Erlis Sina: Doktor, si mendon se mund ta ndihmojë opozita protestën që po zhvillohet prej 70 ditësh?
Sali Berisha: Njëherë në radhë të parë, unë përshëndes çdo pjesëmarrës në këtë protestë epike. Në këtë protestë që pati dhe ka dimensione të jashtëzakonshme. Jo se unë dua të përdor superlativa, por se unë dua ta lexoj, dua ta paraqes atë në realitetin që ishte.
Pas viteve ’90, kjo është protesta më e fuqishme rinore qytetare në historinë e këtij vendi. Kjo është protesta më ta quajmë pan-kombëtare, që bashkoi shqiptarët kudo që janë në botë për një çështje të përbashkët.
Kjo është protesta në të cilën u ngrit në zenit ndërgjegjja e shqiptarëve edhe për çështjet mjedisore që janë çështje jetike, që dikur kanë qenë dytësore e tretësore.
Të rinjtë shqiptarë që dalin e protestojnë kundër krimeve mjedisore meritojnë një dekoratë lirie që të gjithë. Protesta ishte e jashtëzakonshme edhe për frymën e saj qytetare. Kërkon largimin e diktatorit autoritar Edi Rama, e atij që të tjerët e kanë quajtur Shqipërinë autokraci elektorale, e cila është sinonim plotësisht i diktaturës autoritare.
Tani Erlis, absolutisht në mënyrën më të vazhdueshme, më konstante, opozita, Partia Demokratike ka bërë thirrje dhe ka bërë gjithçka për një prani sa më të madhe të anëtarëve dhe mbështetësve të saj, jo si përfaqësues partie, por si qytetarë, duke respektuar prapë plotësisht frymën e qytetarisë.
Siç ke qenë në dijeni, i kam mbështetur plotësisht kërkesat e saj, sepse për ato kërkesa ç’është e vërteta, Partia Demokratike ka bërë një betejë të gjithanshme në parlament, në komisione, por edhe në protesta dhe në sheshe.
A mund të ishte më e madhe prania e Partisë Demokratike? Mund të ishte dhe më e madhe. E them këtë megjithëse kanë marrë dhe sot janë një shumicë, pjesëmarrësit janë demokratë.
U desh pak kohë që të adaptoheshin me situatën, për arsye se protesta krahas kërkesave të drejta kishte dhe slogane me të cilat ata barazonin Edi Ramën me Sali Berishën.
Erlis, protestat janë procese të një rëndësie fundamentale. Ato dhe çdo gjë tjetër duhet të mbështeten në të vërteta dhe analiza të vërteta. Në qoftë se ti krahason të pakrahasueshmet, ti zbret në atë që quhet nga Friedrich Nietzsche, mashtrim i rafinuar.
Për arrestimin e Sali Berishës dhe varjen e tij në litar, u ngritën dhjetëra mijëra, mos qindra mijëra komunistë në ’91-shin, pasi rrëzuam shtatoren e Enver Hoxhës.
Vazhdoi ky avaz në ’97-ën, grupet e rebelimit komunist të njëjtën gjë. Vazhduan me akuza nga më monstruozet. Imagjino, 8 muaj para se Haga të akuzonte Milosheviçin për krime kundër njerëzimit, Arben Rakipi më akuzoi mua.
Një ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, më akuzoi mua për krime kundër njerëzimit, duke paraqitur një shishe Pepsi-Cola si provë se paskam hedhur lëndë helmuese në Vlorë.
Edi Rama përdori miliona e miliona në mënyrë që Sali Berisha të sanksionohej. A është e vërtetë kjo?
Edi Rama me krenari të madhe rrahte gjoksin se s’kalon dot Atlantikun Sali. Edi Rama në konferencat e thirrjes së tij, e ka përdorur kushedi sa herë në konferenca, se vetë ekzistenca e SPAK-ut vihet në diskutim pse nuk po arreston Sali Berishën.
Edi Rama organizoi atentat kundër Sali Berishës në mes të bulevardit. E arrestoi atë 333 ditë. Nuk ka verbëri më të madhe se të krahasosh të pakrahasueshmet.
Tani, do vijmë këtu. Pse unë dhe pse Partia Demokratike ka bërë thirrje për pjesëmarrje? Po. Së pari, kërkesat janë shumë të drejta. Së dyti, këto slogane i kanë të armiqve të Partisë Demokratike.
Pra, janë slogane të opozitës së opozitës, që është vegël e qeverisë. Ky slogan është gjithashtu i qarkulluar nga grupet sorosiane, duke ditur armiqësinë e madhe që unë kam me ideologjinë dhe qëndrimet e George Sorosit.
Mirëpo sado që unë ua kam bërë të qartë qytetarëve se këto nuk mund të jenë një pengesë, dhe nuk janë absolutisht një pengesë. Pse? Pse nuk janë pengesë këto? Sepse kundër Edi Ramës ne do bashkëpunojmë edhe me armiqtë tanë. Në parimin e lashtë romak: armiku i armikut tim, është miku im.
Në parimin e mëvonshëm kam dhënë dhe shembuj që janë dukur pak fantazmagorikë: aleancën që bënë, Shtetet e Bashkuara bënë me Bashkimin Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore. Ndaj dhe asnjë demokrat nuk duhet të ishte dhe nuk duhet të pengohet pa marrë pjesë në këtë protestë.
Dhe thirrja ime është të marrin pjesë, të kontribuojnë në maksimumin e tyre. Natyrisht siç e dini që në fillim, ne jemi shprehur se protesta nuk është protestë e thirrur nga ne. Dhe se ne nuk bëjmë kurrë përpjekjen më të vogël për të akaparuar, për të përçarë këtë protestë. Jo.
Ne e admirojmë atë, ne e respektojmë atë dhe i garantoj ata qytetarë që dalin çdo natë se po të mos ishte një protestë qytetare, Sali Berisha çdo natë do të ishte aty, por një lider partiak nuk i shërben asaj.
Dhe nuk ka nevojë që të jetë aty t’i cenojë sado pak frymën rinore, qytetare të saj. Jo. Unë besoj se tërësia e idealeve të saj është e idealeve të së ardhmes së këtij kombi. Ndaj prapë bëj thirrje ta mbështesim atë me të gjithë forcën.
Konkretisht ju garantoj se ne do bëjmë çfarë kemi në dorë që ta mbështesim këtë protestë. Natyrisht Erlis, do të kthej dhe një diçka që nuk e them publikisht.
Nuk kam ndonjë këshillë dhe nuk është mirë që të gjithë ata që mund të kenë kritika ndaj protestës, të merren me kritikat, por të merren me anën si ta ndihmojnë atë.
Se po të merren me anën si ta ndihmojnë atë, do bëjnë detyrën e tyre. Pastaj të tjerat janë më të parëndësishme. Dhe njëherë urimet më të përzemërta të gjithë atyre që çdo natë protestojnë në rrugët e Tiranës për identitetin kombëtar, për lirinë e shqiptarëve.
Gazeta RD