VLEN: Marrëveshja e Ohrit nuk është tapi e Ali Ahmetit!

Lëvizja VLEN ka akuzuar sot Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) se po përdor çështjet e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për interesa politike dhe personale.

Në një deklaratë për mediat, VLEN u shpreh se BDI nuk po mbron kauzën shqiptare, por sipas tyre po e mban atë peng, duke e lidhur zhvillimin e vendit me rikthimin e saj në pushtet.

“Bashkimi Jodemokratik për Dezintegrim (BDI) nuk e mbron kauzën shqiptare, por e mban peng. Hesapi i tyre është i thjeshtë: ose ata në kolltuqe, ose nuk ecën asgjë. Kur janë në pushtet, gjithçka është në terezi. Kur mbeten jashtë, përnjëherë prishet dynjaja”, thuhet në reagimin e VLEN.

Sipas kësaj force politike, shqiptarët nuk i detyrohen askujt për pushtet të përhershëm, ndërsa akuzojnë BDI-në se po bllokon Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe po dëmton Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.

“Shqiptarët nuk ua kanë borxh pushtetin e përjetshëm karrigexhinjve të Reçicës së Vogël. Nuk u kanë borxh as ministra, as drejtorë dhe as tenderë. Aq më pak ua kanë dhënë të drejtën që, vetëm pse mbetën pa kolltuqe, ta bllokojnë Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe ta rrënojnë Marrëveshjen Kornizë të Ohrit”, deklaroi VLEN.

Nga VLEN pretendojnë gjithashtu se gjatë 25 viteve në pushtet, BDI ka pasur mundësinë që këto çështje t’i rregullonte përmes ligjeve, por sipas tyre ka vendosur prioritete të tjera.

“Plot 25 vjet e kishin edhe gurin, edhe arrën në dorë, por nuk u shkoi mendja që këtë të drejtë ta mbronin me ligj. Më të rëndësishme i kishin tenderët, pasurimin personal dhe pazaret e pista”, thuhet më tej në reagim.

VLEN akuzoi BDI-në se po përdor opozitën si mjet presioni dhe se po tenton të bllokojë proceset politike për shkak të humbjes së pushtetit.

“BDI-ja nuk mund t’ua falë shqiptarëve që e dërguan në opozitë, prandaj tani po u hakmerret duke e bllokuar Ligjin për përfaqësim të drejtë”, u shpreh VLEN.

Në fund, VLEN thekson se Marrëveshja e Ohrit dhe të drejtat e shqiptarëve nuk i përkasin asnjë partie politike, por qytetarëve.

“Shqiptarët nuk janë plaçkë partiake e askujt dhe të drejtat e tyre nuk janë monedhë për pazare politike. Marrëveshja e Ohrit nuk është tapi as e Ali Ahmetit dhe as e karrigexhinjve të tij të përjetshëm”, përfundon reagimi i VLEN.

Në këtë klimë përplasjesh politike, akuzat për mbajtje të gjatë të pushtetit dhe kontroll të institucioneve rikthejnë në vëmendje edhe debatet në Shqipëri për qeverisjen e zgjatur të kryeministrit Edi Rama.

Partia Socialiste e ka konsoliduar pushtetin prej vitesh, duke e lidhur këtë me dominimin në administratë dhe institucionet publike, ndërsa mazhoranca ka argumentuar se vijon të qeverisë përmes votës së qytetarëve.

About Redaksia

Check Also

Kriza e emigrantëve/ 57 të vrarë në Spanjë

Spanja deklaroi të premten se kishte arritur të frenonte një valë masive hyrjesh të migrantëve …