A ke besë? Po institucione? “Është qeverisja, or budall”!

Nga Lufti DERVISHI
BESA është ndoshta përpjekja konceptuale më serioze që ka dalë ndonjëherë nga një qeveri shqiptare për të reflektuar mbi vetë mënyrën e qeverisjes. Ajo pranon diçka të pazakontë për një qeveri në pushtet prej tre mandatesh: problemi është besimi.Besa, e thotë troç se protesta e flamingove nuk ishte “mosmirënjohje” siç e përshkruan vetë kryebashkiaku i sajuar në anekdotën hyrëse, por shprehje e një shoqërie që ka hyrë në fazë tjetër zhvillimi. Ky pranim, në vetvete, është hap prapa nga arroganca e deklaratave të fundit dhe i lë në hije historitë me agjenturat, algoritmet dhe “armiqtë e radhës”.

Por dokumenti prej 40 faqesh e kupton më mirë simptomën sesa diagnozën dhe harron elefantin në dhomë: BESA flet gjatë për besimin, po pothuajse aspak për shkaqet pse ai është konsumuar. Besimi është si goma fshirëse, zvogëlohet pas çdo gabimi.

Nuk ka pothuajse asnjë reflektim mbi korrupsionin si problem sistemik, përqendrimin e pushtetit, personalizimin e vendimmarrjes, dobësimin e institucioneve përballë ekzekutivit, konfliktet e interesit apo klientelizmin.

Fjala “korrupsion” shfaqet, vetëm një herë, në kontekstin e reformës në drejtësi dhe të së kaluarës, dhe jo si “gangrenë” që duhet luftuar.
Dokumenti i shkruar bukur të bën të besosh se problemi kryesor është administrata, ndërsa ata që janë në bulevard (dhe jo vetëm ata) besojnë se problemi është vetë modeli i qeverisjes.

BESA pranon se instrumentet; konsultimi publik, vlerësimi i ndikimit, planet e performancës, ekzistojnë prej vitesh në ligj; problemi ka qenë vetëm zbatimi formal i tyre. Po nëse është kështu, pse nuk funksionuan deri tani? Mungonte BESA?

BESA ngjan disi me Shqipëriaqeduam.al: problemet zgjidhen duke kapërcyer burokracinë dhe duke ndërhyrë nga lart, jo duke i lënë institucionet të funksionojnë vetë. BESA pretendon se nuk ndërhyn por koordinon, por Shqipëria nuk shkon në Bashkimin Europian me njësi të posaçme pranë Kryeministrit, sado mirë e argumentuar në letër. Shkon me institucione të forta, të pavarura nga cikli politik i çdo qeverie, me procedura që respektohen, jo që u kujtohet respektimi nga një kupolë koordinuese; me kontroll e balancë reale dhe llogaridhënie që prodhon pasojë, jo raport që lexohet e harrohet. Një njësi e re, sado e quajtur “koordinuese” e jo “vendimmarrëse”, rrezikon të shndërrohet në një mekanizëm kontrolli e diktimi.

(Auto)kritika e dokumentit ka një kufi të qartë, si te Hosteni në fund të viteve ’80: kritika shkon deri te drejtori, por jo më lart. Pranohet se administrata nuk ka dëgjuar, nuk ka komunikuar dhe nuk ka vlerësuar si duhet pasojat, por nuk shtrohet pyetja se kush e ndërtoi këtë model dhe kush mban përgjegjësinë politike për të.

Nëse është administrata që solli protestën, kush e ndërtoi këtë administratë? Nëse komunikimi dështoi, kush e projektoi modelin e komunikimit? Nëse vendimmarrja ishte e centralizuar, kush e centralizoi? Një dokument që flet kaq shumë për besimin do të fitonte besueshmëri reale vetëm nëse do të guxonte të fliste për shkaqet jo vetëm për simptomat e tij. Në fund të fundit, administrata nuk përcakton çmimet, nuk rrit pagat, nuk ul koston e jetesës dhe as nuk zëvendëson institucionet që garantojnë llogaridhënie.

BESA e redukton krizën në një problem administrimi duke lënë jashtë tri sfida themelore demokracinë, ekonominë demografinë.

James Carville e dinte këtë kur formuloi sloganin që e ndihmoi Bill Clintonin të fitonte zgjedhjet e vitit 1992: Në Shqipëri mund të thuhej it’s the economy, stupid. Asnjë fjalë për ekonominë! Njerëzit kërkojnë jo vetëm një Shqipëri më të bukur, por një vend normal dhe të jetueshëm.

Besimi nuk prodhohet duke dëgjuar më mirë, po duke kufizuar pushtetin, duke rritur transparencën reale dhe duke ndërtuar institucione që i mbijetojnë ndryshimit të qeverisë. Por dallimi i vërtetë me votuesin amerikan nuk qëndron vetëm te retorika e qeverisë, qëndron te vetë mekanizmi i votës. Një pjesë e mirë e elektoratit, nuk e ndëshkon qeverinë me çmimin e bukës dhe vezëve, me cilësinë e jeteses sepse vota shpesh nuk mat performancën, po identitetin dhe klientelën, punësimin, lidhjen partiake, frikën nga alternativa. Kur vota nuk lidhet me faturat që paguan, qeveria e ka gjithë hapësirën dhe luksin të flasë për “besim” dhe “kapital kombëtar”, e sigurt se llogaria nuk do t’i kërkohet atje ku dhemb vërtet.

Shqipëria po zbrazet me ritmin më të shpejtë në rajon; 27,628 banorë më pak vetëm në 2025, rreth gjysmë milionë banor më pak mes 2011 dhe 2023, mosha mesatare nga 35.5 ka vajtur 44.3 vjeç brenda një dekade. Po, kemi më shumë turistë, por më pak banorë. Shqipëria duket më e bukur, por është më e zbrazët, më e plakur dhe më e shtrenjtë.

Asnjë nga shtatë treguesit e propozuar nga BESA nuk i mat këto.

Dhe pikërisht këtu qëndron boshllëku qendror i të gjithë arkitekturës së dokumentit : shtatë mekanizma matjeje, zero pasojë. “Rishikimi pas veprimit” analizon gabimin, po vetë dokumenti thotë shprehimisht se “nuk kërkon fajtorë”. Nuk ka standard/kriter që sjell dorëheqje, nuk ka pasojë për mos mbajtjen e fjalës, nuk ka pasojë as për përsëritjen e të njëjtit gabim.

BESA mbetet një dokument me ide moderne mbi dëgjesën, evidencën dhe matjen, po që lexohet më shumë si manual për administratën sesa si reflektim mbi modelin politik që prodhoi vetë krizën e besimit.

Vendi ka provuar tashmë sa vlejnë llafet e mira kur gurët mbeten në trastë dhe elefanti, siç ndodh gjithmonë, mbetet në dhomë edhe kur flitet gjatë për çdo gjë tjetër përveç tij.

Besa është fjala e dhënë. Dhe fjala e dhënë matet vetëm në një mënyrë: mbahet ose thyhet. Prandaj pyetja nuk është kush e kërkon Besën, por kush e mban.

About Redaksia

Check Also

Monologo-mania e EdiMARRËS-modeli i politikanit Castro, Chavez, Gaddaf!

Nga Bislim AHMETAJ Disa nga monologët më të famshëm të letërsisë botërore janë bërë proverbiale …