Kalaja dorëzon në SPAK prova të reja për baxhanakun e kryeministrit Edi Rama

Avokatja Adriana Kalaja ka dërguar sot në SPAK prova të reja për Armand Frangun, baxhanakun e kryeministrit Edi Rama.

Në një deklaratë për mediat nga prokuroria e Posaçme, Kalaja deklaroi se, nisur nga investigimet e bëra nga emisioni “Plug” në Syri tv kanë dalë prova se Frangu ka lidhje me aferën më të madhe atë të AKSHI-t.

Sipas saj, gjithashtu është vërtetuar me anë të provave lidhja e tij me Ermal Beqirin, me afera të tjera dhe si ka ndërhyrë në tendera.

Deklarata e Adriana Kalasë

Vijmë me një kallëzim penal shtesë që i referohet dosjes së një nga aferave më të mëdha korruptive dhe penale siç është dosja e AKSHI-t dhe ndërkohë nisur dhe nga investigimet e bëra nga emisioni ‘Plug’ pranë televizionit Syri Tv, ne kemi referuar sot të dhëna të mjaftueshme, shoqëruar me prova konkrete për bindje përtej dyshimit të arsyeshëm të shtetasit Armand Frangu, i cili njihet ndryshe si baxhanaku i kryeministrit dhe kunati i bashkëshortes së kryeministrit Linda Rama.

Bindje përtej dyshimit të arsyeshëm që ka ky shtetas me aferën më të madhe, siç e theksova, kriminale dhe antishqiptare të AKSHI-t, ku vërtetohet lidhja jo vetëm me Ermal Beqirin, por lidhja e këtij të fundit edhe me gjithë aferat korruptive që shkojnë deri në shifrën 50 milionë euro.

Se si ka ndërhyrë në tendera të ndryshëm, se si ka ushtruar ndikim të paligjshëm, si ka përfituar interesa të paligjshme, se si ka vepruar edhe për të intimiduar persona të ndryshëm që kanë ankimuar vendimet e tenderave në Komisionin e Prokurimit Publik. Edhe elementë të tjerë të veprave penale që lidhen me pastrimin e produktit të veprave penale, por edhe me përfshirjen në një organizatë kriminale, për të cilën në fakt SPAK-u dhe prokurori Bledar Maksuti për hir të së vërtetës ka kryer një punë të admirueshme dhe për të cilin fakt ne kërkojmë që edhe këto prova të administrohen në lidhje me këtë çështje. Ndërkohë kemi ngritur edhe një shqetësim legjitim që lidhet po me çështjen e AKSHI-t, por që siç është denoncuar qoftë në institucionet ligjzbatuese shqiptare por edhe tek partnerët ndërkombëtarë, që lidhen me dy pengmarrje në institucionin e AKSHI-t.

Pra një vepër penale shumë e rëndë dhe pyetja që ne kemi shtruar dhe që kërkon hetime të thella dhe të bazuara në prova dhe në ligj janë se a ka lidhje Armand Frangu me këto pengmarrje? Dhe nëse jo, a ka pasur dijeni? Dhe a duhej të vepronte konform dispozitave ligjore penale?

Ne i kemi dhënë besimin e mjaftueshëm SPAK-ut, për të trokitur disa herë, është momenti që SPAK-u në fakt duhet të largohet njëherë e përgjithmonë nga urdhrat politikë, duhet të zbatojë vetëm ligjin dhe Kushtetutën, dhe vetëm kështu ne mund të rikthehemi me hapa të sigurt drejt shtetit ligjor, të së drejtës.

Është një lajm i mirë sot që SPAK-u ka shtyrë afatin me tre muaj për të pandehurën Belinda Balluku. Unë shoh dhe disa protestues që kanë ardhur këtu për të protestuar, të cilët në fakt i falënderoj dhe i mbështes totalisht. Patjetër, patjetër, por unë mendoj që SPAK-u mos tentojë që me veprime proceduriale të amnistojë Belinda Ballukun dhe gjithë pjesën tjetër të cilët në fakt duhet të përgjigjen përpara ligjit, por ndryshe unë garantoj që do jenë prokurorët e SPAK-ut që do shkojnë ata në vend të Belindës apo në vend të Edi Ramës përpara ligjit.

About Redaksia

Check Also

Alimehmeti: Institucioni i Parlamentit nuk funksionon se nuk do Edi Rama!

Anëtari i Kryesisë së PD, Ilir Alimehmeti, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka shndërruar …