49 vjet nga pushkatimi i dy poetëve

Nga Rexhep POLISI

49 vjet më parë, më 17 korrikut 1977, u pushkatuan nga regjimi komunist dy poetët, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, pas një gjyqi politik me prova të montuara.

Vilsoni dhe Genci ishin kushërinj dhe lindën të dy në muajin Mars në Bërzeshtë të Librazhdit. Ashtu siç kishin lindur në të njëjtin muaj, ata patën edhe vrasjen tragjike në të njëjtën natë.

Genci dhe Vilsoni u pushkatuan mesnatën e errët të 17 korrikut 1977, rreth 6 km në largësi të Librazhdit, në një humnerë që quhet “Përroi i Firarit”, një toponim i çuditshëm. Pasi u ekzekutuan u hodhën në të njëjtën gropë. Jeta e tyre u pre në mes nga plumbat vetëm pse kishin lindur poetë.

Vilson Blloshmi ndoqi Shkollën e Mesme Pedagogjike në Elbasan dhe pas mbarimit të saj edhe pse me rezultate të shkëlqyera nuk u lejua të vazhdonte shkollën e lartë.

Pas diplomimit në Elbasan punoi si bujk dhe minator. Gjatë kësaj kohe iu përkushtua shkrimit dhe përkthimit, por pa pasur mundësi t’i botojë për shkak të të qenit pjesëtar i një familje “kulakësh”. Vilson Blloshmi fliste frëngjisht në mënyrë të shkëlqyer. Shkruante poezi, por edhe përkthente poetët më në zë francezë. Duke qenë me biografi të “keqe”, Vilson Blloshmi përndiqej nga Sigurimi i Shtetit. U arrestua në vitin 1977 me akuzën “sabotim në ekonomi dhe agjitacion e propagandë”. Ditarët, përkthimet dhe poezitë iu sekuestruan dhe iu nënshtruan hetimit në detaje. Letërsia e tij do të përbente rrezik për regjimin komunist shqiptar.

Genc Leka pasi mbaroi Shkollën Pedagogjike në Elbasan punoi disa vite si mësues, por pasi kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak, nuk u lejua të kthehej në mësimdhënie dhe u dërgua të punonte në bujqësi deri kur ai u arrestua në gusht 1976.

Përndjekja nga Sigurimi i Shtetit

Përndjekja e tyre nga Sigurimi i Shtetit kishte nisur qyshse kishin lindur për shkak të prejardhjes familjare. Vilson Blloshmi rridhte nga një familje patriotike.

Blloshmët ishin fisi më i njohur në të gjithë Shqipërinë për shkak të kontributit në çështjen kombëtare dhe nacionaliste. Shumë emra të familjes Blloshmi kishin mbaruar studimet në SHBA, Austri e Fancë dhe kishin dhënë një kontribut të çmuar për çështjen kombëtare.

Edhe Genc Leka përndiqej dhe survejohej sepse babai i tij, Bardho Leka ishte arratisur. Genci ishte mësues, por për probleme të biografisë e çuan të punojë në ndërtim.

Shërbimi i Sigurimit të Shtetit, i frikshmi Sigurimi, kreu një hetim dhe zbuloi se poezitë që të dy po shkruanin – të cilat u botuan vetëm pas vdekjes së tyre – ishin shumë të trishtueshme dhe për këtë arsye nuk përfaqësonin “realitetin”.

Të dy u akuzuan për “sabotim të ekonomisë” dhe “agjitacion dhe propagandë” kundër regjimit komunist.

Gjyqi politik

Gjyqi ndaj poetëve vazhdoi pesë ditë me dyer të mbyllura në sallën e kinemasë të qytetit Librazhd. Brenda në sallë ishin mbi 20 policë, dy nga këta rrinin tek dera me automatik në dorë, ndërsa nga jashtë dukej turma e njerëzve që prisnin tek dera. Dhe në bulevard kishte shumë njerëz që prisnin se çdo të ndodhte. Seancën e drejtonte jo kryetarja e Gjykatës, por gjykatësi Subi Sulçe me prokuror Qani Lavdarin. Pranë trupit gjykues ishte edhe një civil i ardhur nga Tirana, i cili bisedonte shpesh vesh më vesh me Subi Sulçen. Asnjë nga të afërmit e të akuzuarve nuk ishin lejuar të vinin në sallën e kinemasë ku po zhvillohej gjyqi. Në sallë janë aparatçikët e administratës së rrethit, hetues, nxënës, mësues, ushtarakë, njerëz të zgjedhur nga Bërzeshta, vendlindja e dy poetëve dhe nga gjithë krahinat e tjera të rrethit Librazhd.

