Ilir Meta ka dhënë deklarimet e tij në seancën gjyqësore në GJKKO, ku ka kundërshtuar akuzat ndaj tij dhe ka ngritur pretendime për shkelje procedurale gjatë hetimit.
Kreu i Partisë së Lirisë foli për kontrollin e banesës, sekuestrimin e telefonit të Monika Kryemadhit dhe pretendoi se ndaj tij janë krijuar prova përmes procedurave të parregullta.
Në mbrojtjen e tij, Meta u ndal edhe te çështja e Ardian Shatkut, duke mohuar çdo ndërhyrje apo interes personal, ndërsa ngriti akuza politike për përfshirje të faktorëve të tjerë në procesin hetimor. Pas deklarimeve të tij, seanca u shty për datën 10 shtator.
Ilir Meta deklaroi se ka qenë i pranishëm gjatë kontrollit të banesës dhe se Monika Kryemadhi u kishte sqaruar oficerëve të policisë gjyqësore se telefoni i sekuestruar ishte i tij dhe jo i nënës së saj.
“Kam qenë prezent kur është bërë kontrolli i banesës. Kam qenë prezent kur Kryemadhi i ka thënë OPGJ-së që është telefoni im, jo i mamasë. Këto shkelje të procedurës tregojnë se nuk ka pasur fakte dhe prova ndaj Ilir Metës. Duhej të gjendeshin provat”, u shpreh ai.
Meta pretendoi gjithashtu se arrestimi i tij më 21 tetor 2024 ishte bërë mbi bazën e një dokumenti që ai e cilësoi të falsifikuar.
“Unë jam rrëmbyer më 21 tetor 2024 vetëm në bazë të një letër-porosie të falsifikuar nga Departamenti i Shtetit. Nuk ka pasur lidhje me GSIS”, deklaroi Meta.
Ai përmendi edhe ish-zyrtarin amerikan Charles McGonigal, duke pretenduar se ai është përfshirë në hetimet ndaj tij dhe duke iu referuar vendimeve të drejtësisë amerikane për çështjen e tij. Meta përmendi gjithashtu takime dhe emra të tjerë politikë, duke kërkuar që disa dokumente të administrohen si prova në proces.
Duke folur për çështjen e Ardian Shatkut, Meta mohoi çdo ndërhyrje në favor të tij.
“Është absurde që të ndërhyja për Ardian Shatkun. Nëse do të kisha pasur dijeni apo ndërgjegjësim se çfarë donte të bënte ai, bëhej fjalë për heqjen e një monopoli dhe vendosjen e një shërbimi në interes të të gjithëve. Kjo zgjidhej me ndryshim ligji në Parlament dhe nuk kishte nevojë të merresha me Haxhinaston apo me Ermal Topallin”, tha ai.
Meta shtoi se ka qenë dhe mbetet kundër monopoleve dhe se nuk ka pasur asnjë interes apo dijeni për procedurat që lidhen me këtë çështje.
“Unë kam qenë dhe jam kundër monopoleve. Nuk kam pasur asnjë lloj dijenieje apo interesi për këtë gjë. Gjithçka është bërë për të mbajtur shtypin me gënjeshtra“, deklaroi ai.
Pas përfundimit të deklarimeve të Ilir Metës, seanca gjyqësore në GJKKO u shty për datën 10 shtator.
Gazeta RD