Kryetari i Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea, ka dalë publikisht kundër draftit për ndarjen e re territoriale, i cili parashikon shkrirjen e 15 bashkive në vend, mes tyre edhe asaj të Divjakës.
Gjatë protestës së zhvilluar për të katërtën ditë radhazi në qytet, Gorrea deklaroi se administrata e bashkisë mbështet kundërshtimin ndaj kësaj nisme, duke theksuar se një pjesë e mirë e punonjësve janë të pranishëm në tubim.
Sipas tij, reforma territoriale rrezikon drejtpërdrejt vendet e punës së punonjësve të bashkisë, ndaj edhe ata janë solidarizuar me qytetarët në mbrojtje të institucionit.
“Të gjithë punonjësit e bashkisë janë me ju dhe me ne. Shumë prej tyre janë edhe këtu në protestë. Gjatë këtyre katër ditëve prania jonë ka qenë e konsiderueshme, por njëkohësisht nuk kemi lënë pas dore shërbimet për qytetarët.
Çdo punonjës e ndien këtë çështje edhe në plan personal, pasi në fund mund të humbasë vendin e punës. Ata kanë qenë me ne që ditën e parë”, u shpreh Gorrea.
Kryebashkiaku u bëri thirrje pjesëmarrësve që protesta të mos politizohet dhe të fokusohet vetëm te mbrojtja e statusit të Divjakës si bashki.
“Veprimet dhe kërkesat politike drejtojini diku tjetër. Këtu kemi vetëm një qëllim: Divjaka të mbetet bashki. Çdo mosmarrëveshje apo debat tjetër le të zhvillohet në një vend tjetër. Ky shesh duhet t’i përkasë kauzës për mbrojtjen e Bashkisë Divjakë. Mos akuzoni punonjësit e bashkisë, sepse ata janë në krahun tuaj dhe do të jemi këtu derisa ta mbrojmë këtë bashki“, deklaroi ai.
Gazeta RD