Nga Bujar Leskaj
Sikurse e thekson me qartësi gazetari dhe analisti potent i gazetës “Sot”, z. Ilir Dako, në shkrimin e sotëm “Besa e pabesisë, monologu i fundit i Edi Ramës”, “Rama kërkon besë si një i pabesë, premton besë si një tradhtar i përjetshëm. Ai i ka prerë në besë qytetarët që nga dita e parë e pushtetit, duke i poshtëruar me arrogancën e një qeverisjeje kriminale dhe antipopullore”.
Kreu i sektit në pushtet, Edi Rama, në fjalën-monolog përpara grupit parlamentar socialist, paraqiti një strategji me emrin “Besa”, për kthesën që, sipas tij, duhet të marrë qeverisja dhe një aneks për Partinë Socialiste, që kjo parti, e uzurpuar prej tij, ta mbështesë kthesen. Të dyja dokumentet i shoqëroi me togfjalëshin “Besa-besë”.
Në traditën shqiptare, “besa” nuk është thjesht një premtim. Ajo është një zotim moral, një fjalë që duhet mbajtur me çdo kusht dhe që ndërton besimin mes njerëzve. Pikërisht për këtë arsye, kur një kryeministër u kërkon qytetarëve ta besojnë edhe një herë, pyetja e parë që lind është: a e mbështet bilanci i qeverisjes këtë kërkesë?
Pas 14 vitesh në drejtimin e vendit, Edi Rama nuk gjykohet më nga premtimet, por nga rezultatet. Rezultati i parë: boshatisja e vendit! Mbi 1.5 milionë shqiptarë në këto 14 vite kanë votuar “besën” e Ramës duke ikur. Shqipëria po përballet me eksodin masiv të të rinjve, të profesionistëve dhe madje edhe të sipërmarrësve, që kërkojnë më shumë mundësi jashtë vendit. Kur me qindra mijëra qytetarë zgjedhin të ndërtojnë jetën larg Shqipërisë, kjo është prova më e pastër se ata nuk kanë gjetur besimin, tek perspektiva që u është ofruar këtu nga qeverisja. Për boshatisjen e vendit e kërkon besën Edi Rama?!
Rezultati i dytë: korrupsioni i përhapur, si dhe perceptimi për mungesën e barazisë para ligjit. Raportet ndërkombëtare kanë evidentuar në vite sfida që lidhen me transparencën, me dobësimin gati në zerim të pavarësisë dhe integritetit të institucioneve kushtetuese, si dhe me luftën jo-efektive kundër korrupsionit. Për korrupsionin galopant dhe endemik e kërkon besën Edi Rama?!
Rezultati i tretë: farsat zgjedhore në katër zgjedhjet e fundit të përgjithshme, me keqpërdorimin dhe abuzimet kolosale me financat dhe administratën e Shtetit.
Rezultati i katërt: skandalet me tenderat publikë, të fundit me AKSHI-n dhe KAYO-n, korrupsionin “inovativ” të Ramës në ushtri.
Rezultati i pestë: investimet e mëdha infrastrukturore nën akuza të forta për favorizime okulte dhe korrupsion.
Rezultati i gjashtë: politikat fiskale si favorizim ndaj kompanive të mëdha kliente të sektit Rama. Kjo ka sjellë kartelizimin dhe monopolizimin e tregjeve kryesore të vendit, si dhe vrasjen reale të konkurrencës së lirë
Rezultati i shtatë: Menaxhimi skandaloz dhe abuzimi i skajshëm me pronat publike, përmes dy ligjeve famëkeqe Nr. 2020 dhe atij për investitorin strategjik, si dhe shume shoqerive publike e trukeve për të zhvlerësuar dhe shitur pronat publike. Tokat shtetërore, pasuritë bregdetare, ndërtesat publike dhe asetet strategjike janë vënë në ankand nga sekti në pushtet, duke sfiduar transparencën, ligjshmërinë dhe interesin publik.
Rezultati i tetë: Transparenca e munguar buxhetore, qeverisja përmes akteve normative, aventurat me keqpërdorimin e fondit rezerve dhe braktisja e biznesit prodhues dhe atij eksportues të vendit.
Rezultati i nëntë: Metamorfozën e Kuvendit, të shndërruar në noter të rëndomtë dhe dekor të qeverisë.
Rezultati i dhjetë: Urrejta e thellë fiziologjike për opozitën, demonizimi dhe denigrimi i parreshtur i saj.
Këto janë “rezultatet” e tua autokrati Rama. Në një demokraci, besimi nuk është një e drejtë që buron nga posti i kryeministrit. Ai është një mandat që qytetarët e japin dhe e rinovojnë, vetëm kur binden se premtimet janë shndërruar në rezultate pozitive dhe të prekshme për ta. Besimi ndërtohet përmes transparencës dhe llogaridhënies, jo përmes arrogancës dhe denigrimit. Për çfarë ua kërkon besën shqiptarëve, kur ke 14 vjet që je i pabesë ndaj tyre, që i zhgënjen, i bullizon dhe i mashtron?
Gazeta RD