Tropojani bjeshkën e ka dashni!

Nga Bislim AHMETAJ
1.
Çdo cep i trojeve shqiptare ka bukuritë e veta të rralla e të papërsëritshme.
Por Tropoja, në mënyrë krejt të veçantë, duket sikur është bekuar me një përqendrim të jashtëzakonshëm mrekullish natyrore.
Katër gryka madhështore, të skalitura prej miliona vitesh nga lumenj me ujë të kristaltë, pyje të virgjëra e bjeshkë hijerënda, krijojnë një peizazh që vështirë se gjen të ngjashëm jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë.
Nganjëherë druaj se natyra ka qenë tepër bujare me këtë trevë, duke mbledhur në një territor prej rreth një mijë kilometrash katrorë bukuri që rrallë bashkëjetojnë në një vend të vetëm.
Të gjitha këto gjenden në Malësinë e Gjakovës, ose, siç njihet administrativisht pas Luftës së Dytë Botërore, në rrethin e Tropojës.
Sapo zbret nga Qafa e Morinës, të shfaqen përballë majat krenare të maleve.
Gryka e parë është ajo e Lumit të Tropojës, që nis te Mullini i Gradit dhe përfundon në bjeshkën e Sulbicës.
E dyta, ndoshta më madhështorja dhe njëherazi më pak e eksploruara, është Gryka e Lumit të Gashit, e shpallur pasuri botërore e UNESCO-s falë ahishtes së saj të paprekur.
Ajo nis përballë fshatit Shoshan, sy më sy me Begajt, dhe përfundon në bjeshkën e Koshoticës së Poshtme, aty ku përroi i Dobërdolit bashkohet me burimet që i japin jetë Lumit të Gashit.
Gryka e tretë është ajo e Valbonës, më e njohura dhe më e vizituara. Ajo nis pranë Kanionit të Shoshanit, që vendasit e quajnë “I Shtrenjti”, dhe përfundon në rrëzë të Jezercës, pranë Ujëvarës së Valbonës.
Ndërsa gryka e katërt është ajo e Lumit të Mërturit. Ajo nis në Mulaj, përshkon Currajt e Poshtëm e Currajt e Epërm dhe përfundon në atë perlë të Alpeve Shqiptare që shumë vizitorë vendas e të huaj e kanë quajtur me të drejtë: “Dora e Zotit”.
2.
Përgjatë brigjeve të këtyre lumenjve, deri në majat më të larta të bjeshkëve, tropojanët kanë ngritur prej shekujsh stanet e verimit, për veten dhe për tufat e bagëtive që kanë ushqyer e mbajtur brez pas brezi.
Por për tropojanin, bjeshka nuk ka qenë kurrë vetëm një mjet mbijetese.
Ajo është pushim, argëtim, shërim, frymëzim dhe mbi të gjitha një lidhje e thellë shpirtërore; gati-gati një dashni platonike.
Këtë dashuri e dëshmojnë dhjetëra këngë popullore të kësaj treve, ku bjeshka është personazhi kryesor. Kush nuk i ka dëgjuar vargjet: “Bjeshkë t’larta me borë n’majë, kush t’pa ty s’të harron ma…”,
“Ku e kalove verën sivjet…”, “Lule bjeshka”, “Oj bjeshkë me borë”,
“Prej nji shpati, o ti lëshova sytë…”, “Kur kalove në Urë të Gashit”,
“O moj zanë n’Maje të Shkëlzenit” apo “Përmbi bjeshkë kam pa nji dritë”?
Janë vetëm një pjesë e vogël e thesarit folklorik që i këndon bjeshkës.
Në bjeshkë kanë lindur dashuri të pamundura, por edhe dashuri që kanë përfunduar në martesë.
Aty janë rritur burra e gra të fortë, janë shëruar plagë të trupit e të shpirtit dhe kanë marrë kuptim shprehje të urta si: “Të bëhet zemra mal” apo “Ta gjen shpirti paqen.”
Për këdo që e ka provuar, qoftë edhe një herë jetën në bjeshkë, ajo mbetet vendi ku mendja qartësohet, zemra lehtësohet dhe trupi rigjen fuqinë e vet.
Kur këto tri përmasa të qenies njerëzore janë në harmoni, shpirti gjen qetësinë e tij më të thellë.
