Zemërimi nuk lind në rrugë. Ai mbërrin në rrugë pasi është prodhuar diku tjetër

Alisa BRAHO
Kur morali fillon te xhami i thyer dhe mbaron para pushtetit.
Për tridhjetë e pesë ditë, Shqipëria pa një nga ato fenomene që politika institucionale nuk i kupton dot. Jo sepse i mungojnë analistët. I mungon imagjinata.
Mijëra qytetarë protestuan pa një parti që t’u diktonte ritmin, pa një lider që t’u shpërndante rolet dhe pa një zyrë shtypi që t’u shkruante sloganet. Familje me fëmijë, studentë, pensionistë, profesionistë, emigrantë që u kthyen vetëm për t’u bërë pjesë e një momenti historik. Ishte një protestë që nuk prodhohej nga organizimi; organizimi prodhohej nga protesta.
Kjo është pikërisht ajo që shumica e pseudo-elitës shqiptare nuk arrin ta konceptojë. Ata janë mësuar me turma të menaxhuara. Me njerëz që dalin në shesh sipas urdhrit të partisë dhe largohen sipas orarit të saj. Çdo manifestim që nuk ka dirigjent i duket kërcënim.
Prandaj edhe reagimi ishte i parashikueshëm.
Mjaftuan disa vezë. Disa xhama të thyer. Disa momente tensioni. Dhe menjëherë nisi liturgjia e zakonshme e moralizimit. Papritur, një pjesë e opinionit publik nuk fliste më për arsyet që nxorën mijëra njerëz në rrugë. Nuk fliste më për krizën politike, për arbitraritetin e pushtetit apo për akumulimin e zemërimit. Objekti i debatit u bë një copë xhami.
Është një mekanizëm i njohur në filozofinë politike. Kur pushteti nuk arrin të delegjitimojë kauzën, përpiqet të delegjitimojë estetikën e revoltës. Nuk i përgjigjet pyetjes “pse protestojnë?”, por pyetjes shumë më komode: “a u sollën mirë?”
Siç do ta kishte vërejtur edhe Gustave Le Bon, turma nuk është një mbledhje individësh që veprojnë me kronometër moral. Është një organizëm kolektiv ku emocionet qarkullojnë, intensifikohen dhe herë pas here shpërthejnë. Kush pret që dhjetëra mijëra njerëz të reagojnë me sterilitetin emocional të një konference akademike, nuk po studion shoqërinë. Po projekton fantazitë e veta mbi të.
Asnjë protestë popullore në histori nuk ka qenë laborator. Asnjë. Nga Parisi te Beogradi, nga Athina te Tbilisi, protestat nuk kanë qenë kurrë koreografi perfekte. Kanë qenë procese politike, jo ushtrime edukate qytetare.
Kjo nuk e bën dëmtimin e pronës një ideal politik. Nuk është. Por ta reduktosh një mobilizim të tërë qytetar në disa episode sporadike është intelektualisht dembel dhe politikisht oportunist. Është refuzim për të parë pyllin, sepse të shqetëson një degë.
Më irritues se vetë incidentet është shpejtësia me të cilën disa nxituan të distancohen. Si gjithmonë, në Shqipëri distancimi është bërë sport kombëtar. Distancohen nga zemërimi, distancohen nga revolta, distancohen nga çdo shprehje që nuk futet brenda kodit të mirësjelljes televizive. Sikur historia e transformimeve politike të jetë shkruar ndonjëherë nga njerëz që kërkonin falje për emocionet e tyre.
Në të vërtetë, ky refleks tregon një shkëputje dramatike nga realiteti. Një shoqëri që për vite me radhë grumbullon padrejtësi, mosbesim dhe ndjesinë se institucionet nuk dëgjojnë më, nuk mund të prodhojë vetëm emocione të pastra dhe të filtruara. Zemërimi nuk lind në rrugë. Ai mbërrin në rrugë pasi është prodhuar diku tjetër.
Dhe ndoshta pyetja e vërtetë nuk është pse u thye një xham.
Pyetja është pse një pjesë e elitës shqetësohet më shumë për një xham sesa për kushtet politike që prodhojnë revoltë.
Sepse xhami zëvendësohet bre

About Krye Redaktor

Check Also

Rama ofendon shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë për protestat/ “Çakenjtë nga Prishtina e Tetova…”

Pas protestës së mbajtur një ditë më parë, kryeministri Edi Rama ka ofenduar publikisht shqiptarët …