Dizdari: Qeveria Rama mashtroi për zhbllokimin e fondeve IPARD! PD angazhohet për rikthimin e tyre dhe për pesëfishimin e granteve për fermerët

Deklarata e sekretares për Integrimin Europian në PD, Florialba Dizdari:

Plot 3 vjet fermerët shqiptarë janë pa fondet e Bashkimit Europian IPARD, një dosje që prek drejtpërdrejt procesin e integrimit europian të vendit dhe lidhet drejtpërdrejt me fushat e negociatave për bujqësinë, zhvillimin rural dhe sigurinë ushqimore.

IPARD është një instrument zhvillimi, i ofruar nga Bashkimi Europian për të mbështetur bujqësinë dhe blegtorinë shqiptare, për t’u ardhur në ndihmë fermerëve dhe jo për t’u përvetësuar nga zyrtarë të paskrupullt. Këdo fermer që është përballur me administrimin e këtyre zyrtarëve e di mirë për çfarë paturpësie korruptive po flasim.

Fonde dhe grante të bujqësisë të cilat u keqpërdorën nga qeveria e Ramës.

Partia Demokratike denoncon mashtrimin e radhës të qeverisë Rama, premtimin e Ministrit të Bujqësisë, Andis Salla, se fondet e programit IPARD III do të hapeshin brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.

Ky afat ka kaluar dhe fondet mbeten të bllokuara.

Ndërkohë, Komisioni Evropian ka bërë të qartë se procedura mbetet në zhvillim dhe se nuk ka një datë zyrtare për rikthimin e fondeve.

Fondet IPARD u pezulluan në vitin 2023 pas gjetjes së parregullsive dhe korrupsionit në administrimin e tyre, thënë troç, keqpërdorimit të tyre nga zyrtarët e Ramës. Në këtë përfundim arriti pas hetimeve përkatëse Zyra Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF), çështje që mbetet sot objekt hetimi edhe nga SPAK.

Sot, tre vite pas ndërprerjes së fondeve, dhe 13 vite të keqqeverisjes kudo tjetër, fermerët tanë vuajnë pasojat: investimet janë bllokuar, zhvillimi i bujqësisë është ngadalësuar dhe Shqipëria vazhdon të jetë pa akses në financimin europian të bujqësisë, si një nga instrumentet më të rëndësishme të këtij financimi për sektorin bujqësor, jetik për vendin.

Partia Demokratike angazhohet që, me ardhjen në qeveri:

* të rikthejë menjëherë fondet IPARD, në bashkëpunim të plotë me Komisionin Europian;

* të pesëfishojë grantet dhe mbështetjen buxhetore për fermerët shqiptarë;

* të hetojë dhe të bëjë përgjegjës të gjithë ata që, me abuzimet dhe korrupsionin e tyre, çuan në bllokimin e fondeve europiane për bujqësinë.

Fermerët shqiptarë janë në shesh bashkë me mijëra qytetarë të tjerë, në protestën e sakrificës që sot shënon ditën e 73-të. Ata e dinë më mirë se kushdo se përgjegjësia për paralizën e bujqësisë dhe të Shqipërisë mban një emër.

Prandaj thirrja gjëmon: Rama, jepe dorëheqjen!

About Redaksia

Check Also

Ata janë bashkë…

Gëzim SEFERI 𝗥𝗮𝗺𝗮 𝗱𝗵𝗲 𝗕𝗲𝗿𝗶𝘀𝗵𝗮 𝗷𝗮𝗻𝗲̈ 𝗯𝗮𝘀𝗵𝗸𝗲̈! Këtë tani duhet ta dini si dielli që …