Gonxhja: I dhuruam 4 milionë euro Kanye West se i kishim dhënë fjalën!

Shqipëria po përjeton një periudhë të errët dhe këtë shumëkush e di, por fatkeqësitë që po i ndodhin këtij vendi të bekuar me një qeveri të mallkuar s’kanë të ndalur. Fatkeqësia e fundit është “dhurata” e Edi Ramës dhe Blendi Gonxhes të cilët marrin paratë e taksapaguesve shqiptarë për të mbuluar riskun tregtar të subjekteve private, konkretisht koncertin e Kanye West.

Qeveria Rama vijon të tallet ditë pas dite me këtë popull të vuajtur, por le ta nisim nga fillimi…

Këtë të shtunë 11 korriku, reperi kontrovers Kanye West pritet të mbajë një koncert në periferi të Tiranës. Qeveria e Edi Ramës planifikon të shpenzojë më shumë se 4 milionë euro për këtë ngjarje, ndër të tjera për ndërtimin e një arene të përkohshme.

Pavarësisht presionit të madh politik në vend, autoritetet vazhdojnë ta mbështesin projektin. Sipas Ramës, qeveria e tij e vuri në dispozicion këtë shumë “në minutën e fundit”, për të mos e vënë Shqipërinë në siklet përballë afro 25.000 vizitorëve të huaj ( sigurisht imagjinarë), të cilët kishin blerë tashmë bileta për koncertin.

Pra, e thënë më troç Ramës nuk i plas fare për mijëra shqiptarë që protestojnë prej më shumë se 6 javësh kundër tij dhe i kërkojnë dorëheqjen, por do të krekoset para të huajve se sjell artistë të huaj në Shqipëri dhe e mbush stadiumin plot (duke falur bileta). Paçka se ato fonde mund të përdoreshin për të blerë pajisje për të shuar zjarret që po shkretojnë vendin.

Shteti nuk mund të socializojë humbjet private por Rama për tu dukur bën të kundërtën.

Në fakt, Rama dhe Kanye kanë një të përbashkët , shumë të madhe, të dy janë personazhe të padëshiruar.

Kundër mënyrës se si qeveris Rama si kryeministër i Shqipërisë po protestojnë tashmë dhjetëra mijëra njerëz. Ata e akuzojnë për korrupsion, autoritarizëm dhe se është i nënshtruar ndaj Trump.

Edhe Kanye West nuk pritet më mirë kur shfaqet në publik pasi për shkak të deklaratave të tij të shumta antisemite, ai është bërë i padëshiruar në shumë shtete të cilat i kanë anuluan edhe koncertet.

Gonxhja i dehur nga pushteti

Përveç Ramës, tashmë tallet edhe vartësi i tij, i përkëdheluri Blendi Gonxhja i cili ishte edhe propozues i kësaj ‘çmendurie’.

Kritikat për alokimin e 4 milionë eurove nga qeveria për koncertin e Kanye West në Tiranë, ministri i Turizmit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja i quan një “betejë donkishoteske ndaj një këngëtari me nivel global.”

Gonxhja duket qartë se është dehur nga pushteti që i ka dhënë Rama dhe tashmë i trajton shqiptarët si arkë pa fund për propagandën dhe qejfet e tij.

Indinjatën Gonxhja e lidhi me protestën që mbahet prej më shumë se një muaji para kryeministrisë, për të cilën u shpreh se ka pësuar rrudhje për shkak të interesave.

“Betejë donkishoteske ndaj një këngtari të jashtëzakonshëm, me një prej performancave më të jashtëzakonshme në nivel global. Është artist i quajtur Ye që mesa duket, nuk kurseu, kjo lëvizje që në fillim pati një frymë krejt tjetër që lindi për shkak të një indinjate për shkak të një ngjarjeje në Zvërnec dhe kishte ekspresion krejt tjetër, një lloj kërkese, pritshmërie shumë të lartë të një grupi njerëzish që kanë qenë të një cilësie krejt tjetër. Nga kjo pastaj kaluam në një lëvizje të sforcuar dhe të ndrydhur brenda një grupi interesash, një grupi që pati një rrudhje gjithnjë e më të madhe për shkak të ekstremizmit, gjuhës së dhunës, mungese të madhe besimi ndaj atyre që prinin duke mos lënë askënd të ngjiteshin në foltore, duke bërë votime me duar në ajër në shesh, dokumenti i Kuvendit Kombëtar, një histori komplet delirante. Ne ndajmë atë pjesë të qytetarëve që besojnë, sikundër ka shumë prej tyre që kanë më shumë dhe kanë vendosur të emigrojnë, të rrisin fëmijët në vende më të zhvilluara. Vitet kalojnë dhe njerëzit punët e mira i marrin si të mirëqena, një pjesë e mirë e njerëzve humbin referencën me realitetin. Kemi moskuptim dhe mosndershmëri ndaj vetes se s’mund patjetër të zgjohemi dhe të themi kemi qenë Gjermani e Zvicër dhe kemi rënë në batak dhe do të dalim me një lëvizje si Shqipëria e re”, tha Gonxhja.

Por budalliku i Gonxhes nuk ka fund me mënyrën se si përpiqet të justifikojë paratë e çuara dëm të shqiptarëve. Koncerti i Kanye West ishte projekt i paracaktuar për t’u mbuluar nga vetëfinancimi, shpjegoi Gonxhja, por ndërhyrja prej 4 milionë eurosh nga qeveria ndodhi për shkak të një vështirësie. Më tej, thekson se realizimi i koncertit ishte një detyrim, një fjalë e dhënë që duhej mbajtur.

“Kostot ishin sa më të arsyeshme gjatë gjithë kohës. Është nisur para protestave dhe një detyrim që të mbanim fjalën. Për shkak të vështirësisë dhe kostos që pati një komplikim në organizim e sipër, specifike të veçantë që ka, kushteve të këtij instalimi dhe montimi të këtij stadiumi provizor në Kashar, aspekteve që lidhen me pjesën teknike, të këtij projekti delikat, i brishtë”, tha ministri./ A. L., Boldnews.al

About Redaksia

Check Also

Si Rama e nxori “lolo” ministrin e Financave për koncertin e Kanye West (Video)

Vendimi i qeverisë për të alokuar 4.2 milionë euro nga fondi rezervë për koncertin e …