Prandaj nuk është aspak e tepruar të thuhet se për tropojanin bjeshka nuk është thjesht një hapësirë gjeografike.
Ajo është pjesë e identitetit të tij, një mënyrë jetese dhe një gjendje shpirtërore që e shoqëron kudo, edhe kur jeta e ka larguar mijëra kilometra prej saj.
3.
Thuajse çdo fshat e çdo fis i Tropojës i ka bjeshkët e veta, të trashëguara brez pas brezi.
Disa janë blerë, disa janë fituar me këmbime, të tjera janë marrë me pushkë, ashtu siç është fituar e mbrojtur prona ndër shekuj në shumë vise të botës.
Megjithatë, shumica e këtyre pronave nuk kanë një dokument zyrtar pronësie.
Ato mbështeten mbi një ligj shumë më të vjetër se ai i shkruar: kujtesën, traditën dhe pranimin e ndërsjellë të komunitetit.
Kjo është një temë më vete, që meriton trajtim të posaçëm.
Edhe ato pak katunde që nuk kanë pasur bjeshkët e tyre, gjithmonë kanë gjetur mënyrën për të veruar në bjeshkët e fqinjëve, sepse për malësorin vera pa bjeshkë është e paplotë.
Siç e përmenda edhe në fillim, trojet tona janë të begata dhe të bekuara me bukuri natyrore.
Paradoksi është se jo rrallë banorët e tyre, të zhytur në hallet e jetës dhe në ndjekjen e fitimit, nuk arrijnë t’i shijojnë thesaret që u ka falur natyra.
Harxhojnë gjithë jetën duke fituar bukën e gojës, por u mbetet pak kohë për të shijuar vendin ku jetojnë.
Ndoshta kjo është arsyeja pse vazhdon të jetojë shprehja e urtë: “Këpucari ua ndreq këpucët gjithë dynjasë, ndërsa të vetat i tërheq zvarrë të grisura.”
Një dukuri e tillë nuk është vetëm e malëve.
Mjafton të shohësh qytetarët e Durrësit, Lezhës, Vlorës apo Sarandës.
Shpesh, të zënë pas punës dhe fitimit, detin e shohin më tepër nga dritarja e shtëpisë ose në ekranin e televizorit sesa nga bregu i tij.
Shkodranët, në këtë drejtim, bëjnë një përjashtim të këndshëm. Shumica prej tyre e kanë krijuar traditën e pushimeve në Velipojë dhe e jetojnë verën me të njëjtin pasion që tropojanët jetojnë bjeshkën.
Për ta, si për ne, natyra nuk është vetëm peizazh; është pjesë e identitetit dhe e mënyrës së jetesës.
4.
Në vitet e diktaturës, sidomos pas çmendurisë së kolektivizimit të gjësë së gjallë në fillim të viteve ’70, dalja në bjeshkë humbi një pjesë të gëzimit të dikurshëm.
Ajo u shndërrua në mundim, në sakrificë e në lodhje.
Megjithatë, asnjë regjim nuk mundi t’ia zbehte malësorit dashurinë për bjeshkën.
Ajo mbeti pasioni i tij, vendi ku ndihej i lirë dhe ku shpirti merrte frymë pa pengesa.
Vitet e fundit shumë tropojanë kanë ndërtuar në bjeshkë shtëpi të vogla, e disa edhe vila të bukura.
Por, çuditërisht, askush nuk i thërret me emra modernë.
Për të gjithë ato mbeten po njësoj si dikur: “stani i filanit”.
Sepse bjeshka nuk i nënshtrohet modës; ajo ruan gjuhën, zakonet dhe kujtesën e brezave.
Trokuzi, bjeshka e fisit tim, është një nga bjeshkët më të bukura e më të bekuara të Malësisë së Gjakovës.
Një bjeshkë quhet e bekuar kur natyra i ka falur gjithçka: ujë të pashtershëm, kullota të pasura, pyje për dru zjarri e lëndë ndërtimi.
Trokuzi i ka të gjitha me bollëk.
Aty burojnë kroje të akullta, që nuk shterojnë kurrë.
