Ndahet nga jeta ish-kryetari i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci

Është ndarë nga jeta në moshën 64-vjeçare, Skënder Haluci, jurist, avokat dhe ish-kryetar i Gjykatës së Vlorës, një emër i njohur i sistemit të drejtësisë dhe jetës publike shqiptare.

Sipas raportimeve në media, Haluci ndodhej në bjeshkët e Tropojës, ku kishte shkuar për të pushuar së bashku me familjen. Mëngjesin e sotëm, ai u kishte treguar familjarëve se nuk ndihej mirë dhe disa minuta më pas është gjetur pa shenja jete.

Vdekja e papritur ka shkaktuar tronditje te familjarët dhe të afërmit. Rrethanat e sakta të ngjarjes dhe shkaku i vdekjes pritet të përcaktohen nga ekspertiza mjekoligjore dhe autoritetet përkatëse.

Skënder Haluci ka shërbyer si kryetar i Gjykatës së Vlorës gjatë karrierës së tij në sistemin e drejtësisë, teksa ishte larguar nga vettingu.

Kush ishte Skënder Haluci

Skënder Haluci ishte një prej emrave të njohur të sistemit të drejtësisë shqiptare, me një karrierë prej më shumë se dy dekadash në gjyqësor. Ai e nisi detyrën si gjyqtar më 23 gusht 1996 dhe për vite me radhë ushtroi funksionin në gjykatat e Tiranës dhe të Vlorës.

Haluci përfundoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës në vitin 1995, ndërsa në vitin 2008 ndoqi edhe studime pasuniversitare pranë këtij universiteti.

Karrierën në sistemin gjyqësor e nisi më 23 gusht 1996, si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në këtë detyrë shërbeu për rreth 15 vite, deri më 24 nëntor 2011, kur u emërua gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Pas eksperiencës si gjyqtar në Vlorë, Haluci mori edhe detyra drejtuese në këtë gjykatë. Më 28 tetor 2013 u komandua në detyrën e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, ndërsa më 17 tetor 2014 u emërua zyrtarisht kryetar i kësaj gjykate. Në këtë funksion qëndroi deri më 5 mars 2020.

Gjatë karrierës së tij në sistemin e drejtësisë, veprimtaria profesionale e Halucit ishte vlerësuar pozitivisht.

Karriera e tij në gjyqësor u ndërpre në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar, të njohur si vettingu. Më 5 mars 2020, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e tij nga detyra. Pas këtij vendimi, Haluci u pezullua nga detyra, ndërsa çështja vijoi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Më 27 tetor 2022, KPA vendosi të lërë në fuqi vendimin e KPK-së për shkarkimin e Skënder Halucit nga detyra, duke i dhënë fund përfundimisht karrierës së tij në sistemin e drejtësisë.

Pavarësisht përfundimit të karrierës së tij si gjyqtar, Skënder Haluci mbetet i lidhur me një periudhë të gjatë të sistemit gjyqësor shqiptar, ku për më shumë se 25 vite ushtroi funksione gjyqësore, përfshirë edhe drejtimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

About Redaksia

Check Also

Rama, 3.1 milionë euro për mikun izraelit në kulmin e zjarreve/ Këlliçi: Askush nuk di ku shkojnë paratë!

Nënkryetari i PD, Belind Këlliçi, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur …