Tregu audioviziv rrezikohet nga monopolizimi

Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, njëherësh zëvendëskryetar i komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, kërkoi sot ndërhyrjen e Autoritetit të Konkurrencës dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) lidhur me situatën e krijuar mes operatorëve kabllorë dhe kompanive që ofrojnë paketa televizive me pagesë.

Në një deklaratë nga kryesia e Kuvendit, Bozdo tha se rreth 65 shoqëri të televizionit kabllor shpërndajnë paketat televizive te qytetarët, duke përballuar kostot e rrjeteve, mirëmbajtjes, shërbimit ndaj klientit dhe shpërndarjes territoriale.

Sipas tij, këto kompani po përballen me kërkesa për rritje çmimesh, ndryshime të njëanshme të kushteve tregtare dhe kërcënime për ndërprerje të kontratave nga ADTN. Bozdo tha se operatorëve kabllorë u kërkohet që rreth 25% e të ardhurave t’u mbetet atyre.

Ai e cilësoi situatën si një çështje që shkon përtej një konflikti privat mes dy palëve tregtare, duke shtuar se ajo prek konkurrencën në tregun audioviziv, lirinë e informimit dhe interesat ekonomike të rreth 500 mijë familjeve shqiptare.

Bozdo kërkoi që Autoriteti i Konkurrencës të hetojë atë që ai e cilësoi si “pozitë monopoliste” të krijuar nga Digitalb dhe Tring në segmentin e televizionit me pagesë.

“Kjo situatë nuk mund të trajtohet si një konflikt i zakonshëm privat mes dy palëve tregtare. Kur një grup që kontrollon 100% furnizimin me përmbajtje Pay TV përballet me dhjetëra distributorë që nuk kanë alternativë reale, kemi të bëjmë me një çështje thelbësore të konkurrencës, të funksionimit të tregut audioviziv, të mbrojtjes së konsumatorit dhe të respektimit të ligjit. Së pari, Autoriteti i Konkurrencës duhet sa më parë të hetojë pozitën monopoliste të krijuar nga Digitalb dhe Tring në këtë segment të tregut”, tha ai.

Sipas deputetit demokrat, duhet të verifikohet nëse ekziston një pozitë dominuese apo kontroll i përbashkët, nëse operatorët kabllorë kanë alternativa reale për sigurimin e përmbajtjes dhe nëse kushtet e reja ekonomike janë imponuar në mënyrë të njëanshme.

Ai kërkoi gjithashtu që të hetohet nëse ndërprerja e kontratave po përdoret si mjet presioni ndaj operatorëve kabllorë dhe nëse këto praktika mund të çojnë në daljen e tyre nga tregu.

“Është detyrimi i Autoritetit të Konkurrencës të sqarojë këtë situatë të paprecedent, si dhe të hetojë monopolizimin de facto të tregut të televizioneve me pagesë”, tha ai.

Sa i përket AMA-s, Bozdo tha se institucioni është vënë prej muajsh në dijeni për shqetësimet e kompanive kabllore. Sipas tij, AMA ka detyrimin të mbikëqyrë tregun audioviziv, të garantojë konkurrencën e ndershme dhe të bashkëpunojë me Autoritetin e Konkurrencës.

Bozdo kërkoi mbrojtjen e operatorëve kabllorë, respektimin e kontratave dhe garantimin e një tregu audioviziv konkurrues dhe pluralist, duke paralajmëruar se pasojat e një monopoli të mundshëm mund t’u kalojnë konsumatorëve përmes rritjes së çmimeve dhe reduktimit të alternativave.

About Krye Redaktor

Check Also

10 vite mashtrim me hekurudhën Tiranë–Durrës–Rinas/ BE-BERZH dhanë 70 milionë euro

Nga Adri Nurellari Kur Ursula von der Leyen erdhi në Tiranë dhe kryeministri e çoi …