BIRN: Si u bënë tym milionat e djegësit fantazmë të mbetjeve në Tiranë

Në landfillin e kryeqytetit, përgjatë luginës së Erzenit në Sharrë, kodra e mbetjeve urbane vazhdon të ngrihet me kryeneçësi drejt qiellit, ndërsa kamionët vetëshkarkues sjellin çdo ditë tonelata të reja plehrash, të cilat grumbullohen me ndihmën e buldozerëve dhe ngjeshen mbi masivin ekzistues.

E vendosur përbri varrezave të Sharrës në Tiranë, landfilli digjet nën diellin përvëlues të gushtit dhe shpërndan në ajër një kutërbim të athët gazrash që sulmojnë pa mëshirë flegrat e hundës. Në vendin ku duhej të ngrihej inceneratori i Tiranës – i paraqitur në videot grafike të koncesionarit si një kompleks futurist në formën e piramidave binjake prej xhami me ngjyrë dhe strukturë metali – nuk ka asnjë gjurmë të investimit të premtuar.

Pas gjashtë vitesh hetime dhe debatesh publike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, dërgoi në mesin e korrikut për gjykim 12 persona. Ata akuzohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal me “jaka të bardha”, që sipas organit të akuzës drejtohej nga biznesmenët në arrati Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto dhe që dyshohet se tjetërsoi dhjetëra milionë euro nga fondet publike të destinuara për koncesionin e trajtimit të mbetjeve të Tiranës.

Sipas dosjes hetimore të depozituar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), një kopje të së cilës e disponon dhe BIRN, të pandehurit akuzohen se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme shuma të konsiderueshme parash – të tjetërsuara nëpërmjet mashtrimit, ndërsa nuk kanë realizuar investimet e parashikuara.

“Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto kanë përdorur mekanizmin e nxjerrjes së shumave monetare nga llogaritë e shoqërisë koncesionare, nëpërmjet mashtrimit me fatura fiktive, shfrytëzimit të shoqërive fiktive të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe përmes transferimeve në cash”, shprehen prokurorët e SPAK në njoftim për mediat.

Dosja e inceneratorit të Tiranës është një nga hetimet më të rëndësishme të SPAK, jo vetëm për shkak të vlerës së lartë të kontratës koncesionare, por edhe për ndikimin negativ që ka sjellë dështimi i investimeve në menaxhimin e mbetjeve urbane – një prej sfidave më të mprehta mjedisore me të cilat përballet vendi.

“Për vite me radhë, kemi akumuluar tonelata mbetjesh dhe kemi humbur kohë të çmuar e fonde, të cilat, po të ishin vënë në funksion të menaxhimit real të mbetjeve, do të kishim sot një situatë shumë më të përmirësuar në terren,” shprehet Besjana Guri, drejtuese e qendrës mjedisore “Lumi” dhe fituese e çmimit mjedisor ‘Goldman’, si pjesë e fushatës së suksesshme në mbrojtje të shtratit të egër të lumit Vjosa dhe kthimin e luginës në park kombëtar.

“Situata jo vetëm nuk është përmirësuar, por mbetjet e gjithë vendit vazhdojnë të depozitohen në landfill-e, vendgrumbullime të paligjshme apo të hidhen buzë lumenjve, duke bërë që ndotja të jetë e vazhdueshme dhe e pakontrolluar,” shtoi ajo.

Biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë në arrati që nga viti 2024. Ata besohet se janë strehuar në Austri dhe nuk ishin të arritshëm për koment. Ndërkohë, avokati i Mërtirit, Klodian Skënderaj i tha BIRN se SPAK-u “ka shpikur termin pronar faktik për z. Mërtiri dhe pa i atribuar asnjë veprim konkret i ka ngritur një sërë akuzash, të cilat nuk bazohen në fakte konkrete.”

Fryrja e kostove

Brenda pak vitesh pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, kompani të lidhura me Klodian Zoton, Mirel Mërtirin dhe partneren e tij, Stela Gugallja, siguruan nga qeveria shqiptare tre projekte për ndërtimin dhe administrimin e inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Dy projektet e para kapnin së bashku një vlerë prej rreth 50 milionë eurosh, ndërsa kontrata 30-vjeçare e Tiranës parashikonte të ardhura prej gati 430 milionë eurosh gjatë gjithë periudhës së koncesionit.

