Nga Eralba Kreshpa-Nënkryetare e PD Vlorë
Znj. Iris Luarasi, ajo që shohim në studiot televizive nuk është thjesht një debat politik. Është ulërima e një realiteti që po na vret përditë. Skandali i Onkologjikut nuk është një rast i izoluar dhe as një incident administrativ. Ai është vetëm maja e një ajsbergu të kalbur që prej vitesh fshihet pas sloganit të madh të “shëndetësisë falas”.
Ndërsa eksponentë të qeverisë dhe mbrojtës të propagandës flasin për “arritje”, “investime” dhe “standarde europiane”, realiteti që përjetojnë qytetarët jashtë Tiranës është krejt tjetër. Ai nuk shihet në konferenca shtypi dhe as në kronikat e kuruara televizive. Ai jeton në korridoret e spitaleve, në ankthin e familjarëve dhe në sytë e pacientëve që presin një shërbim dinjitoz.
Jetë në rrezik dhe spitale në kolaps
Mjafton të dalësh jashtë kryeqytetit për të kuptuar përmasat e krizës.
📍 Në Vlorë, shumë gra që hyjnë në maternitet për të sjellë në jetë fëmijët e tyre përballen me ankth dhe pasiguri. Në vend që materniteti të jetë simbol i jetës dhe shpresës, mungesat e vazhdueshme, vështirësitë në ofrimin e shërbimit dhe menaxhimi i dobët kanë krijuar një klimë mosbesimi te qytetarët.
📍 Në Shkodër, një nënë e re humbi jetën në mënyrë tragjike, ndërsa u raportua se në momentin kritik mungonte edhe një qese gjak. Kush mban përgjegjësi kur një jetë humbet për mungesa kaq elementare?
📍 Në Sarandë, në Fier dhe në shumë spitale rajonale të vendit, qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesën e mjekëve specialistë, mungesën e aparaturave diagnostikuese dhe shpesh edhe të medikamenteve bazë. Flitet për teknologji moderne, ndërsa në realitet pacientët detyrohen të kërkojnë zgjidhje në privat ose të udhëtojnë drejt Tiranës për ekzaminime që duhej t’i merrnin në qytetin e tyre.
Drejtues pa diplomë mjekësie, por me teser partie
Pyetja që sot shtrojnë shumë qytetarë të Vlorës është e thjeshtë: kush e drejton Spitalin Rajonal të Vlorës dhe mbi çfarë kriteresh janë bërë emërimet?
Kur në krye të institucioneve që kanë në dorë jetën e qytetarëve vendosen njerëz pa formim në fushën e mjekësisë apo të shëndetit publik dhe pa përvojën e nevojshme administrative, lind natyrshëm dyshimi se kriteri kryesor nuk është profesionalizmi, por besnikëria politike.
Dhe kur politika zë vendin e meritës, pasojat i paguajnë pacientët.
Rezultati i këtij menaxhimi shihet çdo ditë në Spitalin Rajonal të Vlorës.
Mungesa e mjekëve specialistë, mungesa e aparaturave moderne, pajisje të amortizuara ose jashtë funksionit janë bërë pjesë e realitetit të përditshëm. Për pasojë, shumë qytetarë detyrohen t’i kryejnë analizat, ekzaminimet dhe një pjesë të mirë të shërbimeve shëndetësore në klinika private, duke paguar nga xhepi i tyre atë që shteti duhet t’ua garantojë në sistemin publik. Kjo e bën edhe më të rëndë barrën ekonomike për familjet shqiptare.
Ku shkojnë paratë e shqiptarëve?
Për çfarë suksesesh flitet sot, kur miliarda lekë janë shpenzuar në emër të reformave dhe qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesa elementare?
Për çfarë suksesi flitet, kur koncesionet shumëmilionëshe të sterilizimit dhe check-up-it kanë përfunduar në dyert e SPAK-ut nën akuza për abuzime, ndërsa spitalet rajonale nuk kanë pajisjet më bazike për të garantuar një shërbim normal?
Paratë e taksapaguesve shqiptarë nuk duhet të përfundojnë në xhepat e klientëve të pushtetit, ndërsa pacientët presin në korridore, blejnë vetë ilaçet ose detyrohen të kërkojnë shërbime private sepse sistemi publik nuk u përgjigjet.
Shëndetësia nuk matet me reklama, me video propagandistike dhe as me statistika të zbukuruara. Ajo matet me jetët që shpëton, me cilësinë e shërbimit, me profesionalizmin e personelit dhe me dinjitetin që u garanton qytetarëve.
Sot, fatkeqësisht, sistemi shëndetësor shqiptar është larg propagandës që serviret çdo ditë. Pas fasadës së “arritjeve” fshihet një realitet i dhimbshëm, ku mungesat, politizimi, keqmenaxhimi dhe korrupsioni vazhdojnë të rëndojnë mbi qytetarët.
Shëndetësia nuk është politikë, nuk është spektakël televiziv dhe nuk është statistikë elektorale. Është jeta e njerëzve.
Dhe një shtet që nuk arrin të mbrojë jetën, dinjitetin dhe shëndetin e qytetarëve të tij, nuk mund të fshihet pas asnjë slogani, sado i bukur të tingëllojë.
Gazeta RD