Satelitët në qiell, pesëkatëshi në Himarë

Nga Lutfi DERVISHI

Është bërë traditë tashmë që lajmet në gusht, në kulmin e sezonit turistik, janë zjarret dhe shembjet e ndërtimeve pa leje.

Sot në Himarë u shemb një godinë pesëkatëshe! Në Vlorë vijoj shembja e “çibaneve që i kanë marrë frymën tregut në qendër të Qytetit”

Që shemben, ndërtime të paligjshme shumë mirë, por ku i patëm sytë kur u ndërtuan?

Nuk është se na mungojnë ligjet, institucionet, inspektorët, policia, teknologjia apo, ca më pak, deklaratat. I kemi të gjitha me bollëk.

Por ende nuk po gjejmë si t’i pikasim ndërtimet pa leje para se të hedhin shtat.

Që prej vitit 2013, beteja kundër ndërtimeve ilegale është shoqëruar me spektakël publik. Janë shembur godina me tritol me transmetim live.

Tritoli është shoqëruar gjithmonë me mesazhin: këtu ka shtet!

Dhe shtet jo vetëm në tokë, por edhe qiell.

Me satelitët Albania 1 dhe Albania 2, të prezantuar me bujë si inspektorët tanë të pakorruptueshëm në qiell, u premtua një epokë tjetër. Nga hapësira do të monitoronim territorin, zjarret dhe, natyrisht, edhe ndërtimet pa leje.

Pra, teorikisht, një tullë pa leje duhej të pikasej sapo të dilte nga furra e fabrikës. Por praktikisht sa më shumë show bëhet me dorën e fortë të shtetit, aq më spektakolare bëhen rastet që tregojnë se shteti nuk funksionon.

Katër vjet më parë, në shtator 2022, u zbuluan shtatë kate pa leje mbi një kullë në zemër të Tiranës, bash në sheshin Skënderbej.

Spektakli vijoi me sekuestrimin e një pallati nëntëkatësh dhe qeveria miratoi edhe një VKM të posaçme për konfiskimin e ndërtimeve pa leje.

Pra, sot, nëse guxon të ndërtosh një kat pa leje, shteti ta merr. Por nëse ndërton pesë, pyetja është: ku ishte shteti gjatë katër të parëve? Me pushime?

Dhe ja ku vjen sot rasti i bujshëm në Himarë.

Arrestohet në flagrancë 39 vjeçari, për ndërtim pa leje në zonën e quajtur “Sugë”. Rrumbullak pesë kate! Jo një mur oborri, jo një çati, jo një kotec pulash, sepse siç është dëshmuar, për këto gjëra vërtet ka shtet.

Një ndërtesë pesëkatëshe në një prej zonave turistike më të vëzhguara dhe më të lakmuara të vendit!

Një pesëkatësh nuk ndërtohet natën mes së premtes dhe së shtunës. Edhe një lojë pesëkatëshe me letra bixhozi do kohën e vet. Ka gërmime, beton, hekur, betoniera, kamionë, punëtorë. Ka kate që ngrihen njëri mbi tjetrin.

Duhet kohë për ta ndërtuar dhe, me sa duket, u dashka edhe më shumë kohë për ta parë.

Kemi pasur raste (Zvernec) kur shteti ka pikasur edhe një kotec pa leje. Ligji, kur do, bëhet mikroskop, por përballë pallatit, i duhet teleskop.

Rasti i sotëm i Himarës dëshmoi se shteti reagoi. Pronari u arrestua, ndërsa tre zyrtarë të IMT-së lokale u shpallën në kërkim. Por pyetja “pse sot?” mbetet pa përgjigje.

Mbërritja e fadromave nuk është domosdoshmërisht dëshmi se këtu vjen era shtet.

Sa vlen ashpërsimi i Kodit Penal, ndryshimi i ligjeve, ngritja dhe riorganizimi i inspektorateve, konfiskimi apo shembja me dinamit, nëse një ndërtesë pa leje arrin qetësisht në katin e pestë?

Kur ke premtuar dorë të hekurt dhe kontroll mbi çdo metër katror të territorit, është e vështirë të shpjegosh godina që ngrihen pa u parë.

Kemi provuar spektaklin me tritol, monitorimin me dron, kontrollin me sytë e satelitëve nga hapësira, por ajo që shohim është se institucionet përgjegjëse, njërit i zbulojnë dhe qimen në vezë, ndërsa tjetrit, nuk i shohin as traun në sy!

About Redaksia

Check Also

Vota e Dimalit, revoltë ndaj hartës së PS

Nga Luçiano BOÇI Vota e Këshillit Bashkiak të Dimalit kundër shkrirjes së bashkisë nuk është …