Nga Bislim AHMETAJ
Mos prisni ditën kur do t’ju thonë se bashkia juaj nuk ekziston më. Atë ditë do të jetë tepër vonë për të protestuar.
Nëse dikush mendon se mund të fshijë 15 bashki nga harta me një vijë të hequr në një zyrë dhe me një vendim të marrë larg njerëzve që jetojnë atje, duhet t’ia bëjmë të qartë se komunitetet nuk janë vija në hartë, qytetarët nuk janë numra në tabela dhe Shqipëria nuk është pronë private e askujt.
Një bashki mund të shkrihet me një firmë.
Por një komunitet nuk shkrihet me firmë.
Mund të ndryshosh kufijtë administrativë.
Por nuk mund të fshish kujtesën, identitetin, historinë dhe dinjitetin e njerëzve që jetojnë aty.
Dhe mbi të gjitha, nuk mund të quash “reformë” çdo vendim që merret pa pyetur ata që do të paguajnë koston e tij.
Prandaj, nëse 15 bashki janë vënë përballë rrezikut të shkrirjes, këshilla ime është e thjeshtë:
MOS U NDANI!
Mos prisni që secili të mbrojë vetëm shtëpinë e vet.
Mos prisni që dikush nga Tirana të vijë t’ju shpëtojë.
Organizohuni vetë. Bashkohuni vetë. Mbrojeni vetë zërin tuaj.
Sepse beteja e Libohovës është edhe beteja e Klosit.
Beteja e Fushë-Arrëzit është edhe beteja e Maliqit.
Beteja e Poliçanit është edhe beteja e Divjakës.
Dhe nëse sot preket njëra, nesër mund të preken të gjitha.
Prandaj përgjigjja duhet të jetë një:
15 BASHKI – NJË ZË!
HAPI I PARË: ALEANCË QYTETARE
15 bashkitë e prekura duhet të krijojnë me urgjencë një ALEANCË QYTETARE TË 15 BASHKIVE.
Jo për të mbrojtur kryetarët.
Jo për të mbrojtur partitë.
Jo për të mbrojtur pushtetarët.
Për të mbrojtur qytetarët.
Një organizëm qytetar, me përfaqësues nga çdo bashki, që të flasë në emër të komuniteteve dhe të kërkojë që çdo ndryshim territorial e administrativ të bëhet vetëm duke dëgjuar njerëzit që preken prej tij.
Dhe mesazhi i parë i kësaj aleance duhet të jetë i prerë:
ASGJË PËR NE, PA NE!
HAPI I DYTË: 15 BASHKI, NJË DITË PROTESTE
Nëse nuk dëgjohet zëri i tyre, atëherë ai zë duhet të dëgjohet njëkohësisht nga jugu në veri, nga lindja në perëndim.
Në të njëjtën ditë.
Në të njëjtën orë.
Me protesta qytetare masive, të koordinuara dhe paqësore në të gjitha akset rrugore që lidhin këto bashki me Tiranën.
Libohova të flasë në aksin Kakavijë–Gjirokastër.
Këlcyra në rrugën drejt Përmetit.
Memaliaj në aksin Tepelenë–Levan.
Selenica të zbresë në Vlorë.
Dimali dhe Poliçani në zonën e aksit Çorovodë–Lushnje.
Divjaka dhe Rrogozhina pranë urës së Shkumbinit.
Belshi në aksin Belsh–Cërrik–Kuçovë.
Cërriku në unazën e Elbasanit në nyjën e rrugëve që të çojnë drejt Cërrikut dhe Gramshit.
Prrenjasi në hyrjen e aksit drejt Qafë Plloçës.
Maliqi në aksin Korçë–Kapshticë.
Klosi në Rrugën e Arbrit.
Fushë-Arrëzi në aksin Pukë–Kukës–Tropojë.
Një ditë. Një orë. Një mesazh.
Jo dhunë.
Jo përplasje.
Por një mosbindje qytetare paqësore që nuk mund të shpërfillet.
HAPI I TRETË: NËSE NUK DËGJOJNË, RRITENI ZËRIN
Pas dy ditësh, një tjetër protestë.
Më e madhe.
Më e organizuar.
Më e vendosur.
Më e gjatë në kohë.
Nëse zëri i 15 bashkive nuk mjafton, le të bëhet zëri i tyre aq i madh sa të dëgjohet në çdo zyrë ku merren vendimet për ta.
HAPI I KATËRT: TIRANA
Dhe nëse edhe atëherë vazhdojnë të mos dëgjojnë, atëherë 15 bashkitë duhet të nisen drejt Tiranës.
Në këmbë.
Me gomarë, mushka e kuaj.
Me biçikleta e motorë.
Me vetura, kamionë e traktorë.
Me çdo mjet që kanë.
Por mbi të gjitha:
ME DINJITET.
Të bashkohen me qytetarët që prej më shumë se dy muajsh janë në rrugë.
Të bashkohen me ata që nuk kanë dalë për një interes të ngushtë personal, por për një Shqipëri ku qytetari nuk është thjesht një votë që kërkohet një herë në katër vjet dhe harrohet të nesërmen.
Për dinjitet.
Për drejtësi.
Për barazi.
Për shtet ligjor.
Për të mos mbetur si “çifuti në shkretëtirë” pa atdhe, pa Shqipërinë tonë, që amanet na e lanë brezat.
Për një Shqipëri ku komunitetet nuk trajtohen si numra që zhvendosen në një hartë sipas interesit të ditës.
Sepse kjo nuk është vetëm çështja e 15 bashkive.
Është një pyetje që i drejtohet çdo shqiptari:
A do të vazhdojmë të shohim se si vendoset për ne pa ne?
Sot është Libohova.
Nesër mund të jetë Klosi.
Pasnesër Maliqi.
Dhe një ditë mund të jetë qyteti, fshati apo komuniteti yt.
Prandaj:
Mos i luftoni betejat një nga një.
BASHKOJINI!
Mos i lini kauzat të copëtohen.
BASHKOJINI!
Mos i lini qytetarët të flasin në zëra individual.
BËJINI NJË!
Sepse pushteti mund të përpiqet dhe ja del të shpërfillë 15 protesta të veçuara.
Por kur 15 bashki bëhen një zë, kur jugu takohet me veriun, lindja me perëndimin dhe qytetet e vogla bashkohen me Tiranën, përballë pushtetit nuk qëndron më një grup protestuesish.
QËNDRON QYTETARI.
Dhe kur qytetari ngrihet në këmbë, i organizuar, i bashkuar dhe paqësor, asnjë vijë e vizatuar në një hartë zyre nuk mund të fshijë vullnetin e tij.
15 BASHKI.
NJË ALEANCË
TË GJITHË SË BASHKU NË TIRANË.
Tiranë me 2 Gusht 2026

Gazeta RD