Tabaku argumentoi se këto kriza janë pasojë e një modeli ekonomik që favorizon një pakicë kompanish dhe individësh të lidhur me qeverinë, ndërsa pjesa dërrmuese e qytetarëve përballet me çmime dhe taksa më të larta, por me paga të ulëta.
Reagimi i Tabakut
Çdo familje shqiptare që shpenzon në supermarkete apo në marketet e lagjes dhe që blen produktet për tryezën familjare, e ka vënë re rritjen e jashtëzakonshme të çmimeve.
Sot, çmimet në Shqipëri janë barazuar me ato europiane. Gjatë dhjetë viteve të fundit, çmimet janë rritur me 22%, ndërkohë që pagat jo. Ato janë rritur vetëm me 3 pikë përqindjeje, aq sa norma e inflacionit në këto dhjetë vite.
Nga të ardhurat e një familjeje shqiptare, 20% shkojnë sot për ushqime. Kemi çmime europiane, ndërkohë që pagat janë shqiptare. Një familjeje me katër anëtarë i duhen 66 mijë lekë për të jetuar një muaj, ndërkohë që paga mesatare është 73 mijë lekë.
Si mundet një familje shqiptare të jetojë dhe të mbijetojë në këtë realitet ekonomik?
Dëgjojmë qeverinë që çdo ditë propagandon rritjen ekonomike dhe faktin se sot është rritur edhe PBB-ja. Por rritja e produktit të brendshëm bruto, fatkeqësisht, ka shkuar te një grup i vogël njerëzish dhe në një industri të vetme, sepse ekonomia shqiptare nuk prodhon më.
Sot, e gjithë rritja është përqendruar vetëm te ndërtimi, me 15 apo maksimumi 20 kompani që marrin tenderë, koncesione dhe leje ndërtimi. Janë ato që përfitojnë dhe e përjetojnë këtë rritje ekonomike, ndërkohë që 95% e qytetarëve shqiptarë nuk e ndiejnë atë as në xhepat dhe as në tryezat e tyre.
Kriza e dytë e ekonomisë shqiptare është emigrimi.
Kjo krizë, e cila sjell konsum dhe investime më të ulëta, vjen edhe si pasojë e faktit që familjet shqiptare po detyrohen t’i çojnë fëmijët e tyre jashtë vendit, për të kërkuar më shumë mundësi dhe sepse këtu nuk gjejnë zgjidhje.
Emigrimi i kushton ekonomisë shqiptare edhe për faktin se të ardhurat që vijnë nga emigracioni janë 30% më të ulëta se disa vite më parë. I kushton edhe sepse këta persona nuk konsumojnë më në Shqipëri. Kjo ndihet te konsumi dhe te përdorimi i sistemit bankar shqiptar, por njëkohësisht edhe te kreditimi i familjeve dhe bizneseve.
Kriza e tretë e ekonomisë shqiptare lidhet, sigurisht, me prodhimin.
Sot, ekonomia shqiptare është një ekonomi që nuk prodhon më. Është një ekonomi që ka shteruar dhe që nuk ka një model apo vizion ekonomik, sepse ne nuk ditëm të ndërtonim një ekonomi të qëndrueshme. Ne ndërtuam një ekonomi llaçi dhe tullash.
Ndërkohë, bujqësia, e cila ishte një nga sektorët kryesorë, nga 20% ka zbritur në 16% të produktit të brendshëm bruto.
Sot, ekonomia shqiptare nuk mbahet më as nga sektori fason, i cili deri dje prodhonte dhe eksportonte. Një sektor me rreth 175 mijë punonjës ka humbur pothuajse 100 mijë punonjës, vetëm si rezultat i zhvlerësimit të euros.
Ky është një model ekonomik që nuk prodhon dhe nuk eksporton, por thjesht riciklon paratë e pista në sektorin e ndërtimit. Është një model ekonomik që nuk i shpërndan të ardhurat te të gjithë. Është një model që ka shteruar, që ka rënduar shtresën e mesme dhe, nga ana tjetër, ka krijuar një sistem dhe një ekonomi të pakicës.
Ky është sistemi kundër të cilit po protestojnë sot njerëzit në rrugë. Ky është sistemi që i ka nxjerrë qytetarët në protestë.
Është një sistem që favorizon ata që ka më afër: u heq taksat, u jep privilegje, koncesione dhe leje ndërtimi. Ai ka fuqizuar një grup të vogël njerëzish, duke orientuar drejt tyre rritjen dhe përfitimet ekonomike.
Ndërkohë, 95% e qytetarëve përjetojnë ekonominë e taksave të rritura, të çmimeve të larta dhe të pagave të ulëta.
Prandaj, sot rritja ekonomike nuk shkon te qytetarët. Rritja ekonomike që ekziston në letër shkon te një pakicë.
Pikërisht për këtë arsye njerëzit janë ngritur dhe kërkojnë më shumë mundësi, meritokraci, hapjen e ekonomisë, konkurrencë dhe më të mirën për fëmijët e tyre.
Këto janë tri krizat e ekonomisë shqiptare. Këto janë tri krizat që i kanë ngritur qytetarët në këmbë. Këto janë tri krizat që kërkojnë ndryshim.
Ky sistem duhet çmontuar. Ky sistem duhet rrëzuar. Ky sistem duhet të bjerë, në mënyrë që të krijohen mundësi ekonomike për të gjithë.
Për sa kohë që ky sistem dhe ky Parlament japin favore me ligje, ngrenë kartonët për të dhënë privilegje të posaçme dhe ndajnë koncesione e partneritete publike me një grup të vogël njerëzish, ekonomia shqiptare do të vazhdojë të mbetet në vend.
E vetmja mënyrë për ta ndryshuar këtë sistem është ndryshimi i qeverisë dhe ndryshimi i atyre që e kanë ngritur atë tullë pas tulle dhe favor pas favori.
Ata kanë krijuar një sistem të pakicës, një sistem privilegjesh, i cili, pa u çmontuar, nuk mund t’i hapë rrugën as Shqipërisë europiane dhe as të rinjve shqiptarë për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu.
Gazeta RD