Helmohen sërish nga ushqimi 50 studentë të Akademisë së Sigurisë

Rreth 50 kursantë të Akademisë së Sigurisë dyshohet se janë helmuar sërish nga ushqimi.

Sipas raportimeve, mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00 kursantët kanë pasur simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke.

Disa prej tyre kanë përfunduar në spital për ndihmë mjekësore.

Ky është rasti i dytë i helmimit masiv në Akademinë e Sigurisë brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore. Më 7 maj të këtij viti, 56 studentë u paraqitën me simptoma të ngjashme pas konsumimit të ushqimit të shërbyer në akademi nga kompania “SORI-AL” e çiftit Nikolin Jaka dhe Alma Tafani.

Nikonin Jaka & Alma Tafani

Hetimet e kryera pas rastit të parë zbuluan se një prej mostrave ushqimore, konkretisht makaronat e gatshme, rezultoi e kontaminuar me bakterin Escherichia coli dhe stafilokok koagulazë pozitiv. Analizat e kryera nga laboratori i referencës pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), konstatuan se nga nëntë mostrat e marra për ekzaminim, vetëm njëra rezultoi jashtë standardeve të sigurisë ushqimore.

Pas këtyre rezultateve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) urdhëroi bllokimin e aktivitetit të kompanisë “SORI-AL”, e kontraktuar për furnizimin me ushqim të Akademisë së Sigurisë. Subjekti u gjobit gjithashtu me 1.5 milionë lekë për tregtim ushqimi të pasigurt dhe për shkelje të kushteve higjieno-sanitare.

Kontrollet e AKU-së u shtrinë edhe në Garnizonin “Skënderbej”, ku prodhoheshin ushqimet që shpërndaheshin në Akademinë e Sigurisë. Edhe aty u konstatuan probleme me higjienën, duke sjellë pezullimin e aktivitetit të kompanisë “SORI-AL” në ambientet e garnizonit.

Megjithatë, vetëm pak ditë pas bllokimit, AKU vendosi të zhbllokojë aktivitetin e “SORI-AL”, duke argumentuar se analizat e mëvonshme të marra nga ambientet dhe pajisjet e punës në kuzhinat e Akademisë së Sigurisë dhe Garnizonit të Forcave të Armatosura rezultuan brenda normave të lejuara të higjienës.

Ndërkohë, pas këtij vendimi, Prokuroria e Tiranës kërkoi shpjegime zyrtare nga AKU për procedurat dhe arsyet që çuan në heqjen e masës administrative, pavarësisht faktit se analizat laboratorike kishin konfirmuar praninë e baktereve në ushqimin e konsumuar nga studentët.

Sakaq, në kuadër të hetimeve për helmimin e parë, Policia e Tiranës arrestoi Kujtim Ballgjinin, 52 vjeç, me detyrë kuzhinier, dhe Kristjana Plakën, 23 vjeçe, teknologe ushqimi në kompaninë “SORI-AL”. Nën hetim u vendos edhe teknologia tjetër e ushqimit, R. Ç., ndërsa administratorja e kompanisë, Alma Tafani, u shpall në kërkim.

Kompania “SORI-AL”, në pronësi të Alma Tafanit dhe bashkëshortit të saj, Nikolin Jaka, ka furnizuar me ushqim Akademinë e Sigurisë prej shtatë vitesh. Siç ka raportuar më herët Boldnews.al, subjekti ka përfituar tre kontrata radhazi që nga viti 2019, pa garë dhe pa konkurrencë, ndërsa vlera e tarifës mujore është rritur me rreth 70 për qind gjatë kësaj periudhe.

About Redaksia

Check Also

Provat nxjerrin në dritë një skandal tjetër të rëndë të nivelit më të lartë shtetëror/ Reagimi i gazetares

Gazetarja e njohur Klodiana Lala, teksa ishte e ftuar në News24, u shpreh se botimi …