Nga Nikola KEDHI
Është një trevë me histori, identitet, ekonomi dhe nevoja të veçanta. Bashkimi i saj me Vlorën nuk i afron shërbimet me qytetarët, por i largon edhe më shumë. Nuk e fuqizon pushtetin vendor, por e përqendron atë. Nuk zhvillon zonën, por i heq asaj zërin dhe përfaqësimin.
Një reformë e vërtetë territoriale duhet të ndërtohet mbi decentralizimin real, kompetencat dhe financimin e pushtetit vendor, afërsinë e shërbimeve me qytetarin, konsultimin me komunitetet dhe zhvillimin ekonomik të territorit. Jo mbi llogaritë elektorale të qeverisë. Sot qytetari nuk merr shërbim, ndërkohë taksat që ai paguan shpërdorohen e shkojnë në xhepat e pushtetarëve.
Pasi e lanë Selenicën pa investime, pa vende pune dhe e detyruan rininë të largohej, tani shpopullimin që vetë shkaktuan po e përdorin si justifikim për ta zhdukur edhe si bashki.
Selenica nuk ka nevojë të shkrihet. Askush nuk e ka kërkuar këtë. Selenica ka nevojë urgjente të mbështetet, të financohet dhe të zhvillohet.
Selenica nuk ka për t’u fshirë nga harta për të lehtësuar llogaritë politike të Partisë Socialiste. Banorët e qarkut Vlorë do e shprehin në të gjithë mënyrat kundërshtinë dhe revoltën e tyre për këtë sjellje arrogante, përbuzëse, dhunuese, në mënyrë të përsëritur të Kryeministrit ndaj tyre.
Gazeta RD