Kontrata koncesionare për inceneratorin e Tiranës u firmos në vitin 2017. Ajo përfshinte ndërtimin e një landfilli, ngritjen e termovalorizatorit për prodhimin e energjisë elektrike dhe rehabilitimin e venddepozitimit ekzistues në zonën e trajtimit të mbetjeve në Tiranë. Në shkëmbim të investimit të vlerësuar nga Ministria e Mjedisit në 128 milionë euro, bashkitë e qarkut Tiranë do të depozitonin mbetjet kundrejt një tarife prej 29 eurosh për ton për një periudhë 30-vjeçare.

Kjo kontratë erdhi si rrjedhojë e një propozimi të pakërkuar nga kompanitë “Energy Recuperator S.P.A”, “Paul Wurth Italia S.P.A” dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. (ITS) – kjo e fundit në pronësi të biznesmenit Klodian Zoto.

Megjithatë, nga hetimi i SPAK rezulton se nisma për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës ishte planifikuar që në vitin 2015 nga Ministria e Mjedisit dhe Bashkia e Tiranës. Jo vetëm që propozimi nuk ishte ide e Klodian Zotos, por edhe dokumentet e dorëzuara për marrjen e koncesionit janë hartuar nga zyrtarë publikë, të cilët paguheshin njëkohësisht nga shteti dhe nga kompania e tij, ITS.

Dosja hetimore përshkruan një komunikim të vazhdueshëm mes ish-këshilltarit të Ministrisë së Mjedisit, Vladimir Bezhani, dhe biznesmenit në kërkim. Sipas provave të administruara nga SPAK, Bezhani i dërgonte Zotos dokumente, informacione dhe madje hartoi vetë “Letrën e Interesit” që u paraqit si propozim i pakërkuar i kompanisë në procedurën koncesionare.

Vetë Bezhani ka pranuar se, ndërsa shërbente si këshilltar i jashtëm i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, paguhej nga kompania e Zotos dhe përdorte adresën zyrtare të email-it të Ministrisë së Mjedisit për komunikime me kompaninë. SPAK argumenton se këto rrethana tregojnë nivelin e lartë të koordinimit mes zyrtarëve brenda autoritetit kontraktor dhe kompanisë propozuese, duke vënë në pikëpyetje karakterin “e pakërkuar” të projektit.

Të dhënat e siguruara nga SPAK nga emailet e sekuestruara nga kompjuteri i Klodian Zotos sugjerojnë gjithashtu se kompania koncesionare e fryu koston e investimit në landfill me 25.7 milionë euro, ndërsa gjysma e tarifës të depozitimit të mbetjeve ishte përfitimi i koncesionarit.

Sipas dosjes hetimore, më 26 gusht 2016, Klodian Zoto i ka dërguar e-mail kompanisë “Paul Wurth”, duke ndarë parashikimet për planin e biznesit, në të cilin kostoja totale e investimit vlerësohej në rreth 102.5 milionë euro.

“Të nderuar zotërinj, bashkëngjitur është plani real i biznesit dhe jo ai shtetëror,” u shkruan Zoto partnerëve italianë.

Bezhani nuk është i vetmi zyrtar publik që ka përfituar financiarisht nga favorizimet e bëra ndaj kompanive koncesionare dhe biznesmenëve Zoto dhe Mërtiri.

Dy biznesmenët dyshohet se kanë transferuar miliona euro në formë ryshfetesh te familjarë dhe persona të lidhur me zyrtarë të lartë – përfshirë ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë, Alqi Bllako dhe ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj – për të siguruar kontratat për ndërtimin e inceneratorëve.

Koka është shpallur fajtor për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre, ndërsa Bllako për shpërdorim detyre. Çështja ndaj Ahmetajt pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme, ndërsa ish-zëvendëskryeministri është larguar nga vendi, duke kërkuar strehim politik në Zvicër.

