Klajdi Bodlli, Syri Televizion: Pyetja ime është, ju do ta kallëzoni në SPAK këtë çështje, po sa besim keni tek Prokuroria e Posaçme, duke parë dhe rastin e mëparshëm që përmendi zoti Berisha, dosjes së Xibrakës, ndërkohë që hetimet për atë çështje u bënë nga partnerët gjermanë, kurse Prokuroria e Posaçme kërkoi informacion nga Kosova sepse kishte hyrë dhe kishte dalë makina atje. Pyetja e parë. Dhe pyetja e dytë, ndoshta që SPAK të mos ngatërrojë rrugën e hetimeve në rrugë zyrtare apo dhe informale, a do t’i mundësoni disa dokumente të tjera shtesë në lidhje me shtetasin venezuelas duke qenë se në jo pak raste thonë që është e vështirë për të gjetur dhe për të mbledhur provat për çështje të ndryshme?
Belind Këlliçi: Kam përshtypjen se përgjigjen e dha dhe vetë zoti Berisha, siç ka ndodhur në rastin e Xibrakës, siç ka ndodhur në rastin e inceneratorëve, siç ka ndodhur në rastin e 5D, sterilizimit, check-up-it e të gjithë mega-aferave deri më sot.
Kur flitet për Edi Ramën, SPAK-u bën veshët e shurdhër, sytë nuk i shohin dhe nuk arrin të perceptojë apo të kuptojë dhe shpjegojë qoftë edhe veprat penale më të thjeshta që ne mundemi t’i gjejmë thjeshtësisht online apo në QKB.
Ne do të bëjmë detyrën tonë siç kemi bërë në të gjitha aferat që ka denoncuar sot Partia Demokratike e Shqipërisë. Unë nuk di t’ju them se sa do të mund ta mbrojë edhe këtë radhë Prokuroria e Posaçme Edi Ramën, se po flitet për Edi Ramën.
Por ne si Parti Demokratike, me direktivë të drejtpërdrejtë edhe të kryetarit të partisë, do të depozitojmë jo vetëm këto materiale që unë bëra publike sot, por dhe materiale të tjera që lidhin edhe shtetasit e përfshirë në rastin e Xibrakës, edhe shtetasit e përfshirë në biznesin e call center-ave, dhe që janë lidhje të tërthorta me Olsi Ramën, do t’i depozitojmë të gjitha pranë Prokurorisë së Posaçme.
Pastaj shqiptarët të bëjnë vetë analizën dhe bilancin e punës së SPAK-ut dhe të opozitës. Opozita këtë ka: denoncimin, fjalën dhe aktin. Punën pastaj do të duhet ta vlerësojnë qytetarët shqiptarë.
Gazeta RD