Berisha: Narko-diktatori Edi Rama krenohet me narko-euron e tij pasi ka shkatërruar ekonominë shqiptare

Prishila Sterkaj: Zoti Berisha, dje Rama doli dhe u sulmoi ju dhe shqiptarët për termin narkoshtet dhe mori në mbrojtje rënien e euros me 33% duke thënë se është rritur ekonomia. Ndërkohë, dosjet kanë treguar se miliona euro futen me valixhe dhe pastrohen në ndërtim. Ndërkohë ekspertët thonë se paratë e drogës po rrënojnë ekonominë. A duhet opozita të bëjë një kallëzim në SPAK të dedikuar për narko-euron?

Sali Berisha: Të falënderoj për pyetjen. Zonjë apo zonjushë, keni kapur një çështje ndër më themeloret të shoqërisë sot.
Në qoftë se ka një faktor toksik, shkatërrimtar për shoqërinë shqiptare, për ekonominë shqiptare, për ekzistencën e kombit shqiptar, është narko-euro që vjen nga droga e Edi Ramës.
Siç e dini, nga viti 2017 e gjer sot e kemi denoncuar me qindra e qindra herë.
Por dua të them të vërtetën, kjo ka qenë një betejë e vështirë shumë, jo e lehtë. Sepse termi narkoshtet ishte një herezi, nuk përdorej. Sepse termi narko-euro nuk përdorej.
Por do të them një gjë, t’i marrim pak se çfarë shkatërrimi i ka bërë narko-euro Shqipërisë.
Kam qenë në Çeki në vitin 2013 dhe bashkëbiseduesit e mi më thonë ju na i morët këpucët. Unë në fakt nuk e dija, pashë statistikat, Shqipëria ishte vendi i tetë në botë për prodhimin e këpucëve. Çekia kishte kaluar në industri të tjera. Shqipëria zinte një vend të rëndësishëm në eksportin e rrobave, përfshi dhe të modës më të lartë. Dhjetëra mijëra punëtorë ishin të punësuar në këto industri. Industri, të cilat natyrisht funksiononin me një marzh jo të madh fitimi, por kishin një marzh fitimi.
Përmbysja e kursit të euros ua zhduku fitimin dhe i falimentoi njëra pas tjetrës këto industri. Dhjetëra mijëra punëtorë të këtyre industrive, mbi 100 mijë, dolën pa punë dhe u larguan në vende të tjera.
Pra, narko-euro jo vetëm shkatërroi mijëra e mijëra ndërmarrje eksporti, unë mora shembull këpucët dhe veshjet, por në të gjitha aspektet e tjera, i dha goditjen më të rëndë ekonomisë shqiptare.
Një ekonomi që nuk eksporton, është ekonomi që nuk prodhon. Eksporti është treguesi më i fortë, më i rëndësishëm i prodhimit të një vendi. Dhe eksportet ranë në pikiatë.
Edi Rama, për të fshehur këtë rënie dramatike të eksporteve, filloi të llogarisë eksporte të gjitha ngarkesat që shkarkoheshin në Durrës për në Kosovë, dhe nga Durrësi kalonin në Kosovë për llogari të biznesit të Kosovës.
E njëjta gjë me prodhimin bujqësor.
E njëjta gjë me remitancat që vinin nga diaspora.
E njëjta gjë me turizmin.
Shko sot, kapacitetet janë gjysmë ose bosh, sepse atë që turisti e merrte me 100 euro, tani do të paguajë 130 e sa euro. Sigurisht, Edi Rama si narko-diktator nuk mund të mos ishte krenar me narko-euron e tij. Pretendoi dje se është shenjë e ekonomisë së fortë, sharlatan dhe qesharak.
Po të marrim një vend tjetër që nuk është në sistemin e euros, Norvegjinë, e cila ka vetëm fondin e investimeve mbi 1 trilion euro, dhe ka një nga ekonomitë më të fuqishme, cili është raporti i euros me koronën norvegjeze? Ju do gjeni se me gjithë fuqinë e madhe ekonomike të Norvegjisë, korona norvegjeze gjatë 10 viteve të fundit jo që nuk është vlerësuar, por është zhvlerësuar të paktën 10 gjer në 12% të saj, ka patur raste dhe 16%.
Kurse leku shqiptar vlerësohet me 35% si rezultat i vagonave, i kontejnerëve, i mikrobuzave, i nëndetëseve, i autobuzave me narko-euro që hyjnë në Shqipëri.
Pra, në qoftë se ka një gjë shkatërrimtare për qenien tonë, është ajo për të cilën Edi Rama është krenar, narko-euro!

About Redaksia

Check Also

Finalja e Botërorit/ Berisha: Jam me Spanjën, nuk jam me Argjentinën! U zhgënjeva nga Franca dhe Anglia

-Është edhe një pyetje tjetër që kanë shumë kuriozitet: Zoti Berisha, me kë do të …