Kryebashkiaku i Pukës: Reforma territoriale është antiqytetare, nuk do ta pranojmë bashkimin me Fushë-Arrëzin

Kryebashkiaku i Pukës, Rrok Dodaj, iu bashkua protestës së qytetarëve të Fushë-Arrëzit kundër propozimit të Partisë Socialiste për reformën e re territoriale, e cila parashikon bashkimin e dy bashkive në një njësi të vetme administrative. Ai e cilësoi draftin si një reformë “antiqytetare”, duke paralajmëruar se Bashkia Pukë do ta rrëzojë unanimisht në Këshillin Bashkiak.

Në fjalën e tij, Dodaj tha se bashkimi i Pukës me Fushë-Arrëzin do ta bëjë edhe më të vështirë aksesin e qytetarëve në shërbime, ndërsa akuzoi qeverinë se reforma është vendosur paraprakisht, pa dëgjuar realisht komunitetet. Sipas tij, ndryshimet e propozuara do të përshpejtojnë shpopullimin e zonës dhe do të dëmtojnë zhvillimin e saj afatgjatë.

Rrok Dodaj: Përshëndetje! I nderuar zoti kryetar i Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Hil Curri. I nderuar kryetar i Bashkisë Mirditë, zoti Albert. Të nderuar qytetarë të Bashkisë së Fushë-Arrëzit. Ne sot normalisht kemi ardhur me atë ndjesinë e protestuesit. Patjetër varet edhe ne gjithmonë që në ’90-ën jemi rritur në protesta dhe protesta gjithmonë ka qenë në shërbim të qytetarëve për një jetë ndryshe nga ajo e sistemit të kaluar 50-vjeçar. Sot, mbas 12 viteve, kur reforma e parë solli shkrirjen e të gjitha komunave, nga 10 në 2 bashki, sot vazhdon avazi i tyre nga 2 me i shkurtuar në 1.

Dhe arsyeja, thotë edhe kryetari, nga 1 do shkojë në Shkodër. Dhe unë, me pak humor të vogël, në një takim që kemi pasur me kryeministrin, me kryetarë bashkish, i pata thënë që, unë mendoj që, pse me e bërë reformën 1? Më pas lali Eri që është këtu, ishte prezent aty, edhe të gjithë të tjerët do të jemi anëtarë të tij. Kështu e percepton edhe reforma e cila sot i është shtruar parlamentit, qytetarëve, një draft i cili ne e kemi lexuar me kujdes. Pavarësisht se jo të gjithë, sepse edhe opozita e vet ka bërë përpjekjet maksimale, por aq është mundësia.

Kuptohet numrat në parlament flasin ndryshe dhe mundësia për me bërë atë që do qytetari nuk i jepet nëpërmjet opozitës. Por që përpjekjet janë bërë maksimale. Sot drafti hidhet edhe për diskutim, mbasi, para se me bërë përpjekjet që me thënë do dëgjojmë qytetarët, do pyesim se si do jetë më mirë. Unë e kam bindjen e plotë se ky model edhe kjo reformë ka qenë e bërë para se me u hedhë te qytetarët. Edhe në takimin që kemi pasur me Bashkimin e Qyteteve Shqiptare, të paktë ishin ata që s’e dinin se si do të jetë reforma, në sa bashki do bjerë vendi ynë.

Kështu që nuk është ajo që qytetarët pyeten edhe mendojnë se reforma do sjellë të mira, sepse vetë pozicioni gjeografik, Puka ka një sipërfaqe kaq të madhe, Puka ka një relief kaq të thyer, të vijnë qytetarët nga Fierzë edhe të shkojnë në Pukë për të marrë një shërbim, apo të vijnë nga Fierzë, Iballë për të marrë një shërbim në Fushë-Arrëz. Kjo nuk ishte pozitive as para 12 viteve. Por që shpopullimi, ne e shohim Fushë-Arrëzin sot këtu. Se ka miniera, ka disa hidrocentrale edhe punonjësit janë sot që i shërbejnë atyre. Por me atë reformë që u bë, ishin të garantuar se Fushë-Arrëzi sot do ishte maksimumi me njëmijë banorë. Kështu që kjo reformë, Bashkia Pukë sot ka draftin.

Do të jetë një draft i cili nuk ka nevojë me e studiuar më gjatë, por që do hidhet poshtë unanimisht nga këshilltarët e Bashkisë Pukë, nga Bashkia Pukë dhe nga ato aktorë që japin vlera që çdo draft, çdo ligj do t’i shërbejë qytetarit. Në rastin aktual, ky lloj drafti shkel dinjitetin e çdo qytetari, të çdo banori të rrethit të Pukës, Bashkisë Fushë-Arrëz dhe Pukë. Edhe nëse kushdo qoftë të jetë kryetar i bashkisë, sepse ndoshta dikush thotë të jetë ky apo ai, nuk ka rëndësi. Bashkia do të jetë, si e Fushë-Arrëzit, si e Pukës, në shërbim të qytetarëve. Por që një shërbim nga Puka në Iballë, nga Puka në Fierzë, të jetë në ato standarde të duhura, është e pamundur.

Sot është edhe diçka tjetër, që kriteret nuk të lënë që me i dhënë edhe atë shërbim që duhet me e marrë qytetari. Me bërë një rrugë, do numrin e banorëve. Po numrin e banorëve në Fierzë, në Iballë, nuk e ke kur ti përqendron çdo gjë dhe pushtetin. Kështu që edhe atë shërbim nuk e merr dot. Një rrugë s’e merr, një ujësjellës, sepse kriteri numër një janë banorët.

Kështu që mos ta marrim thjesht a është një kryetar apo do jetë një tjetër edhe kaq mjafton, por janë shumë gjëra që shkojnë zinxhir. Pra, ne jemi sot këtu së bashku me ju me i thënë stop, jo këtij bashkimi, jo kësaj ndarje, kësaj metode e cila shpopullon vendin. Bashkia Pukë është e prerë me vendimin që do marrë Këshilli Bashkiak që ndarja territoriale është anti-qytetare. Faleminderit! Së bashku protestat do të vazhdojnë me të gjitha mjetet demokratike.

Faleminderit zoti kryetar!

About Redaksia

Check Also

Shpërthen revolta edhe në Rrogozhinë: Mblidhuni burra, gra e të rinj… Nuk e vendos as Mazniku, as Rama!

Protesta e banorëve të Rrogozhinës kundër shkrirjes së bashkisë është shoqëruar me revoltën e qytetarëve …