Mbështetja nga eurodeputetët për protestat kundër qeverisë shqiptare vijon të zgjerohet.
Pas pjesëmarrjes së eurodeputetes italiane, Ilaria Salis në një nga tubimet e mëparshme, edhe eurodeputetja franceze Emma Fourreau ka njoftuar se do të udhëtojë drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar protestuesve të “Revolucionit të Flamingove Rozë”.
Në një postim në rrjetet sociale, Fourreau shprehet se prej më shumë se një muaji qytetarët shqiptarë janë ngritur në protestë kundër projektit të zhvillimit në Zvërnec, të cilin e cilëson “ekocidal”, si dhe kundër, sipas saj, korrupsionit të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Eurodeputetja franceze deklaron se udhëtimi i saj në Shqipëri është një shenjë solidariteti me protestuesit dhe bën thirrje për t’i dhënë fund, sipas saj, grabitjes së tokave dhe pasurive publike.
“Po nisem për në Shqipëri për të mbështetur Revolucionin e Flamingove Rozë! Prej më shumë se një muaji, populli shqiptar është ngritur kundër projektit ekocidal të financuar nga familja Trump dhe kundër korrupsionit të qeverisë socialiste të Edi Ramës. Ndal grabitjes së tokave dhe pasurive, mbështetje për shqiptarët që janë në luftë!”, shkruan Fourreau.
Pjesëmarrja e eurodeputetes franceze vjen pas pranisë së një eurodeputeteje italiane në protestat e zhvilluara në Tiranë, duke shtuar mbështetjen ndërkombëtare për lëvizjen qytetare që prej javësh kërkon ndalimin e projektit në Zvërnec dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gazeta RD