Në protestën e 52-të kundër qeverisë Rama, i riu deklaroi se qëndresa qytetare do të vijojë deri në largimin e kryeministrit, të cilin e akuzoi për dështim në qeverisje, korrupsion dhe thellimin e krizës sociale në vend.
Në fjalën e tij, ai ngriti shqetësimin për shpopullimin e qyteteve dhe zonave rurale, duke akuzuar qeverinë se ka braktisur komunitetet dhe ka detyruar qytetarët të largohen nga vendi.
‘Duhet të rezistojmë, duhet të qëndrojmë derisa ta largojmë këtë qeveri, sepse të vetmit që duhet të largohen janë këta politikanë të korruptuar, është kjo qeveri e korruptuar dhe nuk janë shqiptarët e lirë dhe të ndershëm!’- u shpreh ai
Fjala e tij
52 ditë qëndresë për të bërë të mundur ndryshimin që ky kryeministër dhe kjo qeveri nuk e sollën. Edhe sa ditë do të na duhet të rezistojmë, edhe sa ditë do të na duhet të qëndrojmë? Por jam shumë i sigurt se të gjithë, me një zë, mund të themi se do të jemi këtu deri në ditën kur ky kryeministër të japë dorëheqjen.
Një dorëheqje që do t’i hapte rrugën ndryshimeve epokale që kjo klasë e inkriminuar politike nuk na i solli. Një dorëheqje që do të hapte rrugën e një qeverie tranzitore, e cila për 12 muaj do të bënte të mundura ndryshimet e nevojshme ligjore dhe kushtetuese për të pasur zgjedhje të lira dhe të pavarura.
Këto ndryshime ligjore dhe kushtetuese duhet të ndodhin për ta çliruar këtë sistem, i cili është i ngulfatur nga nepotizmi, krimi dhe korrupsioni.
Dua të përgëzoj sot të gjithë qytetarët që kanë dalë në Prrenjas për të protestuar kundër kësaj klase politike, kundër këtij kryeministri, kundër kësaj qeverie, e cila për vite me radhë ka kontribuar në shpopullimin e asaj zone dhe jo vetëm të Prrenjasit.
Ne jemi dëshmitarë se shumë qytete të Shqipërisë sot, dhe jo vetëm sot, por prej vitesh me radhë, janë përballur me një proces intensiv shpopullimi. Dhe pasi i kanë shpopulluar, marrin guximin t’u thonë edhe atyre pak qytetarëve që kanë mbetur në ato zona që të largohen.
Kështu që rezistenca është detyrim jo vetëm për ne, por për të gjithë shqiptarët, të cilëve kjo qeveri dhe kjo klasë e inkriminuar politike ua ka vënë shkelmin në fyt. Tani qytetarëve të Prrenjasit, por jo vetëm atyre, pasi janë edhe shumë bashki të vogla, po u thonë: largohuni, largohuni!
Kjo është e turpshme, sepse pavarësisht vështirësive me të cilat shqiptarët që jetojnë në ato qytete dhe në ato fshatra përballen çdo ditë, tani duhet të përballen edhe me mungesën e shërbimeve elementare administrative që bashkia ua ka ofruar deri më sot. Tani këto shërbime nuk do t’u ofrohen më, pasi do t’u duhet të bëjnë shumë kilometra për të shkuar në qytetin më të afërt.
Kjo do të sjellë atë që e ka prodhuar ndër vite politika e kësaj qeverie: shpopullim, vetëm shpopullim, derisa të mbetemi më pak se ç’jemi.
Kështu që duhet të rezistojmë, duhet të qëndrojmë derisa ta largojmë këtë qeveri, sepse të vetmit që duhet të largohen janë këta politikanë të korruptuar, është kjo qeveri e korruptuar dhe nuk janë shqiptarët e lirë dhe të ndershëm!
Gazeta RD