Rinia po largohet/ Sula: Rënia e vazhdueshme e numrit të maturantëve, tregues i qartë i shpopullimit

Përfundimi i provimeve të Maturës Shtetërore ka rikthyer në vëmendje problematikat e sistemit arsimor dhe fenomenin e largimit të të rinjve nga Shqipëria. Pedagogia dhe drejtuesja e Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula, ngriti shqetësimin për rënien e vazhdueshme të numrit të maturantëve, duke e cilësuar atë si një tregues të qartë të shpopullimit të vendit.

Në një intervistë për “Ora News”, Sula tha se këtë vit numri i maturantëve ka zbritur në rreth 26.600, ndërsa mbi 4.000 prej tyre kanë kërkuar dokumentacionin për të vijuar studimet jashtë Shqipërisë.

Sipas Sulës, largimi i të rinjve është pasojë e një politike të vazhdueshme që po çon drejt plakjes së popullsisë dhe dobësimit të mendimit kritik në vend. Ajo akuzoi qeverinë se po ndjek politika që synojnë largimin e rinisë nga angazhimi publik dhe politik.

Lili Sula: Është bërë tashmë e traditës dhe e përvitshme të përsëritet i njëjti ritual në lidhje me daljen e tezës. Por të them të drejtën këtë vit nuk më shqetëson pikërisht ky fenomen, do ta diskutojmë dhe këtë sepse është shënjestruar në periferi tani.Nuk më intereson dhe nuk është për mua çështje diskutimi sa ç’është ashtu siç edhe thatë ju në fillim, rënia e thellë e numrit të maturantëve nga viti në vit.

Ne kemi nga vjet, sivjet kemi mbi 2.000 maturantë më pak këtë vit shkollor. Pra, këtë vit ne kemi 26.600, ndërkohë prej tyre 4.000 maturantë kërkojnë të studiojnë jashtë vendit, gjë që është e totalisht e verifikueshme, sepse kanë kërkuar të pajisen me listën e notave dhe me dokumentacionin përkatës që u nevojitet atyre për të aplikuar në universitete e jashtë vendit.

Për mendimin tim, siç edhe besoj për shumë të tjerë, është dramatike kjo situatë e përvitshme e maturantëve, gjë që do të reflektohet më pas edhe në universitete, gjithmonë e më pak ne kemi në auditor studentë në vitin e parë, gjithnjë e më pak mësues ne kemi në tregun e punës dhe rënia e cilësisë edhe në raport me sasinë e studentëve ose të maturantëve të sotëm është domethënëse.

Pra është një shpjegim ose është një argumentim që cilësia sigurisht kur ka shumë pak maturantë që do të konkurrojnë për në universitete dhe kur pjesa më e madhe e tyre, pjesa më e mirë e tyre, synojnë dhe aplikojnë për të studiuar jashtë vendit, sigurisht që në Tiranë dhe në universitetet e tjera do të bjerë cilësia.

Është në vijimin e një politike shpopullimi, mirëfilli shpopullimi, që duhet të jetë çkombëtarizimi. Rënia e numrit të maturantëve do të sjellë ashtu siç edhe kanë thënë statistikat e nivelit ndërkombëtar, plakjen e popullsisë, mungesën e fuqisë punëtore, të fuqisë intelektuale në tregun e punës, mungesën e intelektualëve në artikulimin e mendimit publik, të mendimit politik.

Gjë që edhe pse protestat e sotme sigurisht janë për t’u lavdëruar, janë të çmuara, ne kemi vërejtur gjithë këto vite që mendimi i hapur publik, mendimi alternativ dhe kritika, gjykimi kritik ka qenë i rrafshuar, ka qenë i topitur.

Shumë pak njerëz kanë folur dhe kanë analizuar me sy kritik situatat në vendin tonë. Të largosh të ardhmen e kombit, për mendimin tim është një strategji për ta shpërqendruar vëmendjen për të mos pasur rini. Dje ka patur një zhvillim tjetër, kryeministri ka qenë në Durrës për projektin e kampusit studentor në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, por mos harroni që kjo lidhet me atë çfarë ai ka thënë në janar për studentët, për t’i spostuar studentët e Tiranës për të jetuar në Durrës.

