Berisha: PS është parti e krimit, është themeluar dhe ka qeverisur mbi krimin! 

Ndoc Bushgjoka: Pse jemi vendi më i varfër, me më pak liri e të drejta, me më shumë padrejtësi, ku pushtetarët, ligjet e kushtetutën i shkelin e i ndryshojnë sipas mendjes e qejfit të tyre? Pse kur zogistët e të tjerë thonë se Zogu bëri shtet e s’kishte si ai, kur enveristët e të tjerë thonë se Hoxha ishte burri më i madh që ka nxjerrë kombi shqiptar, kur dëgjoheshin thirrjet ‘po vjen Ismail Qemali’ për Fatosin që kish lënë mjekrën e sapo kishte dalë nga burgu, kur PD-istët thonë se Berisha është legjendë e gjallë dhe aktualisht ky tyrrahorri i sotëm merr 75 mandate dhe quhet lider global… Pse pra jemi kombi më i mjerueshëm dhe në zgrip që të shuhemi?

Sali Berisha: Pyetje jashtëzakonisht e rëndësishme zoti Bushgjoka, pyetje themelore.
Shkaku më themelor i kësaj, është një dhe vetëm një: Partia Socialiste është parti krimi. Është themeluar mbi krimin, është ndërtuar mbi krimin, ka qeverisur dhe qeveris mbi krimin.
Do më lejoni ju lutem ta zbërthej pak këtë tezë…
Me këtë, në mënyrë absolute kurrë nuk dua të them se anëtarët, simpatizantët, mbështetësit e saj janë kriminelë. Jo. Me këtë, kjo nuk është e vërtetë, dhe unë gjërat e pavërteta nuk i them. Po ka një të vërtetë tjetër të tmerrshme që është në zemrën, në shpirtin e kësaj partie.
Kjo parti u themelua mbi krimin. E themeloi Dušan Mugoša dhe Miladin Popović, dhe kjo është tashmë e padiskutueshme, në mënyrë që ta kontrollonin ata, ta kishin ata instrument anti-shqiptar. E vërteta është, ata e themeluan në Shqipëri, ata përdorën këtë parti për të themeluar njësitë partizane. Për të cilat unë, pa diskutim, për çdonjërin që lufton kundër pushtuesit kam pasur dhe kam adhurimin më të thellë. Por ata i themeluan këto njësi për t’i përdorur për qëllime anti-shqiptare.
Siç i përdorën. E kthyen luftën çlirimtare ndaj pushtuesve, në një krim monstruoz vëllavrasës brenda vendit. A është e vërtetë kjo? Besoj se nuk ka më diskutime, sot kanë dalë dokumentet e pafundme.
Dhe një herë tjetër theksova për këtë çështje, ata që dyshojnë të marrin të shohin vrasjet që ka bërë Mehmet Shehu në Lushnje, ballistëve, nacionalistëve. Vrasjet që kanë bërë brigadat në Lumë e kudo, pushkatimet pa gjyq. A kishte krim më të shëmtuar, se në një kohë kur Mbretëria u shpërbë, Mbretëria Jugosllave u shpërbë, Federata Jugosllave ekzistonte vetëm në letër e shpallur nga Titoja në malet e Bosnjes.
Dhe Enver Hoxha, grisi Mukjen.
Mukja, e mbledhur, ç’është e vërteta me mbështetjen e misionit britanik, (duhet ta njohim atë se ne e kemi kollaj për të thënë), kishte një qëllim: të bashkonte shqiptarët në luftë, kudo që ishin në luftë kundër pushtuesit.
Ajo ishte rruga absolute më e sigurt e bashkimit të kombit shqiptar. Pse? Sepse fitimtarët në Paris do ta njihnin si një komb që luftoi, siç përcaktonte Mukja në të gjithë territoret e tij kundër pushtuesve.
Çfarë bëri Partia e Krimit? Grisi Mukjen, një javë mbrapa me urdhër të Dušanit dhe Miladinit. Ja grisen Mukjen Enver Hoxhës, Enver Hoxha grisi Mukjen.
Dhe Kosovën e vendosi në varësi të celulave komuniste, në varësi të Partisë Komuniste Jugosllave. Se ishte dhe vetë një seksion i saj. Dhe çoi atje eksponentë kosovarë si Fadil Hoxhën, Xhavit Nimanin e të tjerë, i çoi në varësi të Partisë Komuniste Serbe.
Jo vetëm kaq, prit. Në qoftë se duam të kuptojmë atë që thatë ju, ne kurrë s’do ta realizojmë pa realizuar këtë që kjo është parti krimi. Çoi brigadat… është e vërtetë që gjatë pushtimit gjerman, në territorin e Trepçës, Mitrovicë e të tjerë, morën pashaporta të Rajhut të Tretë për qëllime strategjike të tij, po Kosova po luftonte.
