Tabaku: Qeveria po shkatërron fasonët! 175 mijë familje po paguajnë çmimin

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë se pas 13 vitesh në pushtet e ka çuar industrinë fason drejt një krize të thellë, duke rrezikuar mijëra vende pune dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se mbi 175 mijë familje shqiptare po përballen me pasojat e një modeli ekonomik që, sipas saj, ka dështuar.

Sipas deputetes demokrate, industria fason po goditet nga mungesa e mbështetjes shtetërore, zhvlerësimi i euros, rritja e kostove të prodhimit dhe niveli i lartë i taksave.

Reagimi i Tabakut

Pas 13 vitesh në qeveri, socialistët, në kulmin e pushtetit të tyre, u kanë lënë mbi 175 mijë familjeve shqiptare një kartolinë të hidhur: zhbërjen e industrisë fason dhe çuarjen drejt falimentimit të një sektori që dikur punësonte mbi 175 mijë shqiptarë.

Ky është rezultati i një sistemi ekonomik dhe politik që sakrifikon familjet shqiptare, bukën dhe të ardhurat e tyre, për të mbajtur në këmbë një pakicë që e ka ngritur këtë sistem dhe përfiton prej tij.

Paratë e pista dhe krimi i organizuar po helmojnë konkurrencën dhe ekonominë. Ndërkohë, qeveria as e mbështet dhe as e subvencionon industrinë fason, e goditur rëndë edhe nga zhvlerësimi i euros, kostot e larta dhe taksat.

Në mes të kësaj tragjedie që po konsumon jetën e mijëra familjeve, Shqipëria po humbet markën “Made in Albania”. Pamjet e bizneseve që nxirren në shitje dhe të sipërmarrësve që paketojnë pajisjet për t’u larguar e për të hapur vende pune diku tjetër janë dëshmia e vizionit ekonomik të dështuar të kësaj qeverie.

Në një ekonomi botërore që ndryshon me shpejtësi, vendet e tjera ndërtojnë politika për të mbrojtur prodhimin dhe punësimin. Socialistët bëjnë të kundërtën: nuk punojnë për shumicën, por për pakicën që përfiton nga skemat e pastrimit të parave, abuzimi me pushtetin dhe bashkëjetesa me krimin e organizuar.

Pa prodhim nuk ka vende pune, eksporte dhe ekonomi të qëndrueshme. Shqipërisë i duhet një model ekonomik që mbështet sipërmarrjen dhe punën, jo një sistem që i detyron bizneset të mbyllen.

About Redaksia

Check Also

Deklarata e Berishës/ “Beteja tjetër që do të fitoj pas Shteteve të Bashkuara”

Çim Peka: Kur u sanksionuat në fakt, të gjithë menduan se ju e përfunduat. Të gjithë …