CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Ndryshimet në ligjin e buxhetit, Ndoja: Procedura tërësisht antikushtetuese, por edhe objekt i veprës penale

Një debat i ashpër ka shoqëruar mbledhjen e fundit në komisionin parlamentar të ligjeve, ku thelbi i përplasjes ka qenë ndryshimi i buxhetit të shtetit përmes një akti normativ. Situata është tensionuar kur deputeti Ndoja, ka lëshuar akuza të forta ndaj procedurës së ndjekur, duke e cilësuar atë jo vetëm tërësisht antikushtetuese, por edhe objekt të pastër të veprës penale.

Gjatë fjalës së tij, ai sqaroi se paralajmërimet nuk bëhen për të intimiduar askënd, duke theksuar karrierën e tij 25-vjeçare në përballje me akuza dhe individë të ndryshëm. Tensioni arriti kulmin kur ai sfidoi hapur juristët dhe anëtarët e tjerë të pranishëm, duke deklaruar se asnjë profesionist i ligjit nuk mund ta pranojë një precedent të tillë antikushtetues.

Pas ndërhyrjes së një kolegu i cili u shpreh se komisioni e pranon këtë procedurë, deputeti iu përgjigj prerë dhe pa hezitim: “Ju shkelni, unë nuk e shkel.”

Më tej, debati u zhvendos në një analizë të thellë juridike. Ligjvënësi argumentoi se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, specifikisht nenet 82, 101, 116 dhe veçanërisht neni 160, e bëjnë të qartë se ndryshimet në buxhet gjatë vitit financiar duhet të bëhen ekzaktësisht sipas të njëjtës procedurë që ndiqet për hartimin dhe miratimin e tij nga e para. Ai solli në vëmendje edhe Rregulloren e Kuvendit, e cila kërkon kalendar të veçantë dhe shqyrtime të detajuara në komisione e seanca plenare, duke përjashtuar rreptësisht mundësinë e përdorimit të një akti normativ emergjent për këtë qëllim.

Sipas tij kjo ishte një kambanë alarmi për të gjithë ata ligjvënës që bëhen gati të ngrenë kartonin, duke nënvizuar se kjo procedurë është një shkelje e rëndë që duhet të trajtohet nga drejtësia.

Fjala e deputetit të PD Arjan Ndoja në komisionin e ligjeve

Arjan Ndoja: Tashi, kjo lidhja me veprën penale unë s’intimidoj njeri. Të jeni të sigurt që prej 25 vjetësh, unë kam parë njerëz përballë shumë më afër sesa që jemi ne të dy bashkë, edhe kam komunikuar, i kam akuzuar, dhe kam kërkuar dhe dënimin e tyre. E kam pasur pjesë të funksionit tim. Nuk e bëra për intimidim. Unë e besoj realisht dhe prandaj e bëra pyetjen për të gjithë publikun. Dhe para pak fjalësh unë të thashë,  “unë nuk e di nëse je jurist apo jo”, po të dalë një nga juristët të më thotë që kjo procedurë është e rregullt. Shkaqet, motivacionet që keni për të bërë ndryshimin e buxhetit mund të jenë fare normale për arsye të caktuara, por procedura ligjore, kur e thotë Kushtetuta shprehimisht, ne themi “paskemi bërë praktikë”. Ne e kemi pranuar precedentin antikushtetues, po ne nuk mund ta pranojmë këtë. S’mund ta pranoj as unë dhe asnjë nga ata që janë juristë.

Ulsi Manja: Jo mor e pranojmë ne, si s’e pranojmë? Si s’e pranojmë ne atë.

Arian Ndoja: Ok, rregull. Vazhdoni. Ju shkelni, unë s’e shkel….

…Tashi, faleminderit nderuar koleg, nderuar përfaqësues të ministrisë, dhe të gjithë të pranishëm në sallë. Unë faktikisht kam një pyetje në lidhje me këtë dhe do ta shtjelloj dhe pyetjen sepse kam dhe diskutimin. A është ligjore kjo procedura për ndryshimin e ligjit për buxhetin e shtetit që kemi miratuar në parlament? Kjo është pyetja. Për mua në këndvështrimin tim nuk është ligjore. Për arsye se, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 82 thotë: “Asnjë projektligj qeveritar që bën të nevojshme afrimin ose rritjen e shpenzimeve të buxhetit të shtetit, që pakëson të ardhurat ose shton etj., nuk mund të miratohet pa marrë mendimin e Këshillit të Ministrave.” Nga ana tjetër, neni 101 që i referoheni ju për aktet normative, parashikon në mënyrë të veçantë që në raste nevoje dhe urgjence, Këshilli i Ministrave mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit për marrjen e masave të përkohshme. Këto i dërgohen menjëherë Kuvendit i cili mblidhet brenda 5 ditëve nëse nuk është i mbledhur. Këto akte humbasin fuqinë nëse nuk miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve. Vazhdojmë më tej, kemi nenin 116, kushtetutës, që përcakton hierarkinë e akteve ligjore dhe thotë: Kushtetuta, marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet, aktet normative të Këshillit të Ministrave. Shkojmë pak më tej.

