2800 tonë mbetje toksike pranë banesave në Durrës, deputeti i PD: Pse hesht qeveria?

Deputeti i PD, Igli Cara ka ngritur alarmin për 2800 tonë mbetje toksike, të cilat sipas tij ndodhen prej dy vitesh në territorin e bashkisë Durrës.

Përmes një deklarate për mediat, ai tha se që prej fundit të muajit mars janë depozituar pranë një biznesi privat në zonën e Shënvlashit, shumë pranë sitit të ri të banimit, ku janë strehuar të pastrehët e tërmetit.

Gjatë deklaratës, Cara ju drejtua me disa pyetje direkt kryetares së bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako:

“A është problem për ju personalisht prania e 2800 tonë mbetje të rrezikshme?

Kush është më e rëndësishme për ju, shëndeti dhe jeta e qytetarëve të Durrësit apo rehatia e Ramës?

A nuk duhet të bëni dhe ju presionin tuaj me të drejtën që ju jep ligji si përfaqësuese e pushtetit lokal mbi qeverinë?“, pyeti ai.

Njëkohësisht, deputeti demokrat i adresoi disa pyetje konkrete edhe për Ministrinë e Mjedisit dhe drejtuesin e këtij dikasteri:

“Cili është statusi i sotëm juridik dhe administrativ i 102 kontenierëve dhe cili institucion mban përgjegjësinë kryesore për ruajtjen, kontrollin dhe administrimin e tyre? Përse Ministria e Mjedisit nuk ka bërë publike deri më sot një plan të plotë për trajtimin përfundimtar të rreth 2800 tonëve mbetje të rrezikshme?

A është pajisur ambienti ku ndodhen kontejnerët me leje mjedisore ose autorizim të posaçëm për ruajtjen e mbetjeve të rrezikshme?

A janë marrë dhe analizuar mostra nga toka, ujërat sipërfaqëesore, ujërat nëntokësore, puset e zonës dhe ajri përreth venddepozimit? Nëse po, cilat janë rezultatet dhe përse ato nuk janë bërë publike?

A konfirmon Ministria se 102 kontejnerët janë të padëmtuar, të mbyllur hermetikisht dhe pa shenja korrozioni, rrjedhjeje ose përhapjeje të materialit? A ekziston një inventar teknik individual për gjendjen e secilit kontejner?

A disponon venddepozitimi sipërfaqe të papërshkueshme, mbulim nga reshjet, sistem për mbledhjen dhe trajtimin e ujërave të ndotura, masa për kontrollin e pluhurit dhe plan për ndërhyrje emergjente?

A janë njoftuar zyrtarisht banorët, bizneset dhe institucionet që ndodhen pranë zonës mbi natyrën e materialit, rreziqet potenciale dhe masat që duhet të ndjekin në rast incidenti?”, vijoi Cara.

Ai ftoi komunitetin durrsak të bëhen bashkë për të ngritur zërin për këto mbetje toksike, të cilat rrezikojnë jo pak shëndetin dhe jetën e të gjithë qytetarëve.

About Redaksia

Check Also

Edhe një tjetër mikeshë e Ramës nën hetim penal

Ish-ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, e njohur për raportet e afërta politike me …