Nga Ndriçim KULLA
Nëse do të kërkohej një fjalë e vetme për të përshkruar Shqipërinë e sotme, ndoshta fjala më e përshtatshme nuk do të ishte as varfëria, as korrupsioni, as emigrimi dhe as kriza e demokracisë, megjithëse secila prej tyre përbën një pjesë të së njëjtës tablo, por një fjalë më e thjeshtë dhe në dukje më pak dramatike: ndërtimi. Kudo ku lëviz syri ndeshet me një kantier, me një rrugë të hapur, me një shpat mali të prerë, me një vinç që rrotullohet mbi një pallat banimi, me një bregdet që humbet pak nga pak vijën e vet natyrore, me një lagje që nuk ngjan më me atë që ishte disa vite më parë dhe me një ndjesi të përgjithshme se vendi ndodhet në një proces të vazhdueshëm transformimi, aq të shpejtë saqë shoqëria nuk arrin më të kuptojë nëse po ndërtohet diçka apo po shkatërrohet gjithçka.
Kjo është ndoshta arsyeja pse peizazhi shqiptar të krijon sot një ndjenjë të çuditshme paqartësie, sepse nuk është e lehtë të dallosh kufirin midis zhvillimit dhe shkatërrimit kur të dy proceset ecin paralelisht dhe kur shpesh paraqiten si e njëjta gjë. Nga njëra anë ngrihen ndërtesa të reja, hapen tunele, zgjerohen rrugë dhe ndërtohen komplekse të tëra banimi, ndërsa nga ana tjetër humbin hapësira publike, zhduken pjesë të peizazhit, pakësohen zonat e gjelbra dhe krijohet një ndjenjë e vazhdueshme ngjeshjeje, sikur vendi po bëhet gjithnjë e më i ngushtë për njerëzit dhe gjithnjë e më i gjerë për betonin.
Disa ditë më parë, duke kaluar përmes tunelit të Llogarasë dhe duke dalë më përballë bregdetit, ishte e pamundur të mos vërehej kontrasti midis natyrës që për shekuj kishte krijuar një ekuilibër të vetin dhe ritmit të ndërhyrjeve që po ndodhin sot. Në hyrje të Palasës nuk të bie më në sy deti, mali apo qetësia që e karakterizonte dikur atë pjesë të bregdetit, por një pyll vinçash, skela ndërtimi, mjete të rënda dhe struktura që ngrihen me një shpejtësi të tillë sa të krijojnë përshtypjen se dikush po përpiqet ta ndryshojë përgjithmonë fizionominë e atij vendi brenda një kohe sa më të shkurtër. Nuk ishte thjesht një pamje ndërtimi, sepse Shqipëria ka nevojë të ndërtojë si çdo vend tjetër, por ishte përmasa e fenomenit ajo që të krijonte ndjesinë e një disproporcioni të madh midis asaj që vendi është dhe asaj që po i kërkohet të bëhet.
Në vende të tjera të botës, qytete si Doha, Dubai apo Hong Kongu janë produkt i ekonomive gjigante, i qarkullimit të kapitaleve ndërkombëtare dhe i historive të gjata të zhvillimit financiar. Shqipëria, ndërkaq, mbetet një vend fare i vogël, me prodhim fare modest, me emigrim masiv, me një industri të dobët dhe me një strukturë ekonomike që vështirë se mund të justifikojë etjen e pafundme për ndërtim që shfaqet në çdo cep të territorit. Pikërisht këtu lind pyetja që shoqëria shqiptare ia bën vetes prej kohësh dhe që nuk ka marrë ende një përgjigje bindëse: nga vijnë të gjitha këto para dhe pse kanë gjetur si strehë pothuajse ekskluzive betonin?