Uji i tyre është aq i ftohtë, sa të vjetrit thoshin se, po të mbushje një gotë qelqi direkt nga burimi të thyhet në dorë nga ndryshimi i menjëhershëm i temperaturës.
Nuk është rastësi që malësorët e përshkruajnë me fjalët: “bash si copa e borës”.
Trokuzi nuk ka një, por disa kroje, secili me emrin dhe historinë e vet: Kroni i Lugit të Vrellës, Kroni i Grave, Kroni i Telës së Vjetër, Kroni i Lugit të Vrritarëve dhe Kroni i Zeqirit.
Përveç tyre, nëpër livadhet e pafundme gjenden burime, ligatina e përrenj të vegjël, ku bagëtitë gjejnë ujë edhe në vapën e gushtit.
Edhe pyjet janë një dhuratë e rrallë e kësaj bjeshke.
Jo larg staneve shtrihet ahishta madhështore e Lumit të Gashit, e shpallur Pasuri Botërore nga UNESCO.
Ajo është një pyll i egër, i dendur dhe plot jetë, që të ngjall njëherësh respekt dhe përulësi përballë fuqisë së natyrës.
Kullotat e Trokuzit janë po aq bujare.
Dikur mbi to kullosnin deri në dhjetë mijë dele, mijëra dhi dhe qindra krerë gjedhësh.
Më vonë, edhe gjatë viteve të kooperativave, ato vazhduan të mbusheshin me tufa të mëdha bagëtish.
Sot pamja ka ndryshuar.
Emigrimi dhe zbrazja e fshatrave kanë bërë që zilet e kopesë të dëgjohen shumë më rrallë. Megjithatë, bjeshka mbetet aty, po aq madhështore sa dje.
Livadhet vazhdojnë të gjelbërojnë, krojet vazhdojnë të rrjedhin dhe majat vazhdojnë të presin njerëzit e tyre.
Është sikur natyra ruan me durim gjithçka, në pritje që bijtë e saj të kthehen një ditë përsëri.
5.
Në fund të fundit, bjeshka nuk është vetëm një copë tokë mes malesh.
Ajo është kujtesë, identitet dhe vazhdimësi.
Aty ruhen gjurmët e të parëve, dëgjohen ende jehonat e këngëve të vjetra dhe fryn era e një lirie që nuk e ka njohur kurrë robërinë.
Për tropojanin, bjeshka nuk matet me hektarë, me kullota apo me pasuri.
Ajo matet me mallin që i zgjon zemrës sa herë largohet prej saj dhe me qetësinë që i fal sapo i shkel pragun.
Mund të jetojë larg, mund të ndërtojë shtëpi në qytete apo në vende të huaja, por në shpirt do të mbetet gjithmonë banor i bjeshkës.
Ndoshta kjo është arsyeja pse, kur vjen vera, rrugët drejt bjeshkëve mbushen sërish me njerëz.
Nuk i thërret vetëm freskia e ajrit, as uji i akullt i krojeve e as hijet e ahishtave.
I thërret diçka më e fortë: zëri i vendlindjes, kujtesa e fëmijërisë dhe një mall që nuk shuhet kurrë.
Ka dashuri që lindin e shuhen me kohën.
Ka edhe të tjera që jetojnë sa vetë njeriu.
Dashuria e tropojanit për bjeshkën është njëra prej tyre.
Ajo nuk plaket, nuk zbehet dhe nuk tjetërsohet.
Kalon nga një brez te tjetri si një amanet i pashkruar, që nuk ka nevojë për vula e dokumente.
Prandaj, në vend të çdo përfundimi tjetër, dua të përsëris vetëm një të vërtetë të thjeshtë, të cilën çdo malësor e ndien pa pasur nevojë ta shpjegojë:
Tropojani, bjeshkën e ka dashni.
Ps. Tekst i publikuar vitin e kaluar, të cilin po e risjell pak të përpunuar për kënaqësinë e atyre që Bjeshkën e kanë dashni.
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Mund të jetë një imazh i mal
Mund të jetë një imazh i kapelë dhe mal

About Redaksia

Check Also

Gazeta spanjolle: Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen, Rama bën veshin e shurdhër dhe sfidon BE-në

Nga Maria Rego, EL CORREO Edi Rama mund të mburret se ka katapultuar ekonominë e …