Të tre ish-zyrtarët i kanë mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht.

Sipas Jorida Tabakut, deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë dhe kryetare e Komisionit Hetimor Parlamentar për Inceneratorët në vitin 2021, SPAK-u ka zbardhur një pjesë të rëndësishme të skemës së inceneratorëve, por nuk ka dhënë ende një panoramë të plotë të përgjegjësive penale, të ndërlidhjes mes tri kontratave dhe të destinacionit përfundimtar të parave.

Ajo e lidh këtë rezultat të pjesshëm me ndarjen e hetimit në disa procedime të veçanta. Edhe pse pranon se organi i akuzës mund të ketë pasur arsyet e veta procedurale për këtë qasje, Tabaku vlerëson se deri më tani hetimi ka prodhuar një tablo të fragmentuar të çështjes. Sipas deputetes së opozitës, mbetet e paqartë përse SPAK-u e ka cilësuar skemën e inceneratorit të Tiranës si veprimtari të një grupi të strukturuar kriminal, ndërsa të njëjtët aktorë nuk janë konsideruar pjesë e një grupi të tillë edhe në çështjet e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit.

“Ende nuk e kuptojmë se si është e mundur që tre aktorë privatë të arrinin deri në nivelin e zëvendëskryeministrit të Shqipërisë dhe se si u përfshinë disa ministra, në periudha të ndryshme, në të njëjtën skemë,” tha ajo, ndërsa shtoi se dëshmitë e mbledhura nga Komisioni Hetimor dhe investigimet mediatike tregojnë për “kanale të drejtpërdrejta komunikimi dhe ndërhyrjeje që arrinin deri në nivelet më të larta të qeverisjes”.

“Këto lidhje nuk kanë marrë ende një përgjigje të plotë penale dhe institucionale,” theksoi Tabaku.

Pronarë faktikë

Logoja e kompanisë Integrated Energy në hyrje të landfillit të Sharrës. Foto: Besar Likmeta.

Sipas SPAK, pas kompanisë koncesionare të inceneratorit të Tiranës qëndronte një strukturë pronësie me dy nivele, e cila kalonte përmes Holandës dhe që, pavarësisht emrave që shfaqeshin në dokumente, kontrollohej në të vërtetë nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Konsorciumi i kompanive që fitoi koncesionin e inceneratorit të Tiranës ngriti fillimisht një kompani “holding” në Eindhoven, të quajtur Integrated Energy B.V. Përmes saj u themelua më pas në Shqipëri shoqëria Integrated Energy BV SPV sh.p.k., e cila më 31 gusht 2017 nënshkroi kontratën e koncesionit me Ministrinë e Mjedisit. Kompania holandeze zotëronte 100% të aksioneve të koncesionarit shqiptar.

Sipas SPAK, Integrated Energy B.V. u krijua nga Integrated Technology Services (ITS) e Klodian Zotos dhe dy partnerët italianë, Paul Wurth Italia dhe Energy Recuperator. Megjithatë, një marrëveshje bashkëpunimi e lidhur përpara themelimit të kompanisë parashikonte që, pas fitimit të koncesionit, partnerët italianë t’ia transferonin aksionet e tyre ITS-së, nëse kjo e fundit i kërkonte ato.

Struktura formale e pronësisë ndryshoi disa herë në vitet që pasuan. Më 25 qershor 2021, në regjistrin shqiptar të pronarëve përfitues u deklaruan si aksionerë të kompanisë holandeze – tashmë të riemërtuar Geogenix BV – tre shtetas italianë: Giuseppe Ciaffaglione me 30%, Salvatore Russelli me 25% dhe Alberto Pressezzi me 43%.

Pressezzi u shpjegoi prokurorëve se përfshirja e tij dhe e partnerëve të tij në Geogenix ishte si “aksioner i fjetur” dhe kushtëzohej me sigurimin e 100 milionë eurove financim për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Vetëm nëse financimi sigurohej, ata do të aktivizoheshin si aksionerë dhe do të merrnin kontrollin e plotë financiar dhe menaxherial të kompanisë. Sipas dëshmisë së tij, financimi nuk u sigurua dhe ky kontroll nuk u ushtrua.

