Protestuesit kanë ripërsëritur në ditën e 25-të të protestës masive, kërkesat e tyre për qeverinë e Edi Ramës dhe dorëheqjen e panegociueshme të tij.
Në fjalimin e mbajtur para protestuesve, përfaqësuesit e protestës lexuan edhe njëherë kërkesat, duke vijuar me formimi i një qeverie teknike transitore, e cila do të ketë një mandat 12-mujor për të nxjerrë vendin nga kriza.
Agjenda e kërkesave përfshin ndryshime të thella kushtetuese, të cilat do t’i nënshtrohen një referendumi popullor.
Mes këtyre ndryshimeve, theksi vihet te reformimi i Kodit Zgjedhor për të garantuar një garë të drejtë, si dhe te ndërhyrja në ligjin për partitë politike për të detyruar demokratizimin e tyre të brendshëm dhe transparencën në financim.
Një masë tjetër radikale e propozuar është kufizimi i postit të Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.
Fokusi i protestës është shtrirë edhe te mbrojtja e mjedisit dhe ekonomisë. Është kërkuar anulimi i menjëhershëm i ligjeve që prekin zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore, të cilësuara si përgjegjëse për masakrimin e natyrës shqiptare, si dhe anulimi i plotë i paketës së investimeve strategjike.
Sipas përfaqësuesve, të gjitha këto pika përbëjnë themelin e një marrëdhënieje të re mes institucioneve dhe popullit.
Bashkëqytetarë të dashur, meqenëse është bërë e nevojshme që kërkesat tona t’i theksojmë mbi emrat tanë dhe të qartësojmë për të gjithë qeverinë dhe për estabilishmentin e vjetër politik, se këtu nuk jemi as për njërin nga ne, as për tjetrin, as për grupin organizator, as për grupin koordinues, por jemi vetëm për kërkesat e të gjithë qytetarëve shqiptarë. I përsërisim: Dorëheqje e panegociueshme e Kryeministrit dhe e gjithë qeverisë!
Krijim i një qeverie teknike tranzitore me një mandat 12-mujor! Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit si dhe miratimin e kësaj Kushtetute të re me referendum! Ndër të tjera, në Kushtetutë duam të sanksionuar ndryshimin në Kodin Zgjedhor, që t’i lejojë gjithsecilit qytetar shqiptar garë të drejtë dhe të barabartë! Ndryshimin e ligjit për partitë politike, për demokratizimin e detyruar të tyre të brendshëm dhe për financimin e partive politike!
Kufizimin e ushtrimit të mandatit të Kryeministrit në maksimumi dy mandate! Gjithashtu, por jo më pak të rëndësishme, anulimin e ligjeve të cilat kanë masakruar natyrën dhe zonat e mbrojtura të Shqipërisë, pra ligjet për zonat e mbrojtura, për trashëgiminë kulturore. Anulim… paketa e investimeve strategjike të anulohet! Pra kjo nënkupton një kontratë të re sociale midis qytetarit shqiptar dhe institucioneve të shqiptarëve.
Gazeta RD