Tetë në dhjetë të rinj shqiptarë do të zgjidhnin të largoheshin nga vendi nëse do t’u jepej mundësia, ndërsa shumica e qytetarëve besojnë se brezi i ri nuk ka një të ardhme të mirë në Shqipëri.
Këtë e tregon Sondazhi Kombëtar për Shqipërinë i Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), sipas të cilit 85% e të rinjve të moshës 18–35 vjeç do të emigronin për një periudhë të gjatë, kryesisht për të punuar. Nga ta, 46% deklarojnë se do të largoheshin patjetër, ndërsa 39% thonë se me shumë gjasa do ta bënin një hap të tillë. Vetëm 14% shprehen se nuk do të largoheshin.
Prirja për emigrim shoqërohet me një rritje të pesimizmit për të ardhmen e brezit të ri. Sondazhi tregon se 69% e shqiptarëve mendojnë se të rinjtë nuk kanë një perspektivë të mirë në vend, ndërsa vetëm 29% besojnë të kundërtën.
Krahasuar me nëntorin 2024, pesimizmi është rritur me 12 pikë përqindjeje, nga 57% në 69%, ndërsa ndaj dhjetorit 2023 rritja arrin në 16 pikë. Megjithatë, niveli aktual mbetet i ngjashëm me atë të shkurtit 2023, kur 68% e qytetarëve shprehnin të njëjtin vlerësim negativ.
Edhe vetë të rinjtë ndajnë të njëjtin perceptim. Sipas sondazhit, 69% e personave të moshës 18–35 vjeç besojnë se brezi i tyre nuk ka një të ardhme të mirë në Shqipëri, ndërsa vetëm 30% shprehen optimistë.
Arsimi i lartë nuk e frenon dëshirën për emigrim
Të dhënat tregojnë se prirja për t’u larguar nuk është më e lartë te personat me më pak arsim, por përkundrazi te ata me nivel më të lartë arsimor.
Mes të anketuarve me arsim universitar ose pasuniversitar, 72% deklarojnë se do të largoheshin jashtë vendit për një periudhë të gjatë. Prej tyre, 37% thonë se do ta bënin patjetër dhe 35% me shumë gjasa.
Tek personat me arsim të mesëm ose profesional kjo përqindje zbret në 61%, ndërsa mes atyre që nuk e kanë përfunduar arsimin e mesëm arrin në 45%.
Sipas sondazhit, kjo tregon se emigrimi potencial nuk kufizohet vetëm te personat me kualifikim të ulët, por prek edhe shtresën më të arsimuar, duke shtuar rrezikun e vazhdimit të largimit të kapitalit njerëzor.
Dallime të forta vërehen edhe sipas moshës. Pas grupmoshës 18–35 vjeç, 68% e personave 36–55 vjeç deklarojnë se do të largoheshin jashtë vendit, ndërsa te qytetarët mbi 56 vjeç kjo përqindje bie në 28%.
Në aspektin gjeografik, gatishmëria për emigrim është më e lartë në qytetet e tjera të vendit, ku 61% e të anketuarve do të largoheshin, krahasuar me 58% në Tiranë dhe 51% në zonat rurale.
Në total, 56% e shqiptarëve deklarojnë se do të emigronin për një periudhë të gjatë nëse do t’u jepej mundësia, ndërsa 43% thonë se nuk do ta bënin.
Gjendja ekonomike ndikon në perceptimin për të ardhmen
Pesimizmi për të ardhmen e të rinjve është dukshëm më i lartë te familjet me vështirësi ekonomike.
Mes të anketuarve që deklarojnë se e kanë të vështirë të sigurojnë edhe nevojat bazë, 86% mendojnë se brezi i ri nuk ka një të ardhme të mirë në Shqipëri.
Te familjet që arrijnë të mbulojnë vetëm shpenzimet bazë, kjo përqindje është 75%. Ajo bie në 61% mes familjeve që mund të përballojnë edhe disa shpenzime shtesë dhe në 45% te grupi me gjendjen më të mirë ekonomike.
Ky është edhe i vetmi grup ku optimizmi tejkalon pesimizmin: 50% e tyre besojnë se të rinjtë kanë një të ardhme të mirë në Shqipëri.
Ndikim ka edhe niveli i arsimit, megjithëse pesimizmi mbetet dominues në çdo kategori. Rreth 72% e personave pa arsim të mesëm të përfunduar nuk shohin perspektivë për brezin e ri, krahasuar me 69% të atyre me arsim të mesëm ose profesional dhe 63% të personave me arsim universitar.
Gazeta RD