Indrit Maraku, A2CNN: Dëgjuam shpesh sot të flitet për ndërkombëtarët. Nuk e di çfarë prisni prej tyre, nëse mund të ndihmojnë, nëse ka hapësira për dialog në këndvështrimin tuaj. Nëse ka hapësira për të minimizuar dëmet, pra nëse diçka mund të rregullohet në këtë sens me ndihmën e ndërkombëtarëve, a prisni diçka prej tyre?
E dyta, nëse mazhoranca do të vazhdojë në mënyrë të njëanshme me reformën territoriale në draftin e saj, a vihet në pikëpyetje prezenca juaj në komisionin e reformës zgjedhore?
Sali Berisha: Së pari, reforma e përbashkët territoriale dhe reforma e përbashkët zgjedhore janë të përcaktuara në raportin e Komisionit Evropian të tetorit të vitit të kaluar si kushte për progresin e Shqipërisë drejt BE.
Kjo dëshmon rëndësinë e madhe që BE u kushton këtyre dy reformave.
Ndaj dhe ne u angazhuam, natyrisht së pari për qytetarët shqiptarë, por edhe për këtë kërkesë, me seriozitetin më të madh në këtë reformë.
Ky akt i tërheqjes së njëanshme, bojkotit të njëanshëm të qeverisë ndodhi në një kohë vakancash, largimesh, por kam bindje të thellë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të pranojë një tërheqje të tillë.
Kanë investuar realisht kohë, financa, ekspertë për suksesin e kësaj reforme, të cilën Edi Rama në mënyrë të papritur e përmbysi.
Ne do bashkëpunojmë me të gjithë opozitën, por edhe me komunitetin ndërkombëtar për të bërë maksimumin e mundshëm që varianti në interesin më të mirë të qytetarëve të triumfojë në këtë reformë.
Dhe duhet të theksoj edhe njëherë, veçanërisht për median, se në rast se para vitit 2014 kishte 410 njësi të qeverisjes vendore, në total punonjësit në këto njësi ishin rreth 19 mijë.
Me zvogëlimin e tyre shtatë herë pothuaj në 61 njësi, sot ato kanë 41 mijë rrogëtarë.
Pra, jo që nuk u pakësua barra e taksapaguesve, por u dyfishua sepse u punësuan patronazhistët.
Ndaj dhe ne do insistojmë, do bëjmë çfarë kemi në dorë që kjo reformë të jetë një reformë për ripopullimin e Shqipërisë, të jetë një reformë për shërbimet sa më afër qytetarit, të jetë një reformë për mundësinë reale të zhvillimit të Shqipërisë rurale.
Kjo për pyetjen e parë.
Për pyetjen e dytë, ne po vazhdojmë punën me seriozitetin më të madh në reformën zgjedhore.
Ne kemi bindje se Edi Rama nuk pranon asgjë që lëkund apo cenon sadopak pushtetin e tij.
Por qëndrimi ynë është të hartojmë dhe paraqesim para shqiptarëve kodin zgjedhor më të mirë dhe të standardeve ndërkombëtare më të mira.
Gazeta RD