Dyfytyrësh, cinik dhe i falimentuar!

Nga Sali BERISHA

Miq, Edi Rama, në fjalën e tij të gjatë e të stërholluar para bashkëmëkatarëve të partisë dhe qeverisë së krimit, të strukur në luksin e Pallatit Mbretëror — ku ngjisnin, sipas një shprehjeje të Talleyrand-it, si halera në copë mëndafshi — shpalosi dyfytyrësinë e tij, cinizmin ekstrem dhe falimentimin politik ndaj lëvizjes rinore e qytetare më të fuqishme të vendit në 35 vjet.

Nga njëra anë, ai përdori gjuhën e tij vulgare prej ordineri ndaj opozitës, protestës dhe eksponentëve të saj, me nofka e epitete përçmimi e urrejtjeje, duke i quajtur grupe sorrash e korbash, madje edhe terroristë. Sipas tij, ata ishin përgjegjës edhe për keqtrajtimin, nga policia e tij, të një nëne që po kthehej në shtëpi nga klinika ku kishte trajtuar fëmijën e saj me aftësi ndryshe. Në të njëjtën linjë, ai foli përsëri për “agjenturat e huaja” e kështu me radhë.

Por, në këtë fjalim të gjatë, me fytyrën tjetër, ai i bëri lavde protestës, që i paska hapur sytë dhe i paska treguar se ku ishte. U bëri lajka “flamingove”, që kaluan ylberin, pasi më parë i quajti “agjentë iranianë, grekë e rusë”, u ofroi besën e të pabesit dhe tha se ata ia kishin hapur sytë e verbuar nga vjedhja dhe babëzia, atij dhe Rilindjes. Madje edhe më shumë: “flamingot”, për Ramën, qenkan epokalë, varrmihësit e “epokës së mangësive” dhe themeluesit e “epokës së pritshmërive”!

Por prapa këtyre lajkave fshihej cinizmi i tij ekstrem. Ai, në një akt madhor të korruptimit të gjuhës, i përmblodhi me fjalën “mungesa” të këqijat dhe të zezat e mëdha që i ka bërë këtij populli si asnjë regjim apo pushtim tjetër. U rrek t’ua shesë si “mungesa” të gjitha krimet e tij të shëmtuara dhe të qeveritarëve të tij: vjedhjen e miliarda eurove nga buxheti i shtetit, prej tij e qeverisë së tij; plaçkitjen e pasurive publike të shqiptarëve si kurrë më parë; si dhe zëvendësimin e shtetit ligjor me narko-shtetin e parë dhe të vetëm në Evropë.

Si “mungesë”, ai vlerësoi shndërrimin e procesit zgjedhor në farsë zgjedhore, gjenocidin e butë ndaj shqiptarëve, dëbimin e mbi 47% të tyre nga Shqipëria në 10 vitet e fundit, mbrojtjen me votat e krimit të vjedhjeve të Ballukut dhe moslejimin e arrestimit të saj për vjedhjet e qindra milionë eurove që kanë bërë së bashku. Për të justifikuar të gjitha këto e shumë krime të tjera të “epokës së mangësive”, për të cilat po protestojnë prej dy muajsh të rinjtë dhe qytetarët shqiptarë, ai iu referua filozofit francez të shekullit XIX, Tocqueville-it, sipas të cilit, sa më shumë të bëjë një lider për qytetarët e tij, aq më të padurueshëm bëhen qytetarët ndaj tij. Kështu, në cinizëm banal, Rama e paraqet veten si viktimë e një populli mosmirënjohës për “veprat” e tij. Në të vërtetë, njëra më e zezë se tjetra. Prandaj kërkoi t’i mbyllë “mangësitë” me besën e tij se, në “epokën e pritshmërive”, nuk do të vjedhë më!

Me cinizëm ekstrem, Rama, në fjalën e tij, nuk përmendi e nuk citoi asnjë kërkesë të vetme nga lista e kërkesave të “flamingove”, por i shpalli “sgalem” të epokës së shkopit të tij të artë. Kjo është një tallje cinike ekstreme për ata qindra mijëra qytetarë që prej dy muajsh kërkojnë, pa negociata, dorëheqjen e tij.

Edi Rama, dje, nuk guxoi që as vetë, as enturazhi i tij, të mbante qoftë edhe përgjegjësinë më të vogël për të gjitha këto krime ndaj shqiptarëve në protestë dhe kudo që ndodhen. Kjo sepse ai është i falimentuar, dhe ky është një nga rezultatet më të rëndësishme, të drejtpërdrejta, të protestës.

Në fakt, prej një jave kazani i tyre ziente. Rama, në traditën e “kokave të turkut” të babait të tij shpirtëror, kishte vendosur të zëvendësonte të gjithë ministrat e “epokës së mungesave” dhe të inauguronte “epokën e pritshmërive” me rikthimin, në ato poste, të kaskave më mafioze të PS-së: Ballën, Klosin, Xhafën, Ulsiun, Braçen, Çuçin etj., dhe do të shpallte, në takimin e djeshëm, kabinetin e tij të ri. Por ky projekt u shemb një natë para mbledhjes, për shkak të grindjeve dhe kërcënimeve nga kandidatët e pretendentët për ndarjen e tortës, për këtë apo atë post, çka e detyroi të tërhiqej, i plagosur për vdekje, e kuptoi se e kishte të pamundur të luante më me zjarrin.

Kështu që dje, në pallatin e vrasjeve politike, si një qen i rrahur nga protesta, ai nuk guxoi të bënte ndonjë kurban ministër apo zyrtar të lartë.

Sipas tij, për realitetin e krijuar nga vjedhja, plaçkitja e qytetarëve, çmimet stratosferike, varfërimi i tyre i pandalshëm dhe rrënimi i arsimit e shëndetësisë, fajin e ka administrata, e shndërruar prej tij në patronazhistë, dhe jo ai vetë, me makutët dhe lubitë rreth tij, që kanë vendosur në Shqipëri sistemin e kleptokracisë dhe, akoma më shumë, atë të kakistokracisë.

Si përfundim, mund të themi se Edi Rama, kreu i organizatës kriminale të qeverisë, me kthesën e tij, aq banale sa edhe cinike, dëshmon qartë se ai, arkitekti i “epokës së mangësive”, është thjesht skllav i krimeve e veprave të tij të zeza dhe duhet të largohet me çdo kusht!

P.S. Rama kishte porositur për të pranishmit edhe drekë me vera të shtrenjta, mishra gjahu dhe fruta ekzotike për inaugurimin e kabinetit të ri, por e anuloi jo se nuk arriti dot ta formonte kabinetin, por sepse e parandjeu se do të ishte dreka e tij e fundit.

About Redaksia

Check Also

A ke besë? Po institucione? “Është qeverisja, or budall”!

Nga Lufti DERVISHI BESA është ndoshta përpjekja konceptuale më serioze që ka dalë ndonjëherë nga …