Tabaku: Ekonomia “rritet” në letrat e qeverisë, por familjet varfërohen dhe pensionet bien

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka reaguar për situatën e pensioneve në Shqipëri, duke theksuar se rritja ekonomike e propaganduar nga qeveria nuk po shkon te qytetarët, por po përqendrohet te një pakicë e privilegjuar

Sipas Tabakut, pensionistët janë prova më e qartë se ekonomia shqiptare nuk po prodhon mirëqenie për shumicën.

Reagimi

Sistemi i dështuar që punon për pakicën!

Qeveria përpiqet çdo ditë t’u mbushë mendjen shqiptarëve se ekonomia po ecën mirë. Por pyetja është e thjeshtë: kush përfiton nga kjo rritje ekonomike?

Qeveria pretendon se nga viti 2021 deri në vitin 2025 ekonomia shqiptare është zgjeruar me mbi 24%. Por sa janë rritur pensionet gjatë këtyre katër viteve? Sa ka ndryshuar jeta e pensionistëve, përtej indeksimeve të vogla që paraqiten si dhurata të qeverisë?

E vërteta është krejt tjetër.

Sot, 27% e popullsisë në moshë pensioni po shtyhet drejt kufirit të varfërisë ekstreme.

Pensioni mesatar i pensionistëve të rinj vitin e kaluar ra në vetëm 16 mijë lekë, rreth 3% më pak se pensioni i atyre që dolën në pension në vitin 2024.

Ndërkohë, rreth 55% e 641 mijë pensionistëve trajtohen me pension të pjesshëm, me një pagesë mesatare prej vetëm 13,500 lekësh në muaj.

Pra, ekonomia mund të rritet në letrat e qeverisë, por pensionet bien, çmimet rriten dhe familjet varfërohen.

Ky nuk është thjesht një sistem i padrejtë. Është një sistem që u merr shumicës për të mbrojtur pakicën.

Një sistem që ka dëmtuar familjen shqiptare, ka zhvlerësuar punën e një jete dhe i ka kthyer pensionistët në qytetarë që luftojnë çdo muaj vetëm për të mbijetuar.

Prandaj kjo shumicë e mbron me çdo kusht këtë sistem: sepse nuk punon për shqiptarët, por për pakicën që përfiton prej tij.

About Redaksia

Check Also

“Albanian Files”, Rama i dhuron Kanye West librin ku ka ndarë Shqipërinë si çiflig personal!

Edi Rama ka pritur në një takim në kryeminsitri, reperin amerikan Kanye West, të cilit …