Nga Bujar Leskaj
Dje (27.07.2026) doli Raporti i Sigurisë për Shqipërinë 2026 (https://www.osac.gov/Content/Report/57be200a-2e4d-4e03-89d1-1cddec5ce4e4 ), i publikuar nga Këshilli Konsultativ i Sigurisë së Jashtme (Overseas Security Advisory Council, OSAC), një strukturë e Departamentit Amerikan të Shtetit, e cila harton vlerësime të sigurisë për qytetarët dhe bizneset amerikane jashtë vendit.
Raporti cilëson se protestat kundër projekteve të planifikuara të resorteve turistike në Sazan dhe Zvërnec nisën si demonstrata me karakter mjedisor, por më pas morën përmasa kombëtare dhe u shndërruan në protesta kundër korrupsionit qeveritar. Raporti e përfshin protestën qytetare në analizën e tij mbi stabilitetin politik dhe sigurinë në Shqipëri, duke e cilësuar si një nga ngjarjet më domethënëse të vitit 2026.
Ai evidenton se kërcënimi kryesor për vizitorët në Shqipëri vazhdon të jetë kriminaliteti. Sipas OSAC, kriminaliteti u rrit me rreth 17% gjatë vitit 2025, me ndikimin më të madh nga krimet e lidhura me trafikun e drogës, mashtrimet dhe veprat penale që përfshijnë armët. Raporti thekson se Shqipëria vazhdon të ketë një prani të konsiderueshme të krimit të organizuar. Dokumenti përshkruan ekzistencën e rrjeteve kriminale të përfshira në trafik droge, pastrim parash, trafikim qeniesh njerëzore, zhvatje, prostitucion dhe korrupsion.
Raporti vlerëson se korrupsioni në administratë, drejtësi dhe prokurime publike, mungesa e transparencës, si edhe ndikimi i interesave të fuqishme politike dhe ekonomike, vazhdojnë të konsiderohen pengesa serioze për forcimin e shtetit të së drejtës.
“Shqipëria ka një kuadër ligjor të fortë për të luftuar korrupsionin dhe për të parandaluar konfliktin e interesit të zyrtarëve publikë dhe politikanëve, përfshirë edhe anëtarët e familjeve të tyre. Megjithatë, investitorët e huaj përmendin korrupsionin, duke përfshirë atë në sistemin gjyqësor, në qeveri, në prokurimet publike dhe në media, mungesën e transparencës dhe konkurrencës, ekonominë e madhe informale dhe zbatimin e dobët të kontratave, si disa nga problemet më të mëdha që pengojnë mjedisin e biznesit në Shqipëri”, theksohet në Raport.
Sipas DASH, një administratë publike e ekspozuar ndaj korrupsionit cenon cilësinë e shërbimeve publike dhe ul besimin e qytetarëve tek institucionet. Kur procedurat administrative nuk perceptohen si të paanshme dhe transparente, rritet perceptimi për trajtim të pabarabartë dhe dobësohet autoriteti i shtetit.
Raporti cilëson se pandëshkueshmëria në Shqipëri mbetet një problem serioz. “Me krijimin e SPAK-ut në vitin 2019, arrestimi dhe ndjekja penale e zyrtarëve që kryejnë abuzime është në rritje. Megjithatë”,-vëren Raporti”, shumë zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe persona me interesa të fuqishme biznesi ende janë në gjendje t’i shmangen ndjekjes penale”.
DASH thekson se çdo shqetësim lidhur me integritetin e sistemit të drejtësisë ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi sigurinë juridike. Investitorët vendas dhe të huaj kërkojnë një sistem gjyqësor të pavarur, efikas dhe të parashikueshëm, ku mosmarrëveshjet të zgjidhen mbi bazën e ligjit, dhe jo të ndikimeve të jashtme.
Një aspekt tjetër që trajton Raporti është ndikimi i interesave të fuqishme politike dhe ekonomike mbi institucionet publike. “Kur krijohet perceptimi se vendimmarrja mund të ndikohet nga grupe interesi, dobësohet konkurrenca e ndershme në ekonomi dhe vihet në diskutim barazia para ligjit”, shprehet Raporti.
Vlerësime si ky i OSAC të Departamentit Amerikan të Shtetit, nuk duhen parë vetëm si një analizë mbi klimën e sigurisë apo të biznesit në Shqipëri, por edhe si një tregues i fortë perceptimit ndërkombëtar mbi praninë alarmante të krimit të organizuar dhe të korrupsionit të përhapur shtetëror në Shqipëri, të nxitura dhe mbrojtura nga keqqeverisja e sektit Rama në pushtet.

Gazeta RD