Bashkia Dimal ka zhvilluar sot një mbledhje emergjente të Këshillit Bashkiak, ku në qendër të diskutimeve ishte propozimi për shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin e saj me Bashkinë Berat.
Në nisje të mbledhjes u lexua relacioni që propozon shkrirjen e Bashkisë Dimal dhe sipas këshilltarëve bashkiakë, argumentet e paraqitura në relacion lidhen kryesisht me historikun mes dy zonave, ndarjen e dikurshme administrative në ish-rrethe, shtrirjen përgjatë lumit Osum dhe ekzistencën e Spitalit Rajonal në Berat.
Por këto argumente janë kundërshtuar nga Këshilli Bashkiak Dimal, i cili vlerëson se ato nuk përputhen me analizën e raportit të ekspertëve dhe nuk justifikojnë nevojën për bashkimin e dy bashkive.
Një nga argumentet kryesore të këshilltarëve lidhet me performancën financiare të Bashkisë Dimal. Sipas tyre, gjatë 10 viteve të fundit, Dimal ka realizuar mesatarisht 38% të investimeve me buxhetin e vet aktiv, duke u renditur e pesta në rang vendi. Në të njëjtin parametër, Bashkia Berat, sipas këshilltarëve, rezulton me një mesatare prej vetëm 7%.
Këshilltarët kundërshtojnë gjithashtu pretendimin se bashkimi me Beratin do t’i sigurojë Dimalit kapacitete më të mëdha investuese. Sipas tyre, një shkrirje e tillë mund të ketë efekt negativ në ekonominë lokale, veçanërisht për sektorin bujqësor.
“Në relacion, në kundërshtim me nenin 89, nuk argumentohen as me fakte dhe as me studime fizibiliteti avantazhet e kësaj shkrirjeje”, thuhet në qëndrimin e këshilltarëve.
Në këto kushte, duke e konsideruar propozimin të pavlefshëm, 18 nga 21 anëtarët e Këshillit Bashkiak Dimal votuan pro pavlefshmërisë së propozimit për shkrirjen e bashkisë.
Me të njëjtën shumicë votash, Këshilli Bashkiak miratoi edhe qëndrimin kundër shkrirjes së Bashkisë Dimal dhe bashkimit të saj me Bashkinë Berat.
Gazeta RD