Alimehmeti: Qeveria teknike, zgjidhja e vetme për krizën!

Anëtari i Kryesisë së PD, Ilir Alimehmeti, gjatë një interviste në Syri TV, deklaroi se, protestat qytetare e kanë vënë në “siklet të madh” Edi Ramën.

Alimehmeti u shpreh se kryeministri po përpiqet të largojë vëmendjen nga akuzat ndaj tij, ndërsa zgjidhja, mbetet largimi i Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike

“Rama është në momentin e tij më të keq dhe, si çdo bishë e plagosur, tenton të bëjë sa më shumë dëme”, u shpreh Alimehmeti.

Ai theksoi se kryeministri po përdor policinë, ministrat dhe deputetët për të zhvendosur vëmendjen nga “e vërteta e madhe”, ndërsa shtoi se brenda Partisë Socialiste kanë nisur të shfaqen shenja të një “krisjeje të madhe”.

Alimehmeti: Patjetër, protesta i ka vënë në siklet të madh. E tashmë është mbi një muaj që janë në një siklet aq të madh dhe e kuptojnë se ku e kanë vendosur veten e tyre, se vetë i kanë bërë ato abuzime që i kanë bërë, ku e kanë vendosur veten e tyre përkarshi qëndrimit të njerëzve dhe përkarshi reagimit të njerëzve. E kur nuk kanë çfarë të bëjnë, nuk dinë si të sillen më, nuk kanë asgjë ku të mbështeten, sepse të gjitha akuzat janë të vërteta dhe qëndrojnë, atëherë rezultojnë, në fund fare, te dhuna, siç mbështetësit e Partisë Demokratike e njohin fare mirë në të gjitha protestat që kemi bërë ne. Rezultojnë te dhuna dhe rezultojnë duke u kapur pas disa gjërave krejtësisht minimale, sa i rrotullojnë, si e si, si e si të mos flasin vetëm për të vërtetën e madhe që ky është një vend i vjedhur, tashmë prej mbi një dekade, nga Edi Rama, dhe se si ai, me një grusht njerëzish rreth e rrotull tij, janë të vetmit përfitues nga kjo situatë dhe askush tjetër. Pra, askush, asnjë shtresë e njerëzve nuk është përfituese, me përjashtim të disa kriminelëve dhe disa oligarkëve të lidhur ngushtë me Edi Ramën.

Siç na e tregon çdo lloj dokumenti, siç e dimë ne shumë mirë, e siç më në fund është shumë e qartë dhe nuk mbulohet dot edhe nga faktori ndërkombëtar, që tashmë e sheh Edi Ramën të zbuluar. Nga i gjithë ai marketing politik që ka bërë gjithë këtë kohë, me paratë tona patjetër, në drejtim të ndërkombëtarëve, se ne e dinim fare mirë se çfarë ishte dhe çfarë përfaqësonte, por atje ai, përmes këtij lloj marketingu dhe përmes këtyre lloj joshjeve dhe nxitjeve me radhë, ka arritur të krijojë një imazh tjetër nga ai që ka realisht, por që më në fund u zbulua dhe u tregua mbreti lakuriq. Dhe, për të mos mjaftuar e gjithë kjo, shkoi dhe i solli në format libri edhe aktakuzat e tij. Pra, ajo Albanian Files është shumë e qartë, aktakuzë direkte ndaj tij, direkte ndaj njerëzve që e rrethojnë atë, dhe ky është, në fakt, vizioni i tij që ai kishte për Shqipërinë.

Që në fillim të ditës ai ka pasur këtë vizion: të largojë njerëzit nga Shqipëria dhe t’ia sjellë çdo lloj burimi në duart e atyre pesë kriminelëve, pesë oligarkëve, patjetër, dhe me disa njerëz që përfitojnë nga jashtë Shqipërisë, por me asgjë që të vijë mbrapsht ose të ketë kuptim për popullin shqiptar. E tashmë që populli shqiptar kërkon, nga çdo shtresë e shoqërisë, madje edhe nga vetë Partia Socialiste brenda, kërkon largimin e tij, atëherë ai do të përdorë veglat e tij të gjithmonshme. Do të përdorë policinë, ku krerët e policisë, i dimë ne se si i ka emëruar dhe në lidhje me cilët elementë të krimit, siç na e ka treguar edhe dosja e akuzës, shumë qartë se si është lidhja ndërmjet qeverisë dhe krimit. Do të përdorë disa kukulla të vogla që i ka vendosur nëpër ministri e nëpër parlament, si zëdhënës dhe vegla të tij.

E, patjetër, këto janë duke bërë atë detyrën e tyre të vogël, por duke harruar faktin që shërbimin e kanë ndaj njerëzve, nuk e kanë shërbimin ndaj Edi Ramës. Dhe këtë gjë që Partia Socialiste, ose krerët e Partisë Socialiste, në fakt vetë Rilindja, duket se e ka harruar, pjesa tjetër nuk e ka harruar. Përfshihet edhe brenda PS-së, ku ju e patë, kemi një deputete tashmë që nuk bën pjesë në grupin e Partisë Socialiste. Kjo tregon shumë qartë, është vetëm një moment i parë i asaj krisjeje të madhe që ka aty brenda.

