Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka kundërshtuar reformën e re administrativo-territoriale të propozuar nga mazhoranca, teksa ka argumentuar se çdo ndryshim duhet të paraprihet nga një analizë e thelluar e reformës së vitit 2014, e zbatuar pas zgjedhjeve lokale të 2015-ës.
Në një deklaratë në “Këndin e Fundjavës”, Tabaku tha se, reforma aktuale nuk solli rezultatet e premtuara për uljen e kostove dhe rritjen e eficiencës së pushtetit vendor.
Sipas deputetes demokrate, problemi kryesor mbetet centralizimi i burimeve dhe vendimmarrjes, ndërsa solli si shembull bashkitë me pasuri të konsiderueshme natyrore, të cilat, sipas saj, nuk përfitojnë në mënyrë proporcionale nga këto burime.
Tabaku kritikoi edhe mënyrën se si është ushtruar pushteti vendor në Tiranë, duke përmendur çështjen e inceneratorëve, shembjen e Teatrit Kombëtar dhe mungesën e investimeve në zona të caktuara të kryeqytetit. Ajo u ndal te Astiri, ku sipas saj një shkollë është ndërtuar vetëm në vitin 2026, pavarësisht zhvillimit të hershëm të zonës.
“Ndërsa qytetarët prisnin shkolla dhe shërbime, pushteti vendor është marrë me afera korruptive”, deklaroi Tabaku.
Deputetja e PD e lidhi gjithashtu reformën territoriale me shpopullimin, duke iu referuar të dhënave të Censit për rënien e popullsisë së Shqipërisë.
Ajo kritikoi edhe argumentin se ndryshimet territoriale lidhen me procesin e integrimit europian, duke theksuar se, sipas saj, BE kërkon forcimin e decentralizimit dhe të autonomisë së pushtetit vendor.
Gazeta RD