Senati amerikan miratoi në datën 30 korrik rezolutën procedurale, që lejon shqyrtimin dhe votimin në grup të 74 emërimeve të administratës amerikane, përfshirë kandidaturën e Eric Wendt për postin e ambasadorit të SHBA-së në Shqipëri, sipas ‘foreign.senate.gov’.
Rezoluta u miratua me 50 vota pro dhe 47 kundër, sipas linjave partiake, ndërsa tre senatorë abstenuan. Miratimi nuk nënkupton ende konfirmimin e Wendt si ambasador, por i hap rrugën votimit përfundimtar të kandidaturave.
Wendt, i nominuar nga presidenti Donald Trump më 13 prill 2026, paraqiti prioritetet e tij para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë më 20 maj.
Ai theksoi forcimin e bashkëpunimit SHBA-Shqipëri në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen, sigurinë kibernetike dhe rritjen e investimeve amerikane.
Komisioni e miratoi kandidaturën e tij më 4 qershor me 19 vota pro dhe 3 kundër, duke e kaluar për shqyrtim në Senat.
Nëse konfirmohet, Wendt do të bëhet ambasadori i parë amerikan në Tiranë pas largimit të Yuri Kim në qershor 2023, pas një periudhe mbi trevjeçare ku Ambasada e SHBA-së është drejtuar nga të ngarkuar me punë.
Emërimi i një ish-ushtaraku me përvojë në NATO dhe operacione ndërkombëtare shihet si një sinjal për forcimin e mëtejshëm të angazhimit amerikan në Shqipëri, veçanërisht në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes.
Gazeta RD