Shaban Polluzha me një brigadë dhe jo vetëm ai, luftonin si gjermanët ashtu dhe serbët. Po jo, Enver Hoxha dërgoi brigadat partizane shqiptare që u pritën si çlirimtarë aty dhe që në fakt shkuan si pushtues, të cilët i dorëzuan Kosovën brigadave serbo-malazeze që s’i kishin dashur kurrë Kosovën.
Për ta mbyllur këtë kapitull, kthehemi tek Tivari. Pasi brigadat serbo-malazeze u futën në Kosovë, atëherë ata mblodhën mijëra e mijëra djem të rinj. Jo vetëm nga trevat e Kosovës por dhe të Maqedonisë.
Në mënyrë që të mos kishte shqiptarë që t’u rezistonin masakrave të tyre. I mblodhën, i sollën nga Morina, në Kukës, në Pukë, u vranë me dhjetëra në territorin shqiptar me bekimin e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë. Kaluan Bunën dhe përfunduan në Tivar, ku brenda një nate, u gjetën midis dhjetëra qindra mitralozave, u ekzekutuan.
Partia e Krimit, jo vetëm që ishte bashkëautore në këtë krim monstruoz, në këtë gjenocid, por Enver Hoxha i shkruante letër Stalinit: ‘Se Kosovën e lashë me Titon, se është më e sigurt dhe bëra mirë, dhe ne po përgatitemi…’ propozonte që Josip Broz Tito të zgjidhej Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare.
Imagjinoni ju, agjenti serb Koçi Xoxe i thoshte ‘jo, jo duhet të jesh ti’. Jo i thoshte Enver Hoxha, s’ka pse të jem unë sepse kjo e shpejton bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.
Erdhën në pushtet. Si qeverisën? Lanë në gjak një popull. Mijëra e mijëra shqiptarë i ekzekutoi, i internuan, qindra e mijëra të tjerë. Pra me krimin. Dhe po të lexosh librat e tyre, ata e dinin që kryenin krime.
Kryenin gjenocid, ndaj besimeve fetare. Më thuaj atëherë, a nuk është kjo një parti krimi? Erdhën në pushtet, e pranoi pluralizmin Ramiz Alia sepse nuk donte të përfundonte si Çaushesku.
Çfarë bënë kur erdhën në pushtet në atë shtatorin? Erdhën me rebelim. Por duhet të pranoj, Fatos Nano pavarësisht lidhjeve të tij me krimin, pavarësisht se Azem Hajdari u ekzekutua si armiku më i egër i sistemit të baballarëve të tyre tek dera e selisë së Partisë Demokratike… përsëri ai pranoi verdiktin e popullit, dorëzoi pushtetin.
Dorëzoi dhe partinë, bëri një hap të rëndësishëm. Erdhi ky. Përsëri krimi. Po i bie më shkurt, kam qenë mjek kardiolog siç e dini, po midis të tjerëve kam trajtuar edhe të burgosur politikë por kam trajtuar edhe anëtarë të byrosë politike.
Çfarë kisha konstatuar? Kisha konstatuar se ata e dinin që kishin vrarë. Ata e dinin që kishin armiq. Por ata respektonin më shumë se të gjithë të tjerët xhelatët dhe kasapët që thyenin kocka dhe kafka në qeli për pushtetin e tyre. Ata ishin më të respektuarit.
Çfarë do të thotë kjo? Krimi i dobishëm për të qëndruar në pushtet. Ky është Edi Rama sot. Çfarë do të thotë droga, çfarë do të thotë lidhjet e tij me Troplinin, çfarë do të thotë lidhjet e tij me Suel Çelën, çfarë do të thotë lidhjet e tij me Bajrët, me Pëllumb Gjokën?
Cilat janë këto, pse janë këto lidhje? Të gjitha këto i dashur mik janë sepse i duhen për pushtetin e tij. Njësoj si baballarëve xhelatët që thyenin kocka kundërshtarësh politikë.
Ndaj dhe ajo që thoni ju, të jeni i sigurt, shkaku më themelor i kësaj që përjetojnë shqiptarët dhe Shqipëria është partia e krimit, Partia Socialiste që ka këtë emër të tretën apo të katërtin që nga themelimi i saj.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Ftoj qytetarët të solidarizohen me qytetarët e bashkive në zhdukje!

Berisha: Të dashur miq që ndoqët këtë bisedë. Ju falënderoj me shumë respekt për pyetjet …