Mjeku Ilir Allkja ka mbajtur një fjalim me tone të ashpra në ditën e 31-të të protestës para Kryeministrisë, ku ka renditur atë që i cilësoi si premtimet e pambajtura të qeverisë së Edi Ramës, duke kërkuar largimin e tij nga pushteti.
Në fjalën e tij, Allkja u ndal fillimisht te patronazhistët dhe akuzoi kryeministrin për gjuhën e përdorur ndaj qytetarëve.
“Përshëndes patronazhistët dhe spiunët që nuk na janë ndarë asnjë ditë. Jemi në këtë shesh edhe për dinjitetin tuaj, sepse në Shqipërinë e lirë do të jetoni me dinjitet dhe jo duke spiunuar njerëzit e punës. Sot Rama e shthuri gjuhën dhe u bë mashkulli më i padenjë që ka qenë ndonjëherë në karrigen e kryeministrit. Unë jam sovrani dhe kam të drejtë t’i kërkoj llogari Edi Ramës“, tha Allkja.
Më tej, mjeku renditi një sërë premtimesh elektorale të qeverisë, duke akuzuar Ramën se ka dështuar në sektorët më të rëndësishëm.
“Premtove shëndetësi falas dhe sot shqiptarët paguajnë 60 për qind të shpenzimeve shëndetësore nga xhepi i tyre. Premtove ujë 24 orë, por shumica e qyteteve ende nuk kanë furnizim të pandërprerë. Çfarë bëre në katër mandate? Blejmë ushqimet më shtrenjtë se të gjithë. Premtove rilindje në arsim, por mjafton të shohësh rezultatet e testit PISA. Premtove mbrojtjen e territorit dhe sot e ke dhënë nga veriu në jug“, deklaroi ai.
Fjalimi i Allkjas u prit me duartrokitje nga protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë, të cilët edhe në ditën e 31-të vijuan thirrjet “Rama ik”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëri e re” dhe “Ju erdhi fundi”.
Gazeta RD