Marash LOGU
Në terma ligjorë, shtyrja e afatit të hetimeve nënkupton nevojën që ka prokuroria për të kryer hetime shtesë apo në ato raste kur ka vendosur kryerjen e një veprimi hetimor i cili nuk është përfunduar akoma, siç mund të jetë për shembull kryerja e një ekspertimi, marrja nëpërmjet letërporosisë ndërkombëtare e ndonjë informacioni apo ndonjë të dhëne të caktuar. Duke pasur parasysh në fakt që Belinda Balluku po hetohet për një sërë procedurash për prokurim publik, përfshirë tashmë edhe veprat penale të korrupsionit pasiv dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, përgjithësisht janë hetime që kanë një numër të lartë veprimesh hetimore dhe që kërkojnë një kohë të caktuar edhe për t’i hetuar.
Në momentin që Belinda Balluku është e marrë e pandehur, në këtë kuptim është ezauruar pyetja në qoftë se vepra penale mund të parashkruhet apo jo, jam duke folur për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera, sepse sa i përket veprave penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave afatet janë shumë të gjata dhe sigurisht që nuk rrezikohet parashkrimi. Do ishte në fakt me interes, sepse edhe në funksion të transparencës dhe interesit të madh që ka publiku për këtë çështje, do të duhej që SPAK-u të kishte nxjerrë një informacion pak më të detajuar në kuptimin që cilat janë ato veprime hetimore apo cila është nevoja konkrete për zgjatjen e hetimeve, në mënyrë që mos krijohej qoftë edhe në një nivel një lloj paragjykimi që ka një përpjekje për ta zvarritur këtë çështje. Por në qoftë se kjo ka diskutim në qoftë se është shqetësuese apo jo, ajo që është shumë shqetësuese në fakt është fakti i ndryshimit të qëndrimit apo standardit që ka pasur SPAK-u në raport me çështjen e Belinda Ballukut.
Pra SPAK-u në dhjetor të vitit 2025, iu drejtua parlamentit duke i thënë që megjithëse asokohe Belinda Balluku nuk po hetohej dhe nuk ishte akuzuar për korrupsion pasiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale, por vetëm për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera në disa raste të përsëritura, tha që është e nevojshme të vendoset një masë sigurimi për shkak se kishim provën, të cilën ua paraqitën edhe deputetëve, se praktikisht Belinda Balluku dhe bashkëpunëtorët e saj kishin ndërhyrë në hetime me qëllim prishjen e provave, intimidimin e dëshmitarëve e kështu me radhë.
Ne pamë që në mars ndaj Belinda Ballukut u rëndua pozita e saj procedurale duke u ngarkuar apo duke u hetuar edhe për dy vepra penale shumë më të rënda, siç është korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë dhe pastrimi i produkteve penale, e megjithatë nuk ka pasur një kërkesë drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit apo dhënien e një autorizimi me qëllim vendosjen e një mase sigurimi më të rëndë ndaj Belinda Ballukut. Nga ana tjetër, zoti Bardhi në fakt në pyetjet e drejtuara drejtpërdrejt drejtuesit të SPAK-ut, i ka kërkuar të shprehet në qoftë se ka pasur një bisedë, ndërhyrje, apo një komunikim të drejtpërdrejtë të kryeministrit për ta shtyrë në kohë kërkesën për heqjen e imunitetit, të paktën deri në shtator, me qëllim po themi që t’i jepte mundësi Edi Ramës për të zgjidhur çështjet e brendshme brenda mazhorancës dhe Partisë Socialiste, siç mund të ishte ndonjë dorëheqje eventuale e Belinda Ballukut nga mandati i deputetit, edhe për shkak të faktit se Belinda Balluku tashmë ka shumë muaj në fakt që nuk vjen në parlament.
Është ai rregulli që pas gjashtë muajsh… Sigurisht që ajo vazhdon… sigurisht që është e dukshme në fakt që ajo ka marrë një rol, është fuqizuar shumë në Partinë Socialiste. Pra, vazhdon të ushtrojë me kohë të plotë funksionet e saj drejtuese në Partinë Socialiste. Nga ana tjetër dihet që një numër shumë i madh i bashkëpunëtorëve të ngushtë të saj janë sot në poste ministrore, drejtues të institucioneve shumë të rëndësishme, dhe në këtë kuptim, ajo nuk ka pozicionin, pra nuk ka titullin formal, por ka gjithë pushtetin që ka pasur edhe përpara se të largohej nga detyra që e mbante si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Këto standarde të dyfishta, apo ky standard i dyfishtë që SPAK-u ka mbajtur në dhjetor të 2025-ës krahasimisht me qershorin e 2026-ës, mendoj që është shumë shqetësues sa i përket po themi mënyrës sesi po hetohet dhe po trajtohet kjo çështje.
Kini parasysh që ndaj Belinda Ballukut, ku përfshihet sigurisht edhe Edi Rama, ka çështje shumë të rëndësishme, të cilat nuk kanë marrë përgjigje. Pra, nuk ka ndonjë informacion, edhe Partia Demokratike e cila ka qenë kallëzuese në mënyrë të përsëritur e disa prej aferave ku rezulton e përfshirë Belinda Balluku së bashku me Edi Ramën, dhe është shumë me interes edhe për opinionin publik për të ditur se çfarë po bëhet për ato hetime. Për shembull, duket sikur ka një ngecje tërësisht të hetimeve që kanë të bëjnë me sektorin e energjisë. Pra, ajo që ne kemi parë deri më tani është sektori i infrastrukturës, por në fakt sektori i infrastrukturës në qoftë se do hetohet siç duhet sektori i energjisë, do të duket shumë minor në raport me dëmin e madh që i është bërë buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë.
Gazeta RD