Në ditën e 55-të të revoltës qytetare, i riu u shpreh se shqiptarët kanë rikthyer shpirtin qytetar dhe demokratik, ndërsa akuzoi qeverinë Rama se ka tradhtuar premtimin për të qenë në shërbim të qytetarëve.
Ai deklaroi se kryeministri nuk është bërë “kryeshërbëtori” i shqiptarëve është kthyer në simbol të një pushteti që ka larguar të rinjtë dhe ka goditur familjet shqiptare.
Duke iu drejtuar protestuesve, ai tha se shqiptarëve “u ka ardhur në majë të hundës” dhe se rezistenca e nisur do të sjellë fundin e asaj që e cilësoi si Rilindja politike.
Ai bëri thirrje për bashkimin e qytetarëve pa dallim moshe, shtrese apo bindjeje, për krijimin e një “Shqipërie të re”, duke theksuar se ndryshimi duhet të kthehet në realitet për brezin aktual dhe gjeneratat e ardhshme.
“E duam Shqipërinë!
Në ditën e 55-të të kësaj proteste, të kësaj rezistence, gjithmonë shoh më shumë patriotë, më shumë shqiptarë që mbushni sheshet nga fillimi deri në fund, nga çdo cep i Shqipërisë dhe nga çdo cep i Europës e i botës.
Jam shumë krenar që, pas shumë vitesh, dekadash, tranzicionesh dhe shtypjesh, më në fund shohim shpirtin e vërtetë qytetar, shpirtin e vërtetë demokratik, shpirtin e vërtetë europian.
30 vite më parë, kryeministri ynë i dashur na tha se ai do të ishte kryeshërbëtori ynë. 30 vite më vonë, na kërkon përsëri besën tonë. Ai nuk është bërë kryeshërbëtori ynë, por kryevjedhësi ynë, kryerropatësi ynë.
Ai ka flakur bashkëmoshatarët e mi, ka flakur prindërit tanë, gjyshërit tanë, vëllezërit dhe motrat tona. Dhe kjo rezistencë tregon se Rilindjes i ka ardhur fundi. Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës dhe ne nuk do ta lejojmë më këtë gjë.
Nuk do ta lejojmë më të na shtypë, të na vjedhë dhe të na bëjë dëm.
Dhe, për ta mbyllur, unë sot, ashtu si çdo ditë tjetër, kërkoj nga çdo shqiptar, i çdo moshe, i çdo shtrese, i çdo feje dhe i çdo gjinie, pa dallime, të bashkohet për të krijuar Shqipërinë e re.
T’i japim një mundësi të re asaj Shqipërie të re që e duam. Një shans të ri asaj Shqipërie të re që e duam. Dhe, më në fund, atë fjalë, atë veprim, ta kthejmë në realitet për këtë gjeneratë dhe për gjeneratat e ardhshme.
Ju faleminderit!”, u shpreh ai
Gazeta RD