Përmes një reagimi publik, Alolli thekson se, në një periudhë me temperatura të larta, banorët vijojnë të mos kenë ujë në banesat e tyre, ndërsa fajëson autoritetet për moszgjidhjen e problemit.
Sipas deputetes, shkak i situatës është mosfunksionimi i rrjetit të ri të ujësjellësit, i inauguruar më pak se një muaj më parë.
Reagimi i deputetes së PD, Ledina Alolli
Shpreh mbështetjen dhe solidarizimin tim të plotë me banorët e fshatit të Zvezdës të cilët janë ngritur në protestë për të disatën herë për një çështje jetike siç është uji i pishëm. Në një kohë kur vendi po përballet me temperatura ekstreme, qytetarët nuk kanë ujë në banesat e tyre.
Shkak i kësaj situate është mosfunksionimi i rrjetit të ri të ujësjellësit, i cili është inauguruar më pak se një muaj më parë! Banorët akuzojnë Bashkinë e Maliqit për cilësinë e dobët të punimeve dhe shpërdorim të fondeve publike, gjë e cila ka sjellë dhe dështimin e këtij projekti akoma pa nisur mirë!
Qeverisja vendore dhe qëndrore duhet të marrin masa të menjëhershme dhe duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë situatë që po vazhdon prej gati një viti. Më 10 gusht të 2025 po këta banorë u ngritën në protestë duke denoncuar implementimin e projektit për furnizimin me ujin e pijshëm.
Sipas tyre në atë kohë punimet kishin 2 javë që kishin nisur, por që në fillim dukej cilësia e dobët e punimeve. Ata paralajmëruan se me vazhdimin në atë mënyrë të projektit problematike e më shumë se 35 viteve do të vazhdonte. Banorët dolën sërish në protestë pas gati 1 muaj nga protesta e pare më 13 shtator të 2025 , ku punimet kanë lënë rrugët e fshatit të çara dhe të pakalueshme.
Pas 1 viti Zvezda, një nga fshatrat më të mëdhenj të Bashkisë Korçë përballet me të njëjtën problematikë, që ka të njëjtin shkaktar: neglizhencën e pushtetit!
Uji i pishëm, energjia elektrike dhe rrugët e amortizuara nuk mund të vazhdojnë të jenë problem prej dekadash! Organet kompetente duhet të ndërhyjnë menjëherë! Do të jem krah banorëve deri në plotësimin e kërkesave të tyre legjitime.
Gazeta RD