E këto sajesa, këto arrestime, këto akuza, këto kërcënime me radhë, që ai ka përdorur e vazhdon t’i përdorë, ai këto do të bëjë, sepse është në momentin e tij më të keq, në momentin e tij të fundit dhe, si çdo bishë e plagosur, ky është momenti kur tenton të bëjë sa më shumë dëme. Megjithatë, e ka të vështirë, si çdo lloj bishe tjetër, t’i largohet fatit të vet. Fatin tashmë e ka të shkruar. Çdo politikan që ka çdo lloj shtrese shoqërore kundër, e ka fatin e tij të mbyllur nga pikëpamja politike.

Këtë e kupton shumë qartë Edi Rama, më shumë sesa ata shërbëtorët e tij nëpër fjalime. E ka shumë të qartë ai dhe unë mendoj që ne do t’i kemi në këto bisedat tona, në vijim, dinamika shumë më të favorshme kundër Edi Ramës, më shumë sesa e kundërta. Por kjo tregon shumë qartë vështirësinë që ai ka. Të gjitha këto gjëra janë për të hequr vëmendjen nga e vërteta. Të vërtetën e ka të qartë ai. Të vërtetën e ka të qartë dhe e di që njerëzit kanë të drejtë. E kupton që njerëzit kanë të drejtë. Atëherë mundohet të mobilizojë ata njerëzit e vet, në mënyrë që të mos i ikë ajo mbështetje.

Ju kujtoj unë, më shumë se kaq, se ky është diskursi që i drejtohet atyre që janë kundër, por ata që janë kundër, kundër janë dhe nuk do të bëhen ndonjëherë pro. Në fillim fare doli në një mbledhje të kryesisë së tij, bashkë me grupin parlamentar, dhe u tha: ‘Nuk kam nevojë fare, ju s’jeni të angazhuar kundër protestës. Jo se kam ndonjë nevojë, se vetëm unë ia dal’. Por e hodhi këtë dhe, në fakt, kush është e vërteta? E vërteta ishte që vetëm ai, Taulant Balla dhe Belinda Balluku ishin shprehur kundër protestës, dhe një skalion, le të themi, i nivelit të fundit fare të politikës së tij. I gjithë skalioni më me eksperiencë i politikës ose nuk ishte shprehur, ose ishte shprehur relativisht në favor të protestës. Sepse kanë të drejtë, është shumë e thjeshtë për t’u kuptuar.

Nga krahu tjetër, pastaj, me kalimin e ditëve, shkoi dhe i aktivizoi fizikisht, aktivisht, këto skalione të veta. Të gjithë pra, ata që tha se nuk i kishte nevojë, filloi tani të nxjerrë ministra. Filloi tashmë të nxjerrë njerëz të Partisë Socialiste. Tashmë janë detyruar të bëjnë disa lloj reagimesh, sepse janë edhe ata nën kërcënimin e tij. Kur fillimisht ata kishin komplet një qëndrim ndryshe, më indiferent ose relativisht pro protestës.

Kjo tregon sërish ndryshimet dhe problemet e mëdha brenda Partisë Socialiste. Ndoshta këto kalojnë pak më të pavëna re nga publiku, por janë realitete, janë realitete brenda saj. Dhe keni parë se si është tashmë i renditur. Po bëj hapësirë rasti. Përveç qëndrimit të tij aq negativ, njësoj si Rama, apo Belinda, apo Taulanti, është për shembull edhe deputeti Ardit Vido. Që nga njëri krah valëvit atë flamurin e asaj dashurisë, e nga krahu tjetër shkonte e sulmonte egërsisht protestuesit.

Dhe këto lloj impenjimesh, këto lloj energjish të shpenzuara nga ana e Edi Ramës, kuptohet, tregojnë sikletin e tij të madh. Tani, në këtë moment, atij nuk i intereson që të ruhet asnjë lloj imazhi i askujt, për sa kohë është duke i rënë imazhi i vet. Atij nuk do t’ia dijë për imazhe kryetarësh grupi parlamentar. Madje, keni parë si drejtues parlamenti e ka kritikuar nga ky drejtim, që nuk mbajti një qëndrim të qartë kundër protestës. Nuk i intereson imazhi i deputetëve, nuk i intereson imazhi i ministrave të vet. I intereson vetëm mbajtja me çdo kusht e qeverisë. Këta i ndërron ai, nuk i ka problem. Të gjithë e dimë që janë pesha të lehta, i ndërron. Atë e intereson vetëm pozicionimi i tij dhe qëndrimi i tij.

Por tashmë, kur populli të ka thënë jo, kjo çështje është e mbyllur. Ne të gjithë e kemi të qartë dhe të gjithë e kemi të qartë që nuk ka zgjidhje tjetër, përveç largimit të Edi Ramës, përveç krijimit të një qeverie teknike që Partia Demokratike e ka kërkuar prej kaq e kaq vitesh si e vetmja zgjidhje për të krijuar terren loje, kushte të barabarta, të arbitruara me rregulla, dhe pastaj zgjidhja jepet vetëm përmes zgjedhjeve politike. Nuk ka një metodë tjetër.

E nga ky drejtim, unë mendoj që nuk ka asnjë lloj diskutimi. Pra, Edi Rama hiqet vetëm duke u larguar nga një forcë, nga një lëvizje e madhe.

About Redaksia

Check Also

“Huffington Post”: Kërkohet largimi i Ramës, protesta po rritet!

Nga Maxime Dhuin, HUFFINGTON POST “Shqipëria nuk është në shitje”. Lëvizja e protestës kundër një projekti …