Menjëherë pas njoftimit të atyre që do ta drejtojnë këtë gjyq, e marrin fjalën njerëzit e përgatitur nga salla. Lexojnë në letër ato që u janë përgatitur për t’i lexuar në sallën e gjyqit. I pari flet një mësues pensionist nga Bërzeshta. “Shokë gjyqtar, unë i njoh mirë këta pinjollë të familjeve reaksionare. Unë mendoj që ju të mos harxhoni bojë dhe letër kot për këta njerëz. Partia ka bërë gabim që u ka dhënë arsim dhe këta e kanë vendin në litar, në shesh, që t’i shohë edhe populli. Nuk e duam të birin e Bardho Lekës. Nuk duam të na ngjallet edhe një herë mbi kalë të bardhë Bardho Leka”, tha mësuesi pensionist në sallën e gjyqit.

Pastaj foli kryetari i kooperativës së Lunikut, Todi Bardhi, i cili fliste njëlloj si prokurori. Pas tij foli një ushtarak i quajtur Isa Kopaçi, i cili fliste për mbrojtjen e atdheut dhe për sabotimin e bunkerit. Ai thoshte: “Unë kam dyshim se këta kanë qenë në zbor dhe kanë punuar për ndërtimin e bunkerëve dhe kam dyshim se këta i kanë sabotuar”. Më vonë u prezantua një nxënëse, e cila tha se jam e gjimnazit të Librazhdit. Pasi lexoi dy faqe letre, ajo tha se “ne kemi besim se Partia do ta vlerësojë drejt krimin e kryer nga këta dy poetë dhe t’u japë dënimin e merituar”.

Ditën e pestë të gjyqit, më 13 qershor 1977 prokurori Qani Lavdari dha pretencën, Gjykata e Rrethit Librazhd dha vendimin për poetët:

Genc Bardho Leka, vdekje, pushkatim.

Vilson Sami Blloshmi, vdekje pushaktim.

Bedri Sami Blloshmi, vdekje, pushkatim., (për shkak se ishin dy vëllezër me pushkatim u dënua me 25 vjet burg).

Mbasi u dha pretenca, i lidhin dhe i hedhin në gazin e zbuluar të Degës dhe i çojnë nëpër biruca.

Përjetësimi i dy poetëve

Pas ardhjes së Demokaricsë eshtrat e dy martirëve u gjetën dhe u ç’groposën nga vëllai i Vilsonit, Bedri Blloshmi pas kërkimeve të vazhdueshme.

Ditën që u bë zhvarrimi i trupave të dy poetëve, vëllai i Vilsonit, Bedri Blloshmi tregon se, gjeti plumbin midis trupave të tyre. Plumbi kishte filluar të gërryhej, ndërsa trupat e të ndierëve i kishin mbuluar rrënjët e drurëve që kishin mbirë më pas. Siç duket, i mbanin mbuluar nga ndonjë rrezik tjetër si ai i diktaturës, që të zhduknin çdo gjurmë mbas krimit.

Ishte përkushtimi dhe këmbëngulja e paepur e Bedri Blloshmit që bëri të mundur zbulimin e krijimeve poetike që i kishte zënë pluhuri në arkivat e Sigurimit të Shtetit, si dhe botimin e veprave të tyre dhe të disa librave të tjerë të shoqëruar edhe me faksimile dokumentash. Pa kontributin e Bedriut, Vilsoni dhe Genci nuk do të njiheshin kurrë si poetë.

Diktatura komuniste i groposi, por dy poetët shkruan pavdeksinë e tyre me poezitë brilante. Poezia “Saharja” e Vilson Blloshmit dhe “Oxhaku” i Genc Lekës, por edhe mjaft poezi të tjera të tyre, janë poezi me vlera artistike të jashtëzakonshme, por faktkeqësisht këto krijime nuk janë futur në tekstet shkollore.

Gjatë qeverisë demokratike dy poetët u përjetësuan në një memorial në qytetin e Librazhdit, një vepër arti me përmasa botërore punuar nga skulptori i njohur, Sadik Spahija.

 

About Redaksia

Check Also

Bleu 302 milionë USD armatime/ Bloomberg: Pse Rama dështoi të sigurojë Samitin e NATO-s në Shqipëri

Stili i jashtëzakonshëm dhe ekspansiv i Edi Ramës dështoi të siguronte kandidaturën e Shqipërisë për …