Në këtë pikë diskutimi nuk mbetet më urbanistik, por bëhet politik, ekonomik dhe moral njëkohësisht, sepse kur ritmi i ndërtimit shkëputet nga ritmi normal i zhvillimit të një shoqërie, atëherë lind dyshimi se nuk kemi të bëjmë me një proces natyror. Për vite me radhë në Shqipëri është folur për ekonominë informale, për pastrimin e parave, për ndikimin e krimit të organizuar dhe për depërtimin e kapitaleve të errëta në sektorët më fitimprurës të ekonomisë. Këto nuk janë më thjesht akuza politike që artikulohen gjatë fushatave zgjedhore, por janë bërë pjesë e perceptimit të përditshëm të një shoqërie që përpiqet të kuptojë arsyen e një transformimi kaq të vrullshëm dhe kaq të shkëputur nga realiteti ekonomik dhe social që ajo jeton.
Ajo që e bën situatën më të rëndë nuk është vetëm ndikimi që këto para mund të kenë mbi ekonominë, por ndikimi që ato ushtrojnë mbi vetë konceptin e së bukurës. Në dukje gjithçka paraqitet si përparim. Ndërtesat janë më të larta, fasadat më moderne, rrugët më të gjera dhe projektet më ambicioze. Megjithatë, nën këtë sipërfaqe fillon të krijohet një boshllëk i madh shpirtëror, sepse bukuria e një vendi nuk matet vetëm me atë që ndërtohet, por edhe me atë që ruhet. Një qytet nuk bëhet më i bukur vetëm sepse shtohen kullat; ai bëhet më i bukur kur ruan një ekuilibër mes memories dhe së ardhmes, mes natyrës dhe ndërhyrjes njerëzore, mes nevojës për zhvillim dhe nevojës për të mbrojtur atë që ekziston.
Në lagjen ku jetoj në Tiranë, pranë restorantit Gjeli, përjetimi i këtij transformimi nuk vjen përmes statistikave apo raporteve, por përmes zhurmës së përditshme. Ajo fillon herët në mëngjes, vazhdon gjatë ditës dhe shpesh depërton edhe në orët e vona, pesë hapa nga ballkoni im, kur njeriu kërkon qetësinë minimale të nevojshme për të jetuar. Në vendin ku dikur kishte hapësirë dhe dritë, sot ngrihen struktura gjithnjë e më të larta. Po pse? Kush e kërkoi dhe kush e diskutoi nevojën e tyre?! Ato nuk pyetin për ritmin e jetës së banorëve, për nevojën e tyre për ajër, për qetësi apo për një peizazh njerëzor. Ato ndjekin vetëm logjikën e zgjerimit të vazhdueshëm të një mendjeje që jeton në një vrimë të zezë, sikur vetë lartësia të ishte argument i mjaftueshëm për të justifikuar ekzistencën e tyre.
Kështu krijohet pak nga pak një Shqipëri e re, e cila shpesh duket sikur është projektuar më shumë për kapitalin sesa për qytetarin. Një Shqipëri ku vendimmarrja publike dhe interesi privat bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u dalluar nga njëra-tjetra; ku demokracia matet gjithnjë e më pak me cilësinë e institucioneve dhe gjithnjë e më shumë me aftësinë për të prodhuar imazhe; ku peizazhi shndërrohet në mall dhe ku vetë natyra trajtohet si një rezervë e pashtershme për fitim.
Por, problemi nuk qëndron vetëm te kullat, te resortet apo te projektet gjigante që mbijnë në çdo pjesë të territorit. Problemi qëndron te filozofia që i ushqen ato, te bindja se çdo hapësirë bosh duhet mbushur, se çdo kodër duhet çpyllëzuar, se çdo vijë bregdetare duhet ndërtuar dhe se çdo kufizim përbën pengesë për zhvillimin. Pikërisht kjo filozofi prodhon atë që mund të quhet bukuria që vret, një bukuri që në pamje të parë duket imponuese, por që në thelb mbart plagë të shumta sociale, ekonomike dhe morale, plagë që nuk shihen menjëherë, por që me kalimin e kohës bëhen pjesë e vetë strukturës së shoqërisë.
Dhe tragjedia më e madhe nuk është fakti se po humbasim peizazhe, por fakti se po mësohemi me humbjen e tyre, sepse një shoqëri fillon të ndryshojë në mënyrë të pakthyeshme jo kur shkatërrohet ajo që ka përpara syve, por kur pushon së ndieri dhimbje për shkatërrimin.
Gazeta RD