Në ditën e 39-të të protestës, një i ri nga diaspora i është bashkuar revoltës qytetare kundër qeverisë Rama, me akuza të forta për ligjin 21/2024 dhe politikat që po prekin pronën, natyrën dhe të ardhmen e shqiptarëve.
Një qytetar i ardhur nga emigrimi deklaroi nga sheshi se sistemi aktual e detyroi të largohej nga vendi, pavarësisht formimit të tij si inxhinier fizik. Ai akuzoi qeverinë se po humbet brezin e ri, ndërsa vendimmarrjet për pronat dhe zonat e mbrojtura po krijojnë pasiguri për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit.
Në fjalën e tij, ai e krahasoi ligjin 21/2024 me ligjin 7501, duke e cilësuar si një tjetër goditje ndaj pronësisë dhe interesit kombëtar. Sipas tij, mbrojtja e natyrës dhe pronës së shqiptarëve është një çështje që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e vendit.
Fjala e tij
Përshëndetje shqiptarë!
Dua të them se diaspora është me ju dhe e mbështet protestën tuaj. Këtij sistemi i ka ardhur fundi.
Me ligjin 21/2024, me këtë antishqiptarizëm, po u shiten pronat shqiptarëve dhe po largohen njerëzit nga vendi. Po preken ato prona që i kemi mbrojtur ne dhe që i kanë mbrojtur gjyshërit tanë.
Vijnë pas vitesh, kohë pas kohe, dhe vijnë këta për t’i shitur me letra, duke larguar shqiptarët njësoj siç bëjnë armiqtë tanë. Duke luftuar bijtë e Shqipërisë. Të njëjtën gjë po bëjnë edhe këta: po na largojnë nga vendi ynë.
Unë jam një ndër ta. Kam gjashtë vite që kam ikur në Gjermani. Kam studiuar inxhinieri fizike, por sistemi nuk ma dha mundësinë që të punoja këtu. Më detyroi të punoj në një vend tjetër, si një i huaj, dhe në vendin tim të ndihem po ashtu i huaj.
Prandaj them se këtij sistemi i ka ardhur fundi me këtë ligj 21/2024. Do të jap një shembull: kjo është prova që këtij sistemi do t’i vijë fundi.
Kjo ka filluar që në vitet kur erdhi komunizmi. Ishte vetëm një provë dhe një mënyrë se si popullit shqiptar mund t’i merrej prona. Sepse e provuan armiqtë tanë me luftë dhe nuk e morën dot.
Pastaj bënë ligjin 7501, për të cilin të gjithë jeni koshientë se u bë duke mbivendosur pronat dhe duke i futur njerëzit në konflikt me njëri-tjetrin.
Tani bëhet ligji 21/2024, ku po na marrin pronat dhe ku po ndërtohet në zonat e mbrojtura.
Nuk dua të zgjatem shumë, por në nder të të gjitha fjalimeve që janë mbajtur këtu për kaq ditë dhe në vazhdim, dua të bëj një simbol që përmbledh këtë protestë, që simbolizon të gjitha këto ditë: simbolin e flamingos.
Dua që të gjithë ta bëjmë së bashku këtë simbol, si përmbledhje të të gjitha protestave dhe vazhdimit të kësaj lëvizjeje. Ta shpërndajmë në nder të atyre fjalimeve dhe sakrificave që kemi bërë dhe për lindjen e një Shqipërie të re.
Ky është simboli që sot bota na njeh. Të gjitha mediat po flasin. Të gjithë eurodeputetët po na mbështesin. Ata janë bërë zëri ynë dhe si të mos i mbështesim ne, kur ata po na mbështesin në një vend tjetër?
Ne duhet të vijmë të gjithë këtu në shesh, të bëjmë sakrifica dhe secili prej nesh të përpiqet ta shpëtojë Shqipërinë nga këta armiq, nga këta tradhtarë.
Hallet e Shqipërisë nuk mbarojnë me protesta. Ato janë fillimi i një Shqipërie të re.
Ajo që po ndodh është historike. Prandaj ndjehuni krenarë të gjithë që po merrni pjesë në këtë protestë. Do të jeni krenarë për vazhdimin e jetës suaj dhe do të jenë fëmijët tanë krenarë që u lamë brezave pas një natyrë të paprekur.
Korrupsioni mund të jetë aktual, por natyra trashëgohet brez pas brezi. Dhe kjo është krenaria e Shqipërisë: të trashëgojmë natyrën tonë, që është pasuria e çdo shqiptari që krenohet sot në vendin tonë dhe në botë.
Bota na njeh për natyrën tonë. Nuk kemi nevojë të shpikim gjëra të reja, mjafton të zbatojmë ligjet dhe standardet europiane.
Sipas tij, ligji 21/2024 bie ndesh me kërkesat europiane për mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe duhet të anulohet.
Kjo qeveri na ka premtuar se do të na fusë në Europë, por shqiptarët janë pjesë e Europës edhe para kësaj qeverie. Ky ligj është antieuropian.
Nëse duam anëtarësimin në Bashkimin Europian, mjafton të shfuqizojmë këtë ligj dhe kjo qeveri do të përfundojë dhe do të marrë atë që meriton.
Faleminderit të gjithëve!
Gazeta RD