Pra, në mendimin tim ka një vëmendje nga kryeministri për t’i pasur larg mendjes dhe larg syve të rinjtë sepse të rinjtë, studentët janë forcë reaguese, në çdo moment historik kanë treguar që dinë të reagojnë dhe janë një forcë që e kërcënojnë pushtetin e stërgjatë të këtij kryeministri. Nga ana tjetër unë besoj që duhet parë, kur të dalin të plota dhe të ketë statistika, duhet parë se çfarë ka sjellë menaxhimi i kësaj mature shtetërore në krahasim me maturat e tjera.

Pra sa real është ky vlerësim dhe se si mosdalja e tezës të paktën në disa provime… është për t’u thënë në fakt që teza këtë vit është deri diku e siguruar dhe nuk ka dalë siç ka dalë në vitet e tjera që në 20 minutat e para të provimit. Çfarë ka prodhuar? A ka prodhuar vërtet cilësi vlerësimi, pra është ruajtur realisht nota që maturantët kanë pasur gjatë viteve, gjatë tre viteve të gjimnazit në letërsi ose në matematikë ose në lëndët me zgjedhje, apo ka përsëri hendek që siç ka pasur vitet e tjera, unë bëj shembull kujtoj para dy vitesh rreth 300 maturantë kanë pasur hendek të notës, ose diferencë të notës midis notës së maturës dhe notës vjetore, kanë pasur 5 nota diferencë.

Pra një nxënës i 5-s ka shkruar drejtpërdrejt te 10-ta. Këto lloj tronditjesh të sistemit, të kurbës së vlerësimit këto ndikojnë shumë. Ndikojnë sigurisht për atë që ka kopjuar, për atë që ka marrë tezën dhe ka dalë, por ndikojnë shumë për komunitetin e maturantëve, të cilëve iu prish dhe iu cënon garën, iu cënon konkurrueshmërinë, kur ata do të konkurrojnë për t’u regjistruar në universitete në shtator të këtij viti.

Matura shtetërore teorikisht duhet ta masë, është një instrument për të matur rezultatin e studimeve dhe të mësimeve përgjatë tre viteve të gjimnazit. Por unë besoj se nuk e mat. Vlerësimet e PISA-s të 2022-shit kanë treguar që ne kemi maturantë të dobët, sepse vjet kanë dalë maturantët që janë testuar në 2022-shin.

Tashmë janë testuar në 2025-n të tjerë 15-vjeçarë që janë në gjimnaz. Dhe nuk ka sesi të ketë maturantë që do të masin dijet reale të tyre kur vlerësimet e PISA-s kanë dhënë alarmin për rënie të vlerësimeve aq shumë saqë nuk mund të krahasohet as me vendet që janë të prapambetura në sytë e një Evrope perëndimore.

Në mendimin tim matura do të duhej formatuar në sistemin digjital, të ishte totalisht një tjetër format për të matur realisht dijet e nxënësve dhe të mos bëhej një shfaqje publike dhe një propagandë e radhës e qeverisë se si po zhvillohet me masa ndëshkuese dhe me masa të kontrollit të imët, deri në presion të maturantëve.

Sidomos të maturantëve të Tiranës, për të cilët jam e sigurt që një pjesë e tyre kalojnë gati një shok kontrolli dhe shok psikologjik sepse ata do futen në provim vetëm për shkak të kontrolleve të imëta që u bëhen, ndërkohë që në qytetet e tjera sigurisht ka qenë shumë më e lirë.

Dhe të themi të vërtetën, në përgjithësi testet kanë dalë pikërisht jo në gjimnazet e kryeqytetit ose të paktën jo në gjimnazet kryesore të kryeqytetit. Kanë dalë në zona të tjera, por nëse testi del, del për të gjithë Shqipërinë sepse në kohë për shumë pak minuta ai bëhet publik për të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë mësuesit dhe maturantët që janë aty. Mjafton të dalë një kopje e tezës. Besoj që testimi i maturës shtetërore nuk mat realisht dijet e nxënësve që kanë marrë ndër vite dhe nuk është një matës i kulmit të tyre ose që tregon realisht se çfarë kanë mësuar ata maturantë gjatë këtyre viteve.

About Redaksia

Check Also

Përkeqësimi i ekonomisë/ Biznesi me rritjen më të ulët që nga viti 2012

Ndonëse ekonomia u rrit me 3.89% në vitin 2025, sipas të dhënave paraprake të INSTAT, …