Pas kësaj serie ndryshimesh formale të pronësisë, SPAK pretendon se fijet e kontrollit mbetën në duart e Zotos dhe Mërtirit. Sipas prokurorisë, të dy ishin pronarët ‘de facto’ të kompanisë holandeze dhe përdorën persona e shoqëri të tjera për të fshehur pronësinë reale, ndërsa vazhduan të merrnin vendime dhe t’u jepnin udhëzime drejtuesve të saj. Mërtiri, në mënyrë të veçantë shfaqet si një mikro-menaxher, i cili vendoste për pagat e rojeve dhe ndëshkonte vartësit me sanksione financiare për ‘mosinformim ndaj eprorit.”

Sipas Zef Preçit, ekspert i ekonomisë dhe drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, ACER, përdorimi i kompanive offshore dhe strukturave me pronësi jotransparente nga një koncesionar që financohet me para publike përbën risk të lartë institucional dhe fiskal, pasi cenon një prej parimeve bazë të llogaridhënies – të dihet se kush përfiton dhe ku përfundojnë fondet publike.

“Kur pronarët realë fshihen pas strukturave të tilla, autoritetet e kanë më të vështirë të verifikojnë lidhjet e koncesionarit me zyrtarë publikë, persona të ekspozuar politikisht apo subjekte të sanksionuara, duke dobësuar njëkohësisht kontrollin mbi konfliktet e interesit dhe përdorimin e parave publike,” tha Preçi.

“Strukturat offshore e vështirësojnë ndjeshëm identifikimin e përfituesve realë dhe ndjekjen e gjurmës së parave, veçanërisht kur përdoren zinxhirë kompanish, aksionerë nominalë dhe juridiksione që nuk ofrojnë të dhëna të shpejta ose të plota mbi pronësinë,” shtoi ai.

Sipas Preçit, nëse një koncesionar i financuar me fonde publike lejohet të përdorë struktura offshore dhe pronësi jotransparente, pa iu nënshtruar identifikimit, verifikimit dhe monitorimit të plotë, problemi shkon përtej përgjegjësisë së individëve të përfshirë dhe nxjerr në pah dobësi sistemike në mekanizmat e kontrollit të parasë publike.

“Sistemi ynë, kryesisht për shkak të kontrollit politik, bashkëpunimit të hapur të qeverisë me oligarkët dhe lidhjeve që shtrihen deri te segmente të krimit të organizuar, vazhdon të shfaqë dobësi të theksuara,” tha ai.

“Raportet ndërkombëtare për Shqipërinë, por edhe studimet tona, vazhdojnë të evidentojnë rreziqe që lidhen me detyrimet potenciale të PPP-ve, mungesën e transparencës fiskale dhe dobësitë në monitorimin e kontratave,” shtoi Preçi.

Skema e pastrimit të parave

Kur shteti mori nën administrim kompaninë që kishte fituar koncesionin e inceneratorit të Tiranës, në verën e vitit 2023, bilanci mes parave të qarkulluara dhe veprës së ndërtuar ishte i thellë. Integrated Energy BV SPV kishte arkëtuar më shumë se 11.3 miliardë lekë (rreth 104 milionë euro) nga fondet publike dhe burime të tjera të lidhura me aktivitetin e saj, si dhe kishte marrë rreth 12.9 milionë euro kredi bankare, prej të cilave 8.8 milionë euro kishin mbetur të pashlyera. Por sipas aktit të ekspertimit teknik, investimet e realizuara arrinin në vetëm 21 milionë euro, ose 12.4% të vlerës së parashikuar, ndërsa në arkën e kompanisë kishin mbetur vetëm 4 milionë lekë (rreth 37 mijë euro).

Për hetuesit e SPAK-ut, ky hendek ngriti një pyetje thelbësore: ku kishin shkuar paratë?