Tek neni 160 i Kushtetutës… Kjo fillon që nga nenet 155 e deri tek neni 160. Po neni 160 ka një gjë shumë specifike që thotë: “Gjatë vitit financiar Kuvendi mund të bëjë ndryshime në buxhet. Ndryshimet në buxhet bëhen sipas procedurës së parashikuar në hartimin dhe miratimin e vetë buxhetit.” Tashi këto janë nenet kushtetuese. Ndërkohë, vazhdojmë me rregulloren e Kuvendit i cili përveç nenit 68 e në vijim për procedurën që ndiqet për hartimin e buxhetit të shtetit, ka disa nene specifike që fillojnë nga neni 78 i rregullores. Kemi thënë që rregullorja e Kuvendit bazuar në nenin 75 të Kushtetutës është akt ligjor i parashikuar kushtetues, dhe thotë: “Paraqitja e projektligjit të buxhetit të shtetit dhe e projektligjeve financiare. Kalendari i veçantë i shqyrtimit. Shqyrtimi në komisione. Shqyrtimi në parim në Komisionin për Ekonominë dhe Financat. Shqyrtimi në seancë plenare.” Nen për nen i buxhetit në tërësi dhe në seancë plenare. Dhe thotë neni 85: “Ndryshimet në buxhetin e shtetit dhe në ligjet financiare bëhen…” Pra rregulla e përcaktuar në këtë kre zbatohet dhe në rastin e ndryshimeve gjatë vitit të ligjit të buxhetit të shtetit ose të ligjeve financiare. Tani unë nuk gjej dot asnjë dispozitë përfshirë as ligjin 9936 që përmendi relatorja, i cili s’ka fare lidhje me hierarkinë e akteve ligjore për mënyrën e bërjes së këtij akti normativ. Po ka dhe disa vendime të Gjykatës Kushtetuese. Unë po i referoj vetëm një që ta keni në konsideratë se ka të bëjë me pyetjen.

Edhe e kam për të gjithë të pranishmit, përfshirë dhe këshilltarët që paguhen nga Kuvendi, edhe përfaqësuesit e Ministrisë. Që ju besoj jeni persona teknikë, nuk e di a jeni juristë a s’jeni vetë personalisht, por këta të tjerët kanë përgjegjësi të gjithë, përfshirë dhe ne që ngremë dorën. Vendimi numër 28, datë 18.06 i vitit 2012, përveç disa të tjerëve që janë një i 2006-ës dhe një i 2010-ës, përcakton në mënyrë eksplicite rastet se kur del akti normativ. Pra, në lidhje me aktin normativ dhe se çfarë parashikon buxheti, ju bëhet prezantimi juaj nga pikëpamja teknike financiare. Nuk jam unë personi kompetent që mund ta bëj këtë gjë. Ka një memo nga këshilltarët tanë, besoj do e relatojnë kolegët e tjerë. Po besoj, komisioni përgjegjës përkatës mund të ngrejë pyetje në lidhje me shifrat financiare, efektet që kanë ato në buxhet e të tjera me radhë. Forma ligjore është parakusht për të shkuar tek përmbajtja. Pra, në qoftë se ndonjëri nga ju që jeni këtu të pranishëm, mundet të më thotë që ku gjendet baza ligjore se si kemi ardhur në këtë pikë këtu, unë jam dakord. Unë jo vetëm që jam kundra procedurës, pra për përmbajtjen e saktë t’ia them fondet specialistët përkatës. Nuk jam në gjendje unë që të jap një mendim të saktë, sepse janë rialokuar fondet në këtë formë ose në atë formë. Nga pikëpamja ligjore është tërësisht e gabuar, është tërësisht antikushtetuese, është objekt i veprës penale. Ju faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Skandali me transportin e parave nga Rama/ Eurodeputeti denoncon, SPAK fle gjumë

“Rama i transporton paratë jashtë me familjarët e tij”, kështu deklaroi Gjatë konferencës për shtyp …