Deputetja e PD për qarkun e Shkodrës, Greta Bardeli ka reaguar pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Theth, ku ky i fundit prezantoi ‘Paketën e Maleve’.
Në një reagim të ashpër në Instagram, Bardeli ka akuzuar kreun e qeverisë se ka shmangur përballjen me banorët e zonës, duke kujtuar edhe përplasjet e një viti më parë për prishjen e banesave në Theth.
Sipas deputetes demokrate, banorët e Thethit nuk e harrojnë atë që ajo e cilëson si padrejtësi ndaj tyre dhe tokave të tyre. Bardeli ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit, duke thënë se ai ndihet i fortë vetëm kur shoqërohet nga strukturat e sigurisë.
Reagimi
A patë sot kryeministrin që shkon tinzash me helikopter në Theth?
E që urdhëron shkëputjen e sinjalit mobile për orë të tëra, kur ndodhej i izoluar me një grup të përzgjedhurish, njoftuar sot në mëngjes për me i bërë fresk, paketës së lëngimit. Nuk ta falin ata banorë që sot iu shmange e u shkove si tinzar.
E ndërsa ike nga qielli, ta kishin ditë do të kishin ardhë përballë, por në fakt s’do të kishe shkuar ti në takim me ta, sepse nuk do ta mbante, të përballeshe me realitetin e hidhur.
S’ke ç’i bën, je goxha trim me gardën e republikës, se kur ke qenë vetëm, s’ta mbante dot jo.
Të fala pra gardës, policisë së shtetit sa të jesh në atë karrige. Ne kemi bërë dhe bëjmë pa to.
Dhe do të flasim për tokën e të parëve sa të kemi frymë.
Është amanet! Po ku di gjë ti se ç’është amaneti i malësisë!
Gazeta RD