëkorrigjuar. Një parti që nuk reflekton mbi veten, që nuk hapet ndaj kritikës dhe që nuk rinovon mekanizmat e saj të brendshëm, rrezikon të humbasë lidhjen me anëtarësinë dhe me shoqërinë.

Nëse duam një PS më të hapur, më përfaqësuese dhe më të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të kohës, duhet kurajë për t’ju rikthyer atyre parimeve që dikur garantonin ekuilibër, përfaqësim dhe legjitimitet të brendshëm, nepermjet zgjedhjeve e rifreskimit te strukturave te PS cdo 4 vjet.

Asambleja Kombëtare duhet të jetë produkt i vullnetit të delegatëve të Kongresit dhe jo të ndërtohet mbi anëtarësime ex officio që zbehin peshën e zgjedhjes demokratike. Deputetët dhe kryetarët e bashkive kanë përgjegjësi të rëndësishme publike, por ato nuk mund të zëvendësojnë vullnetin e anëtarësisë dhe të forumeve përfaqësuese të partisë. Aq më tepër kur një pjesë e madhe e deputetëve janë produkt i listave të mbyllura, çka e dobëson edhe më tej lidhjen e tyre direkte me bazën.

Po aq e rëndësishme është edhe rishikimi i mënyrës së zgjedhjes së kryetarit.

Përvoja e viteve të fundit tregoi se modeli “një anëtar, një votë”, në kushtet e mungesës së garës reale dhe të pabarazisë së instrumenteve politike, jo domosdoshmërisht prodhoi më shumë demokraci të brendshme. Përkundrazi, ai shpesh u shndërrua në një mekanizëm që forcoi më tej pushtetin e kryetarit mbi partinë. Kryetari duhet të marrë legjitimitetin e tij nga Kongresi, cdo 4 vjet,përmes debatit të hapur, konkurrencës së ndershme dhe përballjes së alternativave.

Partia Socialiste ka nevojë për më shumë kolegjialitet, më shumë debat, më shumë meritokraci dhe më shumë hapësirë për mendimin ndryshe. Vetëm kështu mund të rifitojë energjinë, besimin dhe rolin që historikisht ka pasur në jetën politike të vendit.

Socialistë ne moshe te re dhe me përvojë si ju, por edhe brezi më i ri që mbart energji dhe ide të reja, kanë kapacitetin për të iniciuar dhe udhëhequr këtë proces ripërtëritjeje. Koha kërkon guxim për të ndryshuar dhe mençuri për të ruajtur vlerat më të mira mbi të cilat u ndërtua Partia Socialiste.

About Redaksia

Check Also

Protestuesit ripërsërisin kërkesat: Dorëheqje e panegociueshme e Ramës dheqeveri tranzitore!

Protestuesit kanë ripërsëritur në ditën e 25-të të protestës masive, kërkesat e tyre për qeverinë …