Një pjesë të përgjigjes e dha ekspertimi kontabël. Sipas tij, pjesa më e madhe e parave të qarkulluara nga koncesionari nuk ishte investuar në ndërtimin e inceneratorit sipas projektit dhe planit të biznesit, por ishte përdorur për aktivitetin e vetë kompanisë dhe për pagesa ndaj nënkontraktorit kryesor, Integrated Technology Services, ITS, në pronësi të Klodian Zotos. Rreth 5.6 miliardë lekë (51.5 milionë euro), ose 45.1% e totalit të blerjeve, rezultojnë të regjistruara si autongarkesa – një mekanizëm kontabël ku dokumenti fiskal për transaksionin gjenerohet nga vetë subjekti, ndërsa 2.72 miliardë lekë (25 milionë euro), ose 21.9%, lidhen me ITS-në. Shpenzimet operative, përfshirë pagat dhe sigurimet shoqërore, shtuan edhe 1.83 miliardë lekë (16.8 milionë euro).

Gjurmimi i llogarive bankare e çoi hetimin më tej. Sipas SPAK-ut, ITS përfitoi nga koncesionari mbi 3 miliardë lekë (27.6 milionë euro) dhe 6.7 milionë euro të tjera në pagesa që tejkalonin ndjeshëm vlerën e kontratës së nënkontraktimit mes dy kompanive – të cilën prokuroria e konsideron të falsifikuar, si dhe faturimet e deklaruara prej rreth 2.88 miliardë lekësh (26.5 milionë euro).

Brenda këtij fluksi, prokuroria identifikoi edhe rreth 973 milionë lekë (9 milionë euro) në fatura të falsifikuara, të lidhura me kompani që sipas hetimit ishin fiktive dhe nuk ushtronin aktivitet real tregtar. Të dhënat bankare tregojnë se për këto fatura, ITS pagoi rreth 398.3 milionë lekë (3.7 milionë euro) dhe 2.27 milionë euro, para që, sipas SPAK-ut, u tërhoqën më pas në cash dhe përfunduan në favor të Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos.

SPAK pretendon gjithashtu se Mërtiri dhe Zoto orientuan stafin e koncesionarit për të tërhequr drejtpërdrejt nga llogaritë bankare të kompanisë rreth 112.8 milionë lekë (1 milion euro) dhe 247 mijë euro, të cilat dyshohet se u përdorën për interesat e tyre personale.

Gjurmët e parave të tjetërsuara kaluan edhe kufijtë e Shqipërisë. EM Capital Group AD, një kompani bullgare e kontrolluar nga Mërtiri dhe ku më pas u bë aksioner edhe Zoto, mori 1.05 milionë euro nga koncesionari për shërbime inxhinierike. Por sipas SPAK-ut, hetimi nuk gjeti prova se kompania kishte ofruar mallrat, projektet apo shërbimet për të cilat ishte paguar.

Një mekanizëm i ngjashëm, sipas prokurorisë, u përdor me kompaninë mëmë holandeze Geogenix BV. Integrated Energy BV SPV transferoi drejt saj qindra mijëra euro përmes llogarive në Turqi dhe Lituani, bazuar në fatura që SPAK i konsideron fiktive dhe që lidheshin me një kontratë prej 3.2 milionë eurosh për furnizimin e një impianti për trajtimin e tymrave.

Por transfertat drejt kompanive të lidhura dhe faturat e dyshuara si fiktive ishin vetëm një pjesë e mënyrave që SPAK pretendon se u përdorën për të nxjerrë para nga koncesioni.

Hetimi përshkruan gjithashtu fryrje të kostove të shërbimeve inxhinierike, devijim të të ardhurave nga depozitimi i dherave dhe inerteve, lëvizje të parave cash përmes pikave të këmbimit valutor, klering dhe pagesa për pasuri të paluajtshme – mekanizma që, sipas prokurorisë, shërbyen për të kaluar një pjesë të fondeve të lidhura me koncesionin drejt interesave private.

Sipas deputetes Jorida Tabaku, rrjedha e parasë e dokumetuar nga SPAK mund të jetë vetëm maja e ajbsergut, pasi ende nuk ka një panoramë të qartë të të gjithë transaksioneve.

“Nuk dimë ku kanë përfunduar të gjitha paratë, nëpër sa kompani dhe llogari kanë kaluar, çfarë pasurish kanë krijuar dhe cilët janë përfituesit e vërtetë fundorë,” tha ajo.

“Ka arsye serioze për të dyshuar se rrethi i përfituesve nuk përfundon te personat që janë identifikuar deri më tani dhe se lidhjet mund të shkojnë në nivele më të larta,” shtoi Tabaku.

Testi i lakmusit

Landfilli i Sharrës. Foto: Besar Likmeta.

Edhe pse inceneratori i Tiranës nuk u ndërtua kurrë dhe kompania koncesionare është nën sekuestro preventive që nga korriku i vitit 2023, bashkitë e qarkut Tiranë dhe Durrës paguajnë çdo vit dhjetra miliona euro për depozitimin e mbetjeve në landfill, ndërkohë që incinerimi nuk realizohet.

Këto pagesa, së bashku me miliona euro të tjera që SPAK pretendon se u tjetërsuan përmes skemës së ngritur nga Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, nxjerrin në pah dobësitë e shtetit dhe të institucioneve të drejtësisë për të mbrojtur paranë publike dhe për të rikuperuar fondet e dyshuara si produkte të korrupsionit apo veprimtarisë kriminale.

“Rasti i inceneratorit nxjerr në pah mungesën e mjeteve dhe boshllëqet ligjore me të cilat përballen organet e drejtësisë për të bllokuar apo rikuperuar këto fonde,” tha Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i Qëndresës Qytetare, ndësa shtoi se edhe kur abuzimi identifikohet, “interesat korruptive arrijnë të prevalojnë mbi interesin publik.”

Sipas Xhemollarit, shteti arrin në këtë mënyrë ta diagnostikojë korrupsionin, por jo ta ndalë atë apo të rikuperojë dëmin e shkaktuar. Pamundësia për të ndërprerë në kohë mekanizmat abuzivë krijon, sipas tij, terren për përsëritjen e tyre në projekte të tjera publike, ndërsa hetimet penale në disa raste zgjasin më shumë sesa vetë realizimi i punëve të vëna nën hetim.

Pikëpyetje mbi shtrirjen e hetimit ngre edhe deputetja Jorida Tabaku, e cila thekson se skandalet e reja të qeverisë “Rama” nuk duhet ta eklipsojnë këtë çështje.

Sipas Tabakut, mbeten pa një përgjigje publike roli i Bashkisë së Tiranës dhe zinxhiri i vendimmarrjes në qeverinë qendrore për shpalljen e emergjencës mjedisore që i hapi rrugë projekteve të inceneratorëve. Ajo veçon si të pazbardhur plotësisht edhe çështjen e depozitimit të dherave nga kantieret e ndërtimit në landfillin e Sharrës, që sipas saj krijoi një “monopol de facto” dhe një burim shtesë të ardhurash për koncesionarin.

Deputetja e opozitës kërkon gjithashtu përgjigje për ekzekutimin e urdhrave ndërkombëtarë të arrestit, gjurmimin e pasurive dhe rikuperimin e parave. Sipas saj, një hetim financiar nuk përfundon me ngritjen e akuzave, por duhet të identifikojë përfituesit fundorë dhe të çojë në sekuestrimin e produkteve të veprave penale.

“SPAK-u ka zbardhur një pjesë të rëndësishme, por ende mungojnë përgjigjet për çështjet më thelbësore: zinxhirin e plotë të vendimmarrjes, lidhjen mes tri dosjeve, rrjedhën e parave, përfituesit fundorë dhe rikuperimin e produkteve të veprave penale,” tha Tabaku, duke e cilësuar hetimin e inceneratorëve si “testin e lakmusit për reformën në drejtësi”. /BIRN

About Redaksia

Check Also

Në janar-qershor 5-fish leje për ndërtime rekord, me vlerë 1.6 mld euro! Ku do shkojë Tirana?!

Nëse mendoni që Tirana dhe bregdeti janë mbingarkuar me ndërtime, nuk keni